Ndërlidhjet

Turqi: Të vendosur për vazhdimin e protestave


Glenn Kates, Stamboll

Demonstruesit në Stamboll nuk tregojnë shenja se do të tërhiqen, me gjithë kërkim-faljen e zëvendëskryeministrit Bulent Arinc për përdorimin e tepruar të forcës nga ana zyrtarëve të sundimit të ligjit.

Kryeministri Recep Tayyip Erdogan, i cili ka thënë se protestat janë anti-demokratike dhe mbështeten nga “elemente ekstremiste”, mbetet qartë shënjestër e zemërimit të tyre.

Bora Kilic, specialist 27-vjeçar i marketingut, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se deklarata e zëvendëskryeministrit është një gjest i pakuptimtë, në mungesë të deklaratës së ngjashme nga vetë Erdogani.

“Edhe nëse duan të tingëllojnë më tolerantë, mendoj se nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë, për shkak të kryeministrit. Nëse kërkim-falja do të ishte e mjaftueshme, këta njerëz nuk do të ishin këtu”, është shprehur ai.

Kilic, i cili, ashtu si edhe mbi 60 për qind e protestuesve është midis moshës 19 dhe 30 vjeç, ka thënë se politika e ashpër e Erdoganit është çështja e vërtetë që qëndron pas protestave.

Ato (protestat) nuk kanë të bëjnë vetëm me dy ose tre drunj, apo me shpëtimin e parkut. Kanë të bëjnë me njerëzit që janë ngopur nga kjo qasje fashiste ndaj tyre, duke i kufizuar lirinë”, ka thënë Kilic.

Përplasje midis demonstruesve dhe policisë kanë ndodhur në disa lagje që rrethojnë Sheshin "Taksim" natën e kaluar dhe të ngjashme pritet të ndodhin edhe sonte.

Në rrugën Inonu, protestuesit kanë qenë të zënë me ngritjen e barrierave mbrojtëse, duke përdorur pllaka të drurit, metalike dhe gjësende të ndryshme.

Shumica e tyre kanë së paku një maskë kirurgjikale, ose maska gazi.

Vullnetarët nga farmacitë furnizojnë protestuesit edhe me Talcid, një substancë e bardhë, e cila kur përzihet me ujë, lehtëson dhimbjen e shkaktuar nga gazi lotsjellës.

Mert, një djalë 20 vjeç, i cili studion jashtë vendit në Universitetin e Torontos, ka thënë se imazhet e brutalitetit të policisë në mediat sociale e kanë frikësuar atë, porse ka ndjerë obligim të vijë në shesh.

“Të jem i sinqertë, nuk e di se çfarë do të ndodhë në fund, por do të ndodhë diçka. Kjo është pika e kthesës”, ka thënë ai.

Trazirat në Turqi kanë nisur të premten e kaluar, pasi policia ka goditur një protestë paqësore, e cila kundërshtonte një projekt ndërtimi në Sheshin "Taksim" të Stambollit.

Protestat më pas janë shndërruar në anti-qeveritare dhe janë përhapur në qytete të tjera. Protestuesit akuzojnë Erdoganin se po bëhet gjithnjë e më autoritar.(v.tela)
XS
SM
MD
LG