Ndërlidhjet

Vulin: S'ka shpërbërje të strukturave në veri pa ligjin për amnisti


Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin ka thënë se nuk do të ketë shpërbërje të strukturave paralele të drejtësisë dhe policisë në veri të Kosovës, derisa nuk krijohen parakushtet për këtë gjë, transmetojnë mediat serbe.

Ai ka thënë se ndër parakushtet kryesore është ligji për aministinë.

Vulin ka reaguar kështu ndaj deklaratës që zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri dha për Radion Evropa e Lirë, ku theksoi se në shtator do të shuhen strukturat paralele serbe në veri të Kosovës.

Vulin ka thënë se para se të ndalen së funksionuari strukturat serbe, duhet të krijohet një rrjet i ri i gjyqësisë dhe një polici e re.

“Për t’u realizuar kjo, duhet të miratohet ligji për amnisti, sipas të cilit serbët në Kosovë nuk do të arrestohen dhe burgosen për shkak se janë në anën e shtetit të tyre dhe njohin ligjet dhe organet e tij. Ligji për amninstinë është parakusht i të gjithave”, ka thënë ai.

Kosova dhe Serbia kanë arritur në muajin prill marrëveshje për normalizimin e raporteve.

Tani, ekipet e zbatimit nga të dy palët, po diskutojnë në Bruksel jetësimin e saj, dhe në këtë kuadër pritet të zgjidhet edhe problemi i veriut të Kosovës, në të cilin Prishtina nuk e ka të shtrirë autoritetin e saj.
XS
SM
MD
LG