Ndërlidhjet

Dialogu pushtet – opozitë, hap me rëndësi për Maqedoninë


Nikola Gruevski dhe Zoran Zaev

Nikola Gruevski dhe Zoran Zaev

Takimi i së enjtes ndërmjet kryeministrit Nikolla Gruevski dhe liderit të ri të LSDM-së opozitare, Zoran Zaev, shihet si fillim i mirë i vendosjes së dialogut politik mes pushtetit dhe opozitës, i cili deri më tani ka munguar edhe për çështjet më elementare, me të cilat është përballur Maqedonia.

Nënkryetarja e Kuvendit, Suzana Saliu, beson se pas këtij takimi do të shihen edhe rezultatet e para, fillimisht sa i përket çështjes së incidentit, që ndodhi fundvitin e kaluar në institucionin ligjvënës, që edhe shkaktoi krizën më të thellë politike në vend.

“Është një gjest i kulturës politike dhe jep optimizëm për normalizimin e dialogut politik në Maqedoni, i cili duhet të pranojmë se ishte në krizë, por për shkak të subjekteve politike maqedonase. Vlerësojmë se takimi i jep një impuls edhe përshpejtimit të formimit të komisionit, i cili duhet të fillojë sa më shpejt me punë dhe konkluzionet e tij duhet të respektohen pa marrë parasysh se cilat do të ishin ato”, thotë nënkryetarja e Kuvendit, Suzana Saliu.

Maqedonia ndodhet para çështjeve madhore që kërkojnë zgjidhje dhe takimi Gruevski-Zaev, paraqet një mundësi të mirë që dy blloqet politike të vetëdijesohen se mbi çështjet partiake ka çështje edhe më madhore, nga të cilat varet e ardhmja e qytetarëve të Maqedonisë, thotë ndërkohë analisti Nikolla Dujovski, duke komentuar takimin e kreut të ekzekutivit me liderin e ri opozitar.

“Maqedonia, gjatë këtij muaji, ndodhet para sfidave të shumta. Së pari respektimi i marrëveshjes së 1 marsit, formimi i komisionit për incidentin e 24 dhjetorit, raporti i Komisionit Evropian se do të marrim apo jo datën për fillimin e bisedimeve, e kështu me radhë. Duke marrë parasysh gjithë këto çështje, unë mendoj se pushteti dhe opozita duhet të bashkëpunojnë shumë seriozisht. Mendoj se lideri i ri i opozitës do të jetë shumë më i hapur për bashkëpunim se udhëheqësia e mëparshme e LSDM-së, e cila thuajse nuk ishte e gatshme të bashkëpunojë për asgjë”, thekson analisti politik, Dujoski.

Nga tjetër, analisti Albert Musliu thotë se në Maqedoni edhe më parë ka pasur takime me drejtues të partive politike, por ato shpeshherë janë zhvilluar vetëm sa për sy e faqe. Musliu beson që ky takim të mos ketë fatin e tillë:

“Nëse nuk është vetëm ndonjë kozmetikë e momentit e kryeministrit dhe e liderit të ri të opozitës maqedonase, pra e shoh si një moment të ri të dialogut të brendshëm, i cili gjithsesi besoj se do ta lehtësojë edhe relacionin me Greqinë, pasi ne e dimë se vite me radhë edhe relacioni me Greqinë për çështjen e emrit, ka qenë pjesë e politikës së brendshme të Maqedonisë pikërisht për shkak të mungesës së dialogut të brendshëm”.

Zoran Zaev në krye të Lidhjes Socialdemokrate u zgjidh në kongresin partiak të dielën e kaluar, duke zëvendësuar në këtë post Branko Cërvenkovskin, i cili për më shumë se 18 vjet drejtoi partinë.

Dorëheqja e tij erdhi pas disfatës së LSDM-së, në të gjitha ciklet e fundit zgjedhore si në ato presidenciale, parlamentare dhe së fundi në zgjedhjet lokale.
XS
SM
MD
LG