Ndërlidhjet

Qeveria e Serbisë duhet të flasë për të kaluarën duke u bazuar në fakte. Duhet të njohë institucionet e Kosovës. Të pranojë viktimat. Në këtë mënyrë, aktivistja Natasha Kandiq, sheh edhe normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtorja e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd thotë se detyrë shumë e vështirë, por shumë e rëndësishme do të jetë edhe hapja e urës në lumin Ibër.



RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Kandiq, Serbia dhe Kosova po bëjnë përpjekje të normalizojnë marrëdhëniet mes tyre. Duke lënë politikën anash, nga përvoja juaj, sa besoni në këtë normalizim, pa një përballje të mirëfilltë me të kaluarën?


NATASHA KANDIQ
Besoj. Besoj në këto bisedime dhe në këtë normalizim të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, sepse para kësaj nuk ka pasur asnjë ide të ngjashme. Prejse kanë nisur bisedimet në Bruksel, në nivel të lartë, në të cilat kanë marrë pjesë kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, vihen re ndryshime në realitet, në jetë…

Ato janë lëvizje të vogla, por, ajo që është më e rëndësishme, është se në media është zhdukur gjuha armiqësore, e cila është përdorur me vite. Nga të dyja palët ka vlerësim. Për herë të parë thuhet kryeministri i Kosovës. Më herët, në shtypin serb është quajtur kriminel, ka bërë këtë e këtë, ndërsa tani pranohen cilësitë e tij në këtë dialog. Ky është fillimi i ndryshimeve.

Mendoj se do të jetë një detyrë shumë e vështirë, por shumë e rëndësishme hapja e urës në Lumin Ibër. Gjatë luftës, atje kanë ndodhur gjëra të tmerrshme. Ka shumë vrasje të pazgjidhura. Edhe pas përfundimit të luftës, përreth atij lumi kanë ndodhur gjëra të rënda.

Aty ndodhet kafiteria e njohur “Dolce Vita”, prej nga janë organizuar shumë aksione, të cilat kanë qenë edhe kundër shqiptarëve, edhe kundër çdo ligji dhe për vendosjen e një jete kriminale në veri të Mitrovicës.

Por, nëse deri në fund të qershorit, kryhen disa detyra të asaj marrëveshjeje, do të jetë mirë për herë të parë dhe do të ketë një shpresë reale se do të zgjidhen çështjet. Mendoj se njohja e institucioneve të Kosovës është gjëja më e rëndësishme, pra vendosja e bashkëpunimit midis institucioneve, njohja e sistemit të drejtësisë së Kosovës, njohja e sistemit sigurisë.

Bashkëpunimi midis institucioneve do t’i ndihmojë edhe asaj që konsideroj se është më e rëndësishmja – pranimi i viktimave, pranimi i fakteve, qofshin edhe të pavërtetuara në shkallë gjyqësore, e, mbi të gjitha, ofrimi i informacioneve për varrezat masive dhe ndriçimin e fatit të më shumë se 1,700 personave.


RADIO EVROPA E LIRË
Po, opinioni publik në Serbi, nisur nga qytetarët e rëndomtë, sa është i gatshëm të përballet me këtë që flisni?


NATASHA KANDIQ
Normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës është më i rëndësishmi. Reagimet e njerëzve të thjeshtë janë të mira. Kanë pranuar edhe Marrëveshjen e Brukselit. Të gjithë kanë marrë frymë më lirshëm. Të gjithëve u është mërzitur ajo armiqësi me Kosovën. Kjo është e rëndësishme.

Por, ka edhe një pjesë të vështirë të procesit, për të cilën as qeveria e sotme nuk flet asgjë – nuk flet për atë se çfarë ka ndodhur më 1998,1999 dhe 2000 në Kosovë. Edhe kur flitet, flitet në një mënyrë politike me shumë pak fakte. Faktet janë të rëndësishme dhe për të kaluarën duhet të flasim në bazë të tyre. Të ndalojmë së foluri gënjeshtra.


RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, ku qëndron çelësi i të bindurit të Serbisë që të bëjë një debat të ndershëm për të kaluarën?


NATASHA KANDIQ
Shoqëria civile duhet të jetë promovuesja e përhershme e pajtimit, por të pajtimit në atë kuptim që të njihen viktimat, të njihen autorët… Detyrë e shoqërisë civile është që gjithmonë të sjellë të dhëna për autorët dhe të kërkojë atë debat për të kaluarën. Për aq sa të jetë e suksesshme shoqëria civile, aq do të ketë edhe debat për të kaluarën.


RADIO EVROPA E LIRË
Siç e thatë edhe ju pak më herët, janë mbi 1,700 persona që vazhdojnë të figurojnë të zhdukur që nga lufta e fundit në Kosovë. Sa ka rrezik që ata të mbesin të pagjetur edhe për shumë vite të tjera? Kam parasysh këtu paralajmërimet e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, i cili ka thënë se dhënia e informatave për të pagjeturit, është në rënie e sipër.


NATASHA KANDIQ
Kjo është e saktë. Kjo shifër nuk ka ndryshuar me vite. Mendoj se qeveria e mëparshme ka qenë krejtësisht e painteresuar për ato informacione, të cilat posedojnë institucionet shtetërore ose ato grupe në institucione që kanë qenë në pushtet më 1998 dhe 1999. Të gjitha këto informata ekzistojnë diku.

Unë dua të kem shpresë. Së fundmi është zbuluar një varrezë masive në Kroaci, pasi Serbia ka ofruar të dhëna. Fati i të pagjeturve duhet të zbulohet edhe nga ana e Serbisë, por edhe nga ana e Kosovës. Në bazë të disa të dhënave që kam nxjerrë unë, e di se ka pasur asgjësim të gjurmëve, djegie të trupave dhe kjo duhet pranuar. Ndërsa, për faktin se ka varreza masive, duhet, duhet folur.


RADIO EVROPA E LIRË
Muajin e kaluar, ish-zëvendësministri i Brendshëm i Serbisë, Vllastimir Gjorgjeviq, i cili ndodhet në burgun e Hagës, ka pranuar se ka marrë pjesë në përpjekjet për fshehjen e krimeve ndaj shqiptarëve të Kosovës, duke varrosur trupa në varrezat masivë në Serbi. Pasi ka pranuar, supozohet se mund të dijë se ku ndodhen këto varre masive…


NATASHA KANDIQ
Kjo është e saktë. Është edhe i rëndësishëm pranimi i tij. Pra, ai ka pranuar përgjegjësinë, por tjetërçka është pranimi formal - ne tani mund të vlerësojmë nëse ka qenë i sinqertë apo ka të bëjë me procedurën e ankesës. Por, nëse nuk ka veprime konkrete, që të thotë se ku ndodhen varret masive, atëherë pranimi i tij do të thotë vetëm më pak gënjeshtra.

Ata që thonë se nuk ka pasur krime në Kosovë, nuk do të kenë më hapësirë të thonë një gjë të tillë, sepse Gjorgjeviq, i cili ka qenë ndihmës i ministrit të policisë, ka pranuar përgjegjësinë për krimet. Për familjet, shoqërinë, të ardhmen është shumë e rëndësishme që pranimi i fajësisë të përcillet edhe me vepra. Në këtë rast, vepra janë ofrimi i informacioneve për varrezat masive.


RADIO EVROPA E LIRË
Po bëhen 14 vjet që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Emri juaj është i njohur në Kosovë për luftën që keni bërë në emër të atyre që s’mund të flisnin. Çfarë ju ka zemëruar, thënë kushtimisht, më së shumti në betejën tuaj deri më tash?


NATASHA KANDIQ
Kur është Kosova në pyetje, për mua ka qenë më e rëndësishmja ajo sjellja ndaj shqiptarëve të Kosovës, sjellja e institucioneve shtetërore ndaj shqiptarëve. Kur kam parë në rrugë se si njerëzit janë detyruar të lënë shtëpitë me qese, në kohën e bombardimeve të NATO-s, në kohën kur nuk ka qenë askush për t’i ndihmuar, jam ndjerë aq e turpëruar.

Nuk ka qenë askush për të parë se çfarë po u ndodh njerëzve të rëndomtë. Mendoj se ka qenë ndryshe nga lufta në Kroaci, në Bosnjë e Hercegovinë.
Kur ka qenë lufta në Kosovë më 1999, nuk ka pasur organizata ndërkombëtare, as organizata vendore. Nuk ka qenë askush për të parë se çfarë po ndodh. Dhe, ajo që ka ndodhur ka qenë e tmerrshme, ka tejkaluar përshkrimin e veprave kriminale. Civilët në Kosovë kanë paguar çmim të tmerrshëm.

  • 16x9 Image

    Valona Tela

    Si përgjegjëse për web-faqen e Radios Evropa e Lirë, ekipit në Prishtinë i është bashkuar në vitin 2007. Nga viti 2011 është redaktore emisionesh në selinë qendrore në Pragë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG