Ndërlidhjet

Maqedoni: Kufizimi i abortit, nismë politike apo shëndetësore?


Ilustrim
Ilustrim
Draft-ligji për abortin duhet të hiqet nga procedura parlamentare, pasi forma e propozuar shkel mbi dinjitetin dhe lirinë themelore të vendosjes së grave.

Kështu deklaruan drejtues të shoqatave joqeveritare në protestën e organizuar në kundërshtim të ndryshimeve në Ligjin për abortin, me të cilin gratë gjatë një viti mund të kenë vetëm një abort, ndërsa për të tjerët duhet të vendosin komisione të posaçme përmes një procedure të detajuar që do të mbikëqyret nga Ministria e Shëndetësisë.

“Me të vërtetë mendoj se po tentoni të nënçmoni inteligjencën e grave maqedonase. Pyes se a ka fund arroganca e pushtetit, i cili me propozime të tilla dëshiron të kufizojë një të drejtë themelore të njeriut apo të drejtë të gruas. Pavarësisht nëse gruaja është nga zonat rurale apo urbane, ju nuk jeni ata që ta këshilloni se si të veprojë, ajo e di vetë se si duhet të veprojë, cilat janë mundësitë e saj, cilat janë kushtet dhe kur ajo do të vendosë të ketë ose jo fëmijë”, tha Milla Carevska nga shoqata “Hera”.

Ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov, tha se propozimi nuk është kufizues, por tenton të vendosë rregull që ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit të grave.

“Me këtë ligj duhet të zbatohet vetëm se një procedurë - ajo e këshillimit që nuk do të zgjasë më shumë se tri ditë, kohë kjo shumë më e shkurtër se në shumë shtete tjera perëndimore. Gjatë kësaj periudhe, gruas do t’i jepen të gjitha këshillat e mundshme, ajo duhet të informohet mirë për të gjitha pasojat para se të sjellë vendimin e duhur”, u shpreh Todorov.

Për abortin duhet të vendosin të dy bashkëshortët, ndërsa komisioni duhet të vendosë për vazhdimin e shtatzënisë nëse vlerëson se me abortin rrezikohet shëndeti i gruas.

Ndërkohë, vlerësimet e këtilla janë hedhur poshtë nga deputetet e partive të ndryshme. Madje, kundër kësaj u deklarua edhe një nga partitë e koalicionit qeveritar.

Liljana Popovska tha se propozimi mund të përkeqësojë shëndetin e grave pasi ato do të zgjidhnin rrugët ilegale kur shohin se kërkesa e tyre shpërfillet nga institucionet.

“Ky ligj ka disa probleme. Më kryesori është ai se krijon një tunel burokratik ndaj gruas, e cila ka vendosur të abortojë dhe në vend që të kalojë përmes këtij tuneli, ajo mund të vendosë të kalojë përmes procedurave jolegale të abortit dhe këtu ajo mund të rrezikojë më së shumti shëndetin e saj”, deklaroi Liljana Popovska, deputete e partisë për Ripërtëritje Demokratike, që është pjesë e koalicionit të partive në pushtet.

Propozimi është vlerësuar diskriminues edhe nga Lidhja Socialdemokrate.

“Po ndodh një fushatë e fuqishme e orkestruar kundër gruas dhe kundër abortit, e cila nuk ofron mundësi për një debat më të gjerë për këtë çështje. Kësaj radhe gruas, përmes procedurave të shumta administrative, i vështirësohet e drejta e zgjedhjes apo e abortit dhe në këtë mënyrë bëhet presion ndaj saj që të ndryshoj qëndrimin”, thotë Mariela Marinçiq - Tusheva, deputet e LSDM-së.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim, parti kjo në koalicion me VMRO-DPMNE-në, hedhin dyshime në arsyetimet e ministrit Todorov, se Ligji ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit të grave.

Deputetja Ermira Mehmeti tha se sikur të ishte kjo arsyeja, ndoshta do të mbështeste ligjin, por ajo dyshon se pas kësaj qëndron tendenca për rritjen e natalitetit te maqedonasit.

“Shqiptarët, në përgjithësi, nuk kanë problem me këtë çështje të ndërprerjes së shtatzënisë dhe nga ana tjetër nuk kanë problem as me çështjet demografike, gjegjësisht të natalitetit, sepse arsyeja kryesore se pse partneri ynë i koalicionit del me një propozim-ligj të këtillë, është në fakt që të stimulojë në forma jo të natyrshme rritjen e popullsisë. Problemi i dytë është mënyra se si parashihet ndërprerja e shtatzënisë së dytë, që duket se bën një ndërhyrje jo të vogël në çështjet e diskrecionit apo të çështjeve intime të gruas”, deklaroi Mehmeti, duke shpresuar se në fazën e dytë të miratimit të ligjit, do të ketë ndërhyrje në ndryshimin e përmbajtjes së tij.

Ligji është paraparë të miratohet me procedurë të përshpejtuar.
XS
SM
MD
LG