Ndërlidhjet

logo-print
Prishtina dhe Beogradi janë ende në fazën fillestare të definimit të fushave dhe aspekteve ligjore të zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit, të arritur në dialogun ndërmjet kryeministrave Hashim Thaçi e Ivica Daçiq.

Në bazë afateve të planit të zbatimit të kësaj marrëveshjeje, disa veprime tashmë parashiheshin që të përfundonin. Megjithatë, palët janë ende në procesin e diskutimeve të bazës ligjore dhe çështjeve tjera që duhet adoptuar për të zbatuar këtë marrëveshje.

Sa i përket Kosovës, veprimi i parë konkret pritet të ndodhë në Kuvend me ratifikimin e marrëveshjes. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka konfirmuar të mërkurën se do të raportojë të hënën para Komisionit për legjislacion në lidhje me marrëveshjen.

“Unë të hënën do të shkoj dhe do të prezantoj qëndrimin e Qeverisë së Kosovës në lidhje me projektligjin për ratifikim, i cili jo vetëm që është operacionalizim i marrëveshjes së 19 prillit, por përcakton qartë afatet kohore, akterët si dhe implementuesit, qoftë vendorë apo edhe ndërkombëtarë, si dhe obligimet që i ka edhe Republika e Serbisë”.

“Ky projektligj për ratifikim është një prej zotimeve tona që këtë marrëveshje ta ratifikojmë ashtu si parashihet me Kushtetutë dhe presim që kjo të ndodhë në Kuvend, sikurse që ndodhi me mbështetjen e marrëveshjes më 22 prill”
, ka thënë Kuçi.

Ndërkohë, Brukseli është shprehur i kënaqur me përparimet e deritashme. Maja Kocijançiq, zëdhënëse e baroneshës Catherine Ashton, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se është me rëndësi që plani i zbatimit të marrëveshjes është dakorduar dhe se tani, palët janë në proces të identifikimit të veprimeve konkrete.

“Puna po vazhdon. Zbatimi është çështja kyçe, por ju e dini që plani i zbatimit tashmë është aprovuar nga të dyja palët dhe se grupet punuese po e vazhdojnë punën e tyre në Bruksel”, ka thënë Kocijançiq.

Përveç Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, një palë me rëndësi në procesin e implementimit shihet faktori serb në veri të Kosovës. Serbët e atjeshëm dhe lidershipi i tyre kanë kundërshtuar deri më tani marrëveshjen dhe janë zotuar se nuk do ta zbatojnë atë.

Marrëveshja parasheh formimin e asociacionit të komunave serbe, të cilit i janë përcaktuar edhe fushat e veprimit.

Petar Miletiq

Petar Miletiq

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Liberale Serbe, Petar Miletiq, ka theksuar se roli i Beogradit në veri të Kosovës, do të jetë thuase vendimtar. Ai i sheh si inkurajuese deklaratat e zyrtarëve të Serbisë të bëra gjatë vizitave në komunat veriore të Kosovës, por suksesi apo jo i këtyere veprimeve, sipas tij, do të vërtetohet vetëm pasi që marrëveshja të fillon së zbatuari në terren.

“Beogradi është faktori kryesor në këtë moment kur është fjala për veriun e Kosovës, ngase Beogradi ka ndikimin më të madh te serbët e atjeshëm”, ka thënë Miletiq.

Grupet teknike të ekspertëve të Prishtinës dhe Beogradit po i vazhdojnë takimet në Bruksel, ku pritet të identifikohen edhe aspektet ligjore të zbatimi të marrëveshjes në lidhje me kompetencat e asociacionit të komunave serbe në fushën e policisë, gjyqësisë dhe çështjeve tjera që kanë të bëjnë me themelimin dhe funksionimin e këtij organi.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG