Ndërlidhjet

“Pashallarët” komunalë nuk e luftojnë korrupsionin


Ilustrim
Ilustrim
Komunat e Kosovës vazhdojnë trendin e shkeljeve dhe parregullsive ligjore në fushën e prokurimit publik, çka nënkupton se korrupsioni në qeverisje lokale mbetet në nivel shqetësues, konsiderojnë përfaqësues të shoqërisë civile.

Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, Lëvizja “Fol” ka identifikuar katër komuna që kanë bërë shkelje ligjore në gjashtë tenderë të ndryshëm në prokurimin publik. Fjala është për komunën e Prishtinës, Shtimes, Gjakovës dhe atë të Gjilanit.

Petrit Zogaj, udhëheqës i kësaj organizate, tha se me këtë kuptohet përfshirja e zyrtarëve komunalë në afera korruptive.

“Ajo çfarë ne kemi parë, edhe pse në ligj specifikohet çështja e transparencës, një gjë e tillë mungon te niveli lokal, pikërisht te procedurat e tenderimit në prokurimin publik. Kështu që, prokurimi publik, është një 'boks i zi' brenda qeverisjes lokale, ku bëhen çfarëdo lloj shkeljesh dhe pa ndonjë presion publik”
, tha Zogaj.

Niveli lokal nuk bën përjashtim nga niveli qendror ku korrupsioni është në nivel të lartë. Edhe në komuna, partitë politike, gjykatat dhe sektori publik konsiderohen si sektorët më të korruptuar, tha Merita Mustafa nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Ajo çka e dallon nivelin lokal nga niveli qendror, sipas Mustafës, është mungesa e monitorimit të duhur nga organizatat joqeveritare, kështu që problemet nuk dalin në sipërfaqe.

“Dihet se abuzimet në prokurimin publik janë shumë të mëdha. Këto thuhen edhe në raportin e Komisionit Evropian, ndërkaq kemi mekanizma shumë të dobët që kontrollojnë paranë publike, apo prokurimin publik dhe njëkohësisht dihet se ka shumë kontrata që janë duke u hetuar për prokurimin publik. Pra, abuzimet janë të mëdha, ndërsa kontrolli është shumë i vogël”, shprehet Mustafa.

Misioni i komunave të Kosovës është krijimi i një qeverisjeje lokale efikase, të qëndrueshme dhe demokratike.

Por, Petrit Zogaj nga Lëvizja “Fol”, tha se zyrtarë komunalë nuk e përmbushin këtë mision, pasi, sipas tij, zyrtarët lokalë e konsiderojnë veten “pashallarë” të komunave të tyre.

“Pasi në një masë të madhe, zyrtarë komunalë e konsiderojnë veten ‘pashallarë’ të komunave të tyre dhe qeverisin me një lloji kulture që nuk është aspak demokratike dhe nuk është aspak në mision të vetë komunës ose të institucioneve publike, që t’u shërbejnë qytetarëve”, theksoi Zogaj.

Sidoqoftë, niveli i lartë i korrupsionit dhe mospërmbushja e misionit në nivelet komunale, ka penguar zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe njëherësh ka dëmtuar imazhin e Kosovës karshi investitorëve të huaj, u shpreh Merita Mustafa për Radion Evropa e Lirë

“Pra, është njëri nga problemet kryesore që kemi rënie të investimeve të huaja në Kosovë. Është problemi i dytë me radhë, i pari është energjia që pengon tërheqjen e investimeve të huaja, dhe i dyti është korrupsioni që duhet të jetë një sinjal shumë alarmues për Qeverinë që të bëjë më shumë në luftimin e kësaj dukurie tejet negative”, u shpreh Mustafa.

Edhe Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, në raportet e saj, ka bërë të ditur se ka gjetur parregullsi dhe dyshime për konflikt interesi në disa komuna të Kosovës.

Ndërkaq, misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, ka kërkuar nga autoritetet kosovare që të merren me rastet e korrupsionit edhe në nivelin lokal.
XS
SM
MD
LG