Ndërlidhjet

logo-print

Reflektimi i polarizimeve politike në veri


Mitrovicë

Mitrovicë

Çështja e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si dhe ndryshimet që kjo e fundit i ka bërë në strukturat koordinuese në komunat paralele në Kosovë, kanë qenë shkaqe të polarizimeve ndërmjet liderëve serbë të veriut të Kosovës, polarizime këto që janë shpërfaqur duke u bazuar në përkatësitë e tyre partiake, që janë pushtet apo opozitë në Serbi, vlerësojnë liderët e serbëve të Kosovës qendrore.

Ata thonë se këto polarizime kanë ndikuar edhe te serbët që jetojnë në jug të lumit Ibër dhe kjo tashmë është e dukshme dhe e paevitueshme.

Politikania serbe nga Graçanica, Rada Trajkoviq, deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Listës së Përbashkët Serbe, i ka thënë Radios Evropa e lirë se pakënaqësitë, të cilat po manifestohen te liderët e veriut për shkak se Beogradi zyrtar ka emëruar koordinatorët në komunat paralele nga radhët e partive që janë në pushtet në Serbi, janë bartur edhe në Kosovën qendrore, në hapësirat ku jetojnë serbët.

“Kjo zgjedhje e kuadrove, të cilat i takojnë vetëm strukturës që është në pushtet, ku ky kriter edhe është më i rëndësishmi, te serbët që jetojnë në jug të lumit Ibër, nxit situata të konfliktit dhe mosmarrëveshjeve ndërmjet strukturës në pushtet dhe asaj që është në opozitë në Beograd".

"Ndërkaq, sa u përket serbëve që janë në institucione të Kosovës, kjo varet nga orientimi i tyre. Disa janë nën ndikimin e Prishtinës dhe nuk iu intereson fare se çka ndodh ndërmjet atyre që janë pjesë e strukturës në pushtet apo asaj në opozitë në Beograd. Por, ka edhe të tillë që i përcjellin zhvillimet”
, thotë Trajkoviq.

Por, politikani serb nga Kosova qendrore, Rangjel Nojkiq, në prononcimin për Radion Evropa e Lirë thotë se shumica e serbëve që jetojnë në jug të lumit Ibër, me vëmendje po i përcjellin zhvillimet në veri të Kosovës dhe polarizimet e liderëve politikë atje.

Madje, sipas tij, edhe serbët që marrin pjesë në institucione të Kosovës tashmë e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre rreth situatës atje, por në një mënyrë, thotë Nojkiq, ata injorohen nga serbët e veriut, por edhe nga Beogradi zyrtar.

“Kur kemi të bëjmë me polarizimin, është e saktë se ajo ekziston. Është e saktë se ka edhe serbë në jug të lumit Ibër, të cilët e përkrahin atë që po e bën veriu i Kosovës. Por, marrë parasysh, në këtë çast, në përgjithësi, është shumë e qartë se ata janë pakicë e theksuar. Ata, në fakt, po i përcjellin qëndrimet e qendrave të tyre në Beograd, para së gjithash, mendoj në qendrat siç janë Partia Demokratike e Serbisë dhe Partia Radikale Serbe”, shprehet Nojkiq.

Të dy këta liderë serbë të Kosovës qendrore, vlerësojnë se vëmendja, e cila i është kushtuar veriut të Kosovës, e ka lënë nën hije vëmendjen, që sipas tyre duhet t’u kushtohet edhe serbëve në Kosovën qendrore.

Ura kryesore në Mitrovicë.

Ura kryesore në Mitrovicë.

Trajkoviq vlerëson se një gjë e tillë ka qenë e pritshme që të ndodhë kështu në këtë periudhë, për faktin se veriu i Kosovës, siç thotë ajo, ka qenë i kultivuar nga ana e Prishtinës, e Beogradit dhe e bashkësisë ndërkombëtare që të mos funksionojë në mënyrën si funksionojnë serbët në jug të lumit Ibër dhe, sipas saj, kjo ka qenë një marrëveshje e heshtur ndërmjet tri palëve.

Por, Trajkoviq vlerëson se në gjithë situatën e krijuar në veri, por edhe në pjesën tjetër të Kosovës ku jetojnë serbët, do të ndikojnë zgjedhjet lokale, të cilat janë paralajmëruar të organizohen në tetor të këtij viti nga institucionet e Kosovës.

“Një gjë e tillë mund të shihet edhe sot. Por, të jem e sinqertë, nuk e di nëse Beogradi do ta vazhdojë si më parë që në njërën anë ta pranojë planin e zbatimit të marrëveshjes dhe në anën tjetër, t’i shmanget asaj që t’i regjistrojë partitë e saj në Kosovë, sepse një gjë e tillë mbase i nevojitet për nevoja të brendshme, në kuptimin e mundësisë së zgjedhjeve të reja në pjesën e mbetur të Serbisë".

"Unë po shoh se në Kosovë , në vend se të bëhet një listë e përbashkët e serbëve, po bëhen kombinime të ndryshme, të cilat të gjitha ndikojnë që të realizohet një ndarje e elektoratit serb të Kosovës”, thekson Trajkoviq.

Nojkiq shpreh mendimin se situata do të ndryshojë dhe do të jetë shumë më e qartë pas zgjedhjeve lokale në Kosovë, e sidomos pas zgjedhjeve të përgjithshme, nëse ato mbahen vitin e ardhshëm.

Sipas tij, Beogradi do t’i sinjalizojë serbët e Kosovës që të dalin në mënyrë masive në zgjedhje lokale dhe për atë se cili është opsioni që e mbështet.

Në këtë mënyrë, vlerëson Nojkiq, do të ndryshojë struktura e të zgjedhurve për qeveritë lokale dhe se nuk do ta ketë më monopolin vetëm Partia e Pavarur Liberale, e cila aktualisht merr pjesë në pushtet në Kosovë, por edhe subjektet që do ta kenë përkrahjen e Beogradit në këto zgjedhje.

“Mendoj se në këtë kuptim kjo do të reflektojë edhe në veri të Kosovës dhe se veriu do ta ketë një qëndrim krejtësisht tjetër, ose pjesa më e madhe e popullatës atje do ta kuptojë esencën e pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale. Në këtë mënyrë, dalëngadalë, ajo pjesë e serbëve që e kundërshtojnë marrëveshjen e Brukselit, do të jenë pakicë”, përfundon Nojkiq.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG