Ndërlidhjet

Biden: Të zbatohet marrëveshja


Uashington, 10 qershor 2013
Uashington, 10 qershor 2013
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur në Shtëpinë e Bardhë nga zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Zyrtari amerikan ka riafirmuar "partneritetin e ngushtë të SHBA-së me Kosovën, si dhe mbështetjen e palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të saj".

Siç bën të ditur Shtëpia e Bardhë, zoti Biden ka lavdëruar udhëheqjen dhe kurajën politike, të demonstruar nga kryeministri Thaçi dhe Qeveria e Kosovës në arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Zëvendëspresidenti ka nënvizuar rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të marrëveshjes, për të shfrytëzuar këtë mundësi historike për të siguruar paqe dhe prosperitet për popullin e Kosovës dhe të Serbisë, si dhe për të avancuar aspiratat evropiane të të dyja vendeve”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Po sipas tij, Biden ka përsëritur se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah Kosovës si partnerë dhe miq dhe besojnë në thellimin e mëtejshëm të partneritetit.

Kryeministri Thaçi, nga ana e tij, ka thënë se marrëveshja me Serbinë nuk është fundi i normalizimit, por fillimi i tij, ndërsa tani “fjalë kyçe është implementimi i plotë i saj”.

“Pa përkrahjen e SHBA-së, kjo marrëveshje nuk do të ishte e mundur. Garancitë dhe qëndrimet e SHBA-së kanë qenë vendimtare”, citohet të ketë thënë kryeministri Thaçi.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë në Uashington, ai ka thënë se Serbia është duke bërë përpjekje për të vonuar procesin e zbatimit, por është shprehur optimist se grupet teknike të të dyja vendeve do të arrijnë pajtim dhe se implementimi do të nisë sa më parë që të jetë e mundur.

”Ka tendenca të zhargitjes, por jam i bindur që implementimi do të ndodhë. Është një proces i pakthyeshëm, i pandalshëm dhe jetik”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, ky proces mund të sjellë lirinë e lëvizjes, shpërbërjen e strukturave paralele, ligjin dhe rendin, instalimin e policisë së Kosovës dhe po ashtu mjedisin për mbajtjen e zgjedhjeve të lira lokale në tetor të këtij viti.

Duke pranuar se marrëveshja ka kundërshtarët e saj në Serbi dhe Kosovë, Thaçi ka thënë se ajo është marrëveshja më e mirë në këtë moment midis dy vendeve.

“Në marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë, nuk ka humbës, ka fitues; fitues janë Kosova, Serbia, rajoni, investimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian. Unë i kuptoj zërat kritikë. Marrëveshja nuk është populiste në kuptimin elektoral. Është marrëveshja më e mirë e mundshme për momentin në mes të dy shteteve tona, për normalizimin e marrëdhënieve, për të ecur përpara, për të lëvizur drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, ka thënë Thaçi për Radion Evropa e Lirë.

Marrëveshja e 19 prillit u siguron serbëve në veri përgjegjësi në fushën e policisë dhe të gjyqësisë. Nga vendet e Perëndimit është konsideruar si hap para i Kosovës dhe i Serbisë drejt integrimit evropian. (v.tela)
XS
SM
MD
LG