Ndërlidhjet

WhatsApp - sukses i fjetur i protestuesve turq


Ilustrim
Ilustrim

Është e natyrshme që demonstruesit të jenë aktivë në Twitter dhe Facebook për të mbajtur të informuar botën për protestat masive që kanë përfshirë Stambollin dhe gjithë Turqinë, këtë javë.

Por, është një aplikacion i thjeshtë për smartfonët, në dispozicion për më pak se një dollar, i cili është shfaqur si sukses më i fjetur i lëvizjes.

Derisa Twitter dhe Facebook kanë qenë vendimtarë për të nxjerrë botën jashtë, “WhatsApp”, një aplikacion i krijuar në vitin 2009, i cili u lejon përdoruesve të dërgojnë tekst-mesazhe të panumërta përmes rrjeteve 3G ose WiFi, u ka mundësuar demonstruesve të ndajnë informacione të ndjeshme brenda grupeve më të vogla.

Demonstruesit thonë se ky është një mjet veçanërisht i rëndësishëm, marrë parasysh retorikën e ashpër të kryeministrit Recep Tayyip Erdogan ndaj Twitter-it dhe platformave të tjera sociale.

Këtë javë, Erdogan ka thënë se Twitter është “gënjeshtër” dhe në Izmir janë arrestuar 25 persona për përhapjen e informacionit të tillë, përmes mediave sociale.

Kontaktet e WhatsApp-it bazohen në numrat që përdoruesi ka të ruajtur në telefonin e tij. Nga ajo listë, përdoruesi mund të krijojë grup prej 50 personash për të ndarë mesazhe të shkurtra, fotografi dhe video. Njerëzit që i marrin mesazhet mund t’i bartin më pas ato te grupet e tyre të miqve. Por, ndryshe nga Twitter dhe Facebook, të cilët janë të kërkueshëm, përmbajtja e WhatsApp-it shpërndahet vetëm përmes rrjeteve të lidhura.

Grupe të mjekëve vullnetarë dhe studentëve të mjekësisë janë në prani konstante në Sheshin Taksim - zemrën e protestave. Të veshur me mantele të bardha, ata tubohen në grupe prej katër ose pesë vetash. Dhe, kur thirren të ndihmojnë protestuesit e ekspozuar ndaj gazit lotsjellës dhe dhunës së policisë, shfaqen përmes turmave, me mjetet mjekësore në duar.

Cagatay Nuhoglu, mjek dhe anëtar i Shoqatës Turke të Mjekësisë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se WhatsApp ndihmon ekipin e tij të mjekëve të shmangin dezinformatat e mundshme në Twitter dhe të përcaktojnë saktësisht pozicionimin e tyre, për t’iu shërbyer sa më mirë protestuesve.

“Ka shumë dezinformata dhe ne përdorim grupet në WhatsApp, për informacione të vërteta dhe miq të vërtetë”, ka thënë ai.

Ekspertja e mediave sociale, Arzu Geybulla, thotë se, për nga rëndësia, nuk e krahason WhatsApp-in me Twitter-in ose Facebooku-un, por beson se është vendimtar për përhapjen e informacioneve brenda grupeve ekskluzive.

Një mesazh që i është dërguar asaj gjatë ditëve të para të protestave, ka listuar mjekët e gatshëm për të trajtuar pa para njerëzit në nevojë.

Njerëzit kanë kërkuar ta shpërndajnë atë në mes të grupit dhe jo ta vënë në Facebook, sepse kanë menduar se policia mund të rrëmbejë emrat e tyre”, thotë Geybulla.

Erdem Gunes, gazetar në të përditshmen “Hurriyet”, thotë lista e tij e kontakteve në WhatsApp, i ka ndihmuar atij të sigurojë informacionin para se të përhapet në mediat sociale dhe po ashtu të ndihmojë organizatorët e protestave.

Vitin e kaluar, WhatsApp është mburrur me 18 miliardë mesazhe të procesuara në një ditë të vetme (https://twitter.com/WhatsApp/status/238680463139565568), por në disa vende është shpallur i padëshirueshëm nga autoritetet.

Në Arabinë Saudite, Komisioni për Teknologjinë e Komunikimeve dhe Informacionit ka pezulluar shërbimet e Viberi - platformë e mesazheve dhe e thirrjeve - dhe autoritetet kanë kërcënuar se do të bëjnë një gjë të tillë edhe me WhatsApp-in.

Ky i fundit është kritikuar edhe nga mbështetësit e të drejtave të privatësisë, të cilët kanë thënë se shërbimi vë në rrezik informacionet personale të përdoruesve, duke u dhënë atyre atë që mund të jetë një ndjenjë e rreme e sigurisë.(v.tela)
XS
SM
MD
LG