Ndërlidhjet

Grupi i Llapit shpallet fajtor për krime lufte

  • RFE /RL

Një trup gjykues i përbërë prej gjyqtarëve të EULEX-it dhe të Kosovës ka shpallur fajtorë të tre të pandehurit e ‘Grupit të Llapit’ për krime të luftës kundër popullatës civile.

“Të tre të pandehurit në këtë rast akuzoheshin për urdhërimin dhe marrjen pjesë në rrahjen dhe torturimin e civilëve shqiptarë të Kosovës, të cilët gjatë periudhës 1998/1999 ishin ndaluar në mënyrë të kundërligjshme në qendrën e ndalimit në Llapashticë”, thuhet në njoftimin e misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX.

Trupi gjykues, duke e marrë parasysh një dënim tjetër që ju ishte shqiptuar të pandehurve në tetor të vitit 2009 nga ana e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë dhe që ishte konfirmuar nga ana e Gjykatës Supreme të Kosovës në janar të vitit 2011, vendosi për dënimet e përgjithshme si në vijim: Latif Gashi, 6 vjet burgim, Nazif Mehmeti, 3 vjet burgim dhe Rrustem Mustafa, 4 vjet burgim.

Prokuroria mirëpret vendimin për Grupin e Llapit

Pas shpalljes së aktgjykimit për rastin “Grupi i Llapit”, prokurori i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK), Charles Hardaway, ka thënë se Prokuroria mirëpret aktgjykimin e gjykatës.

“Kjo ishte pjesa e fundit e një rasti që përfundimisht u përmbyll. Sot, të pandehurit u shpallën fajtorë për rrahjen dhe torturimin e të ndaluarve në qendrën e ndalimit në Llapashticë”.

“Duhet sqaruar se me këtë rast nuk është gjykuar UÇK-ja, por vetëm të pandehurit. Është jashtëzakonisht me rëndësi që të kuptohet se fajësia është individuale dhe jo kolektive, prandaj gjykata me të drejtë shpalli se këta persona kishin kryer veprime të kundërligjshme”, tha Hardaway.

Po sipas tij, të tre të pandehurit ishin dënuar për krime të luftës në lidhje me kushtet çnjerëzore në qendrën e ndalimit në Llapashticë.

“Latif Gashi ishte dënuar gjithashtu për krime të luftës për rrahjen dhe torturimin e Milovan Stankoviqit”, ka thënë ai.

“Është me rëndësi të theksohet se të pandehurit i kryen këto vepra kundër bashkëqytetarëve të tyre shqiptarë të Kosovës. Shumë nga të ndaluarit në Llapashticë ishin keqtrajtuar tmerrësisht dhe përkundër faktit se kanë kaluar shumë vite prej kohës kur kanë ndodhur këto ngjarje të rënda, prapseprapë është shumë me rëndësi që të ketë drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre. Prandaj, unë besoj se sot u përmbush drejtësia për ta”, ka thënë Hardaway.(v.tela)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG