Ndërlidhjet

Së shpejti, veturat pa vozitës

  • RFE /RL

Vetura pa vozitës

Vetura pa vozitës

Imagjinoni se jeni duke qëndruar në një rrugë dhe duhet të shkoni në shtëpi. E shkruani destinacionin tuaj në një aplikacion në telefonin tuaj, një automjet vjen pak momente më vonë, ju hyni aty, dhe automjeti rrëshqet në korsinë e makinës –sikurse në çdo udhëtim taksie.

Dallimi është se askush nuk është duke e ngarë këtë automjet.

Kjo mund të tingëllojë si fantashkencë. Por, ritmi i shpejtë i inovacionit në industrinë e automobilave e ka kthyer këtë skenar në një mundësi në një të ardhme jo edhe aq të largët.

Ardhja e automjeteve autonome pritet të sjellë një ndryshim revolucionar që potencialisht do të na shpëtojë kohë dhe karburant, do të parandalojë aksidentet, do të transformojë planifikimin urban dhe do të përmirësojë lëvizjen e njerëzve të vjetër, invalidëve ose të dehurve.

Gjithashtu mund të ndihmojë për të lehtësuar bllokadat, duke hequr faktorin kryesor që shkakton bllokime të trafikut - vendimet e shumëfishta të ngasësve që marrin në lidhje me shpejtësinë, distancën e sigurt e kohën se kur do të lëvizë ose të bëjë një kthesë.

Larry Page, shefi ekzekutiv i kompanisë Google, një nga kompanitë më të mëdha që punon në vetë-drejtimin e makinës, në muajin e kaluar çmoi vlerat e kësaj teknologjie:

“Paramendoni se si automjetet që vetë-drejtohen do të ndryshojnë jetën dhe peizazhin tonë: më shumë hapësirë të gjelbër, më pak parking, lëvizje më të madhe, më pak aksidente, më shumë liri, më pak orë të tretura pas timonit të një makine. Amerikani mesatar ndoshta shpenzon gati 50 minuta duke drejtuar automjetin. Paramendoni nëse mund ta rifitoni tërë atë kohë për gjëra të tjera”, shprehet Page.

Revolucioni është tashmë në proces, ndërsa në automjetet e reja po vendosen sistemet automatike të vetë-drejtimit të makinave.

Kontrolli i kompjuterizuar i drejtimit të makinës, përshpejtimi dhe frenimi është bërë i mundur në sajë të sistemeve të mbajtjes në korsi, të kontrollit të përshtatur të rrugës, të sistemit të vetë-parkimit dhe të sistemit të navigimit satelitor.

Që një makinë të jetë plotësisht autonome, këto sisteme duhet të jenë të lidhura së bashku duke përdorur softuerë, dhe të plotësohen me një kombinim të censorëve, që përfshijnë kamera, radarë, dhe lidar- një laser që punon si radar.

Këto instrumente informojnë softuerin rreth asaj që po ndodh rreth automjetit, duke e lejuar atë që të hartojë karakteristikat e afërta, kthesat e befasishme, shenjat në korsi, që të lexojë shenjat e trafikut dhe semaforët si dhe të identifikojë këmbësorët.

Për t'u siguruar në përgjithësi, ekziston bindja e përgjithshme se automjeti duhet të jetë gjithashtu në gjendje që të bashkëveprojë me automjetet e tjera.

Richard Wallace, drejtor për sistemin analitik të transportit në Qendrën për Kërkime Automobilistike në Ann Arbor, Michigan, tregon se çka është e nevojshme, për shembull, për kryqëzimet e ardhshme:

“Nëse gjendeni në një mjedis të ngushtë urban, radarët dhe sistemet optike nuk punojnë rreth qosheve. Pra, keni ndërtesa dhe udhëkryqe, që bllokojnë pamjen e këndit 90 shkallësh dhe do të ketë përplasje, gjithnjë duke mos qenë edhe radio komunikimi pjesë e tablos së përgjithshme”, shprehet Wallace.

Prototipët e automjeteve që vetë-drejtohen janë zhvilluar, por ekspertët presin që të marrë më shumë se një dekadë para se të jenë në dispozicion për publikun.

Google thotë se prototipët vetë-komandues që janë testuar kanë kaluar deri në 700 mijë kilometra pa pësuar ndonjë incident.

Muajin e kaluar, Mercedes-Benz paraqiti teknologjinë e “ngasësit virtual” në automjetin në vlerë prej 100 mijë dollarësh, S-Class - një makinë për të cilën kompania gjermane thotë se është e aftë që të vetëdrejtohet në trafikun e qytetit në një shpejtësi prej 200 kilometrash në orë – gjithnjë duke pasur parasysh se po drejtohet në një autostradë me kushte të favorshme.

Universiteti Oxford i Britanisë, ndërkohë, është duke punuar në zhvillimin e një automjeti të vetë-komanduar, që kontrollohet nga iPadi i Apple.

Futuristi Thomas Frey është drejtor i Institutit DaVinci në shtetin amerikan të Kolorados. Ai thotë se automjetet pa vozitës do të jenë po aq “revolucionarë sa edhe vetë futja e automobilave, sepse thjesht do të ndryshojnë pothuajse çdo aspekt të industrisë.”

Në vend që të synohet të shiten sa më shumë automjete, ai parashikon se industria do të mbledhë fitimet nga faturimi i përdoruesve për kilometrat e kaluara.

“Ju nuk keni nevojë ta zotëroni automjetin tuaj. Pra, do të jetë si një shërbim taksie, por ju s’keni nevojë të paguani për shoferin. Sot, shumica e makinave tona rrinë në garazhe, parkingje, ndoshta në 97 për qind të kohës".

"Pra, ne kemi atë që unë e quaj ‘mentalitetin, në rast se’, pra ne i kemi këto automjete në rast se na duhen. Nëse automjetet do të jenë të gatshme, në momentin që ju shtypni në smartphone-in tuaj, ne bëjmë një tranzicion në ‘mentalitetin, tamam me kohë’, pra do të mund t’i kemi këto automjete sa herë që të kemi nevojë për to, tamam në kohën kur na duhen”, thotë Frey.

Por, ekspertët thonë se shoferët e rregullt do të duhet të presin miratimin e ligjeve për t’iu përshtatur teknologjisë dhe adresimit të çështjeve si sigurimit dhe përgjegjësisë së shoferëve.

Në Shtetet e Bashkuara, ku tri shtete kanë legalizuar përdorimin e automjeteve autonome, zyrtarët federalë të sigurisë kanë bërë deklaratën e tyre të parë formale mbi automjetet e tilla në muajin e kaluar.

Në një rekomandim joobligativ për shtetet, Departamenti i Transportit ka këshilluar që automjetet pa shoferë ende nuk duhet të lejohen, përveç se për testim, duke thënë se teknologjia nuk ka demonstruar aftësinë e nevojshme të sigurisë.

Sugjerimet e tjera përfshijnë kërkesën që shoferët të marrin leje të veçanta për të vepruar me automjetet pa shoferë dhe automjeti të ketë një buton, që lehtë mund t’ia kalojë kontrollin shoferit.(a.isufi)
XS
SM
MD
LG