Ndërlidhjet

VOX

Kafeteria, vendi ku rinia kalon kohën e lirë


Ilustrim

Ilustrim



Kosova është një vend, i cili ofron mundësi për të rinjtë për të kaluar kohën e lirë si muzetë, galeritë, objektet e trashëgimisë historike dhe kulturore, teatrot e kinemaja.

Por, pavarësisht këtyre mundësive, të cilat i ofron ky vend, të rinjtë në Kosovë në të shumtën e rasateve kohën e lirë e kalojnë në kafeteri. Këtë e bëjnë siç thonë atë për shkak të mungesës së alternativave, por edhe pse mungon iniciativa e të rinjve për t’u marrë me ndonjë aktivitet tjetër.

Në rubrikën e përjavshme VOX të Radios Evropa e Lirë, sjellim mendimet e të rinjve se ku më së shumti ata e përqendrojnë kohën e lirë.

Elhame Zenuni është nxënëse e shkollës së mesme në Prishtinë. Ajo tregon se e tërë shoqëria e saj kohën e lirë e kalojnë në një kafeterinë, e cila gjendet afër shkollës ku ata vijojnë mësimet.

“E tërë shoqëria ime bëhemi bashkë kur kemi kohë të lirë dhe shkojmë në një kafeteri afër shkollës. Aty e kalojmë kohën e lirë, kjo është zgjedhja jonë”, thotë ajo.

Jeton Reçica 20 vjeç nga Prishtina, thotë se nuk ka shumë kohë të lirë, pasi që ka angazhime të mëdha rreth studimeve të tij. Megjithatë, atë pak kohë të lirë që e ka, zakonisht e shfrytëzon duke dalë me shoqëri dhe atë në baret e kryeqytetit, duke mos harruar edhe përdorimin e rrjeteve sociale si Facebook-u.

“Kohën e lirë dal me shoqëri. E përdori facebook-un, ka portale të mira, ku mund të lexosh lajme të ndryshme si sport kulturë etj”, thotë Jetoni.

Rrjetet sociale për të kaluar kohën e lirë janë të pëlqyera edhe për Agon Berishën, student i Fakultetit Juridik:

“Atë pak kohë të lirë që e kam, e kaloj në rrjetet sociale. Dalim me shokë në kafeteri të ndryshme të Prishtinës. Kafeteri ka shumë, nuk mungojnë në Prishtinë”.

Koha e lirë, e cila konsiderohet të jetë pjesë e kohës që disponon individi jashtë kohës së obligimeve të tij profesionale me qëllim të pushimit, argëtimit është kohë e domosdoshme për çdo njeri.

Shfrytëzimi i mirë i kohës së lirë nga një person do të ishte një relaksim për të dhe mundësi e mirë që më pas të merret me punën e tij profesionale. Por, a mund të jetë relaksim që koha e lirë të shfrytëzohet në kafeteri?

Fatbardha Simnica mendon se nuk është mënyra më e mirë për t'u relaksuar kalimi i kohës së lirë nëpër lokale.

Sipas saj, në kafeteritë në Prishtinë ka aq shumë zhurmë dhe tollovi sa që në asnjë mënyrë nuk mund të ndihesh mirë aty. Ajo thotë se mënyra më e mirë për ta kaluar kohën e lirë është natyra.

“Kohën e lirë e kaloj në natyrë. Në veçanti shkojmë në Parkun e qytetit dhe në Gërmi. Atje shkojmë bashkë me shoqëri dhe është një relaksim për të gjithë ne. Shumë më mirë se sa të rrish në kafeteri”, vlerëson Fatbardha.

Ngjashëm mendon edhe Adelina Raçi:

“Natyrën e preferoj për të kaluar kohën e lirë. Ajri i freskët i parqeve në Prishtinë të ofron pushim. Ka vende të mira ku mund të kalosh pak kohë të lirë kur ke dhe shumë më mirë se sa në kafeteri”.

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, njihet si një nga vendet me restorante dhe bare të shumta. Gati në çdo pjesë të qytetit të Prishtinës ka lokale, të cilat frekuentohen shumë nga të rinjtë. Llogaritet se vetëm në kryeqytet janë rreth 400 kafeteri.

Të rinjtë e moshës nën 37 vjet, përbëjnë 70 përqindëshin e popullatës së përgjithshme të Kosovës.

Shpëtim Preniqi është student. Ai thotë se nuk ka shumë kohë të lirë pasi që tani është i angazhuar me provimet e qershorit në fakultet.

“Nuk kam shumë kohë të lirë, por atë kohë që e kam e kaloj me shoqëri nëpër kafeteri. Është koha e provimeve në fakultet dhe më shumë duhet të mësoj. Por, përveç kafeterive, ndonjëherë kur kemi kohë të lirë shkojmë edhe në ndonjë fushë sportive”, shprehet Shpëtimi.

Edhe Artan Gashi është student dhe thotë se nuk ka shumë kohë të lirë, por që atë kohë që e ka, e kalon me shokë.

“Tash ka provime, jemi duke mësuar, por kohën e lirë e kalojmë në ndonjë fushë sportive. Ne jemi të kënaqur me atë çka ofron Prishtina”, pohon Artani.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG