Ndërlidhjet

Protestuesit sfidojnë Erdoganin

  • RFE /RL

Stamboll

Stamboll

Demonstruesit në Stamboll po zhvillojnë edhe në fundjavë protestat anti-qeveritare, duke e sfiduar kështu kryeministrin e vendit të tyre.

Protestuesit kanë mbetur edhe të shtunën në sheshin “Taksim” të Stambollit, pavarësisht kërkesës së kryeministrit Rexhep Tajip Erdogan për një përfundim të menjëhershëm të trazirave.

Gukce Gunac është e vendosur për vazhdimin e protestave.


Përderisa nuk heqin dorë, presidenti ynë, ose kushdo qoftë, ne do të qëndrojmë këtu. Nuk e di se sa muaj a vjet do të marrë, por ne do të qëndrojmë këtu”, u shpreh ajo.

Protestat filluan një javë më parë si demonstrate paqësore kundër një projekti ndërtues në sheshin “Taksim”.

Pas një shtypjeje të dhunshme nga ana e policisë më 31 maj, protestat u rritën në një shfaqje të paparë të zemërimit publik kundër perceptimit për autoritarizëm të Erdoganit dhe partisë së tij me rrënjë islamike, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK).

Gjatë javës së kaluar, përleshjet mes protestuesve dhe policisë në Stamboll, Ankara dhe qytete të tjera kanë lënë të vdekur tre persona dhe qindra të plagosur.

Erdogan ka thënë se protestat janë ngritur mbi një “fushatë të gënjeshtrave” dhe i quajti demonstruesit “plaçkitës”.

Ai ka mbledhur lidershipin e tij të partisë të shtunën, për të diskutuar për protestat.

Erdogan të hënën ka thënë, gjithashtu, se qeveria e tij me rrënjë islamike është e hapur për “kërkesat demokratike” dhe akuzoi Bashkimin Evropian për standarde të dyfishta, pasi që BE-ja kishte kritikuar qeverinë e tij se si ka reaguar ndaj protestave.

Komisionari për Zgjerim i BE-së, Stefan Fuele, në një konferencë ndërkombëtare në Stamboll, ku mori pjesë edhe Erdogan, tha të premten se demonstratat paqësore janë “mënyra legjitime” për grupet që të shprehin pikëpamjet e tyre në një shoqëri demokratike.

Fuele kërkoi hetime mbi abuzimin policor ndaj protestuesve.

“Forca e tepruar e policisë kundër këtyre demonstruesve nuk ka vend në një demokraci. Jam i kënaqur që edhe qeveria e ka pranuar një gjë të tillë”, ka thënë Fuele duke kërkuar një hetim transparent.

Erdogan është kundërpërgjigjur duke thënë se protestat e ngjashme në vendet e BE-së do të përballeshin me ndërhyrje më të ashpër policore.

“Ne kemi përmendur disa herë dhe kemi shprehur pikëllimin tonë në lidhje me intervenimin në fillim të këtyre ngjarjeve. Ne tashmë kemi thënë se do të bëjmë atë që është e nevojshme. Ministria jonë e Brendshme është duke vazhduar punën në këtë proces. Po qe se kudo në një vend evropian do të ndërmerreshin këso lloj aktesh të dhunës dhe shkatërrimit, ata (protestuesit) do të përballeshin me intervenim edhe më të ashpër”, është shprehur ai.

Turqia ka kohë të gjatë që ka kërkuar anëtarësimin në bllokun 27 anëtarësh të BE-së, por përpjekjet e saj kanë ngecur për vite, për shkak të shqetësimeve për trajtimin e të drejtave të njeriut në Turqi.

Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e Erdoganit ka qeverisur Turqinë që nga viti 2002, duke fituar më shumë se 50 për qind në zgjedhjet e 2011-s. (a.isufi)
XS
SM
MD
LG