Ndërlidhjet

Tifozët e ekipeve rivale bashkohen në protestat anti-qeveritare


Tifozët në protesta

Tifozët në protesta

Glenn Kates

Nuk kanë mbetur shumë tulla në trotuar në rrugën "Gazhane Bostani", por një numër i vogël i tifozëve të futbollit, po sigurohen që asnjëra të mos shkojë bosh.

Ata i marrin ato nga toka dhe i hedhin mbi njërën prej barrikadave të bëra vetë, që synon parandalimin e policisë - dhe topave të tyre të ujit – që t’i afrohen Sheshit "Taksim", i cili gjendet vetëm disa blloqe larg.

Përplasjet me autoritetet nuk janë një fenomen i ri për tifozët e tri ekipeve më të njohura të futbollit në Turqi. Por, imazhi i tyre duke u bërë bashkë kundër një armiku të përbashkët, është befasues për dikë që e ka ndjekur botën e pamëshirshme të tifozërisë së futbollit turk.

Në mbrëmjen e 8 qershorit, ata udhëhoqën demonstratat masive deri në Sheshin "Taksim". Ata u bashkuan me forcat 10 ditë më parë për të ndihmuar protestuesit në një betejë me policinë, që filloi si kundërshtim ndaj një projekti ndërtimi në shesh, por që u shndërrua në lëvizje masive kundër kryeministrit Rexhep Tajip Erdogan.

Skena në "Gazhane Bostani" është bërë një skenë e lëvizjes së protestës. Këtu, tifozët e Beshiktashit dhe Fenerbahçse punojnë së bashku drejt një qëllimi të përbashkët.

“Ne besojmë se Turqia është shtet diktatorial dhe se liritë tona janë të kufizuara. Kjo është arsyeja se për ardhmërinë, për një shtet të lirë, ne heqim dorë nga dallimet e ngjyrave (të ekipeve). Ne po përpiqemi që të bëjmë diçka së bashku”, thotë Said Burak, një tifoz 24 - vjeçar i Beshiktashit.

Rivaliteti vicioz mes tri ekipeve daton që nga fillimi i viteve të ’80-ta, kur tifozët e Beshiktashit nga një lagje e klasës punëtore krijuan klubin e tifozëve Carsi. Beteja mbi çështjet se cila pjesë e stadiumit i përkiste tifozëve të ekipeve përkatëse u bart edhe në rrugë.

Tifozët...

Tifozët...

Në vitin 2011 një artikull i revistës “New Yorker”, tha se armiqësia arriti kulmin, kur në vitin 1991, një përkrahës i Beshiktashit u rrah për vdekje nga një turmë e tifozëve të ekipit Galatasaraj.

Më pas, ekipet - Beshiktash, pranë Sheshit "Taksim", Fenerbahçe, në anën aziatike të Stambollit, dhe Galatasaray, ekipi më i suksesshëm i Turqisë, që ndodhet në rrethin Sisli në anën evropiane – u pajtuan për një armëpushim, por armiqësia mbeti dhe lufta vazhdoi.

Cetin Cem Jilmaz, redaktor sportiv në “Hurriyet Daily News”, tha se klima e futbollit në Turqi para protestave, kishte arritur pikën më të ulët dhe nuk tregonte shenja të përmirësimit.

Gjatë një ndeshjeje në mes të muajit majit, Didier Drogba, sulmuesi i Galatasaray nga Bregu i Fildishtë, u tall me këngë raciste nga mbështetësit e Fenerbahçes.

Më pas, një tifoz i Fenerbahçes, Burak Yildrim, u godit me thikë për vdekje nga dy persona të veshur me ndërresat e Galatasarajit.

"Muajin e kaluar ishte me të vërtetë e shëmtuar, dhe po bëhej gjithnjë e më e shëmtuar”, u shpreh Jilmaz.

Por, ai thotë se bashkimi i kohëve të fundit, edhe pse i papritur, duket se ka ndodhur organikisht.

Kur u përhap lajmi se policia po ndërhynte ndaj protestuesve në Sheshin "Taksim" më 31 maj, klubet e tifozëve nga secili ekip njoftuan në rrjetet sociale se do të mblidhen për të mbështetur protestuesit. Kur përleshjet lëvizën nga sheshi për në Beshiktash, tri klubet e tifozëve papritmas e gjetën veten duke luftuar në anën e njëjtë - të gjithë duke u përpjekur për të mbrojtur zemrën e Beshiktasshit.

Të tri klubet e bënë një pakt të menjëhershëm uniteti.

“Beshiktas, Galatasaray dhe Fenerbahçe në Taksim së bashku,” shkruajti në Twitter Galatasaray. “Ne sot jemi një zemër”.
(LINK: https://twitter.com/MuratOfficiall_/status/340452173789937664)

Sheshi Taksim

Sheshi Taksim

Në Sheshin "Taksim", ku atmosfera është më festive sesa në rrugët e fortifikuara të Stambollit, Amik Kemal Bora Gomulleroglu, një tifoz që e përshkruan veten si fanatik i Galatasarajit, thotë se është krenar për unitetin e ri.

“Nuk kam parë kurrë një gjë të tillë- të gjitha ekipet u bashkuan për shkak të një ideje kryesore. Ne po humbim të drejtat tona dhe nuk ka shansë ta thotë dikush më zëshëm këtë gjë”, u shpreh ai.

Nga klubet e futbollit, vetëm Beshiktashi ka një histori të gjatë të aktivizmit politik. Ai kryesisht ka një prirje të dallueshme të majtë. Në logon e grupit të tij mbështetës, Carsi, shkronja “A” paraqitet me simbolin e njëjtë që përdoret për anarki.

Disa tifozë nga klube të ndryshme të cilët folën për shwrbimin e Radios Evropa e Lirë thanë se frikësohen se trashëgimia laike e Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Turqisë moderne, i cili është nderuar nga shumë njerëz këtu, rrezikohet nga Erdogani, i cili kryeson partinë islamike për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP).

Një grup i tifozëve të Fenerbahçes shprehën ndjenjat e tyre nacionaliste, duke kritikuar Erdoganin për përpjekjen për të negociuar një marrëveshje paqeje me partinë separatiste të Punëtorëve të Kurdistanit.

“Turqia është për turqit”, ka thënë njëri tifoz.

Pavarësisht nga motivet politike, tifozët e secilit ekip thonë se janë duke shijuar shoqërinë e rigjetur.(a.isufi)
XS
SM
MD
LG