Ndërlidhjet

Maqedonia në kërkim të emrit


Flamuri i Maqedonisë
Flamuri i Maqedonisë
Maqedonisë i kanë mbetur vetëm edhe 20 ditë deri në samitin e BE-së, për të përmbushur kushtet që kërkohen për marrjen e datës për fillimin e bisdedimeve për anëtarësim.

Në këtë kuadër, zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi, ndodhet në një ofensivë të re diplomatike në disa shtete të BE-së, për të kërkuar mbështetje si dhe për të sqaruar pozicionin e Maqedonisë, e cila, siç thekson ai, është e gatshme të zgjidhë të gjitha çështjet që tashmë një kohë të gjatë janë pengesë për hapërimin e mëtejmë të vendit në BE.

“Maqedonia është e interesuar të bisedojë për të zgjidh këtë çështje sa më shpejtë të jetë e mundur, gjithashtu kemi i kemi njoftuar edhe me aktivitetet e deritanishme sa i përket marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, për reformat në kuadër të dialogut të lartë që bëhet me BE-në, reformat që bëhen në të gjitha fushat, përfshirë dialogun me gazetarët si dhe për zbatimin e marrëveshjes politike të arritur ndërmjet dy partive politike në vend, që komisioni anketues të themelohet sa më shpejtë”, ka theksuar Besimi.

Para samitit të BE-së, Maqedonia dhe Greqia duhet të prononcohet lidhur me propozimin e ri të ndërmjetësit të OKB-së, Metju Nimic, i cili nuk është prezantuar në opinion, por jo zyrtarisht bëhet e ditur se ai përmban emrin “Republika e Maqedonisë Veriore”, emër ky që do të ishte në përdorim të përgjithshëm nëse pranohet nga të dyja palët.

Në rast se Maqedonia pajtohet me një kompromis të tillë, apo nëse jep sinjale se do të pranonte diçka të tillë, atëherë sipas Ismet Ramadanit nga këshilli euroatlantik, Maqedonia ka gjasa të merr të paktën një datë të kushtëzuar për nisjen e bisedimeve me BE-në.

“Varësisht se çfarë përgjigje do të japë kryeministri, respektivisht qeveria, Mejtu Nimicit lidhur me propozimin e fundit, pasi më 10 qershor duhet ti përgjigjet, dhe nëse është ndonjë përgjigje që lënë shteg për zgjidhjen e çështjes së emrit me ndonjë klauzolë kushtëzuese, të afatizuar, atëherë mendoj se ekziston ndonjë mundësi që të paralajmërohet ndonjë afatizim për datën e Maqedonisë me BE-në”, thotë Ramadani.

Ai shton se përveç çështjes së emrit, Maqedonia duhet të përmbushë edhe kritere tjera si raportet e mira ndërfqinjësore, dialogu mes pozitës dhe opozitës dhe ai mes qeverisë dhe mediave për garantimin e lirisë së shprehjes.

Por, ai thotë se çështja e emrit është thelbësore për integrimin e vendit dhe në rast të dështimit të zgjidhjes atëherë pas samitit të BE-së, fjalën do ta ketë partneri shqiptar në qeveri, BDI-ja.

Pas 23 qershorit pres që subjekti politik shqiptar në qeveri, BDI-ja, që përfundimisht të marrë ndonjë veprim i cili ndoshta për momentin shkakton ndonjë krizë politike, por mund të hap rrugën për integrimin euroatlantik të Maqedonisë”, deklaron Ismet Ramadani.

Paraprakisht, edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka deklaruar se tani është koha për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe integrimin e vendit në NATO dhe BE.

Gjatë vizitës së fundit në SHBA, Ahmeti ka takuar edhe ndërmjetësuesin e OKB-së, Metju Nimic, i cili i ka deklaruar se propozimi i tij nuk pret gjuhën dhe identitetin kulturor e kombëtar maqedonas.
XS
SM
MD
LG