Ndërlidhjet

"Bebe-revolucioni" bashkon serbët, myslimanët e kroatët në Bosnjë


Protesta në Sarajevë
Protesta në Sarajevë
Si rrallë herë që mund të jetë parë në Bosnjën e pasluftës, myslimanët, serbët dhe kroatët i kanë bashkuar forcat për t’i thënë politikave nacionaliste të qeverisë se po i rrezikojnë qytetarët më të dobët.

Çdo ditë që nga java e kaluar, mijëra protestues janë mbledhur në mesditë para parlamentit në Sarajevë, duke iu kërkuar ligjvënësve që të lënë anash fiksimet etnike dhe të adresojnë një hendek ligjor që për muaj të tërë i ka lënë foshnjat boshnjake pa numra amzë ose qasje në kujdesin shëndetësor.

I ashtuquajturi “bebe-revolucioni” është bërë i famshëm, jo vetëm për pjesëmarrjen e madhe, por edhe për diversitetin.

Në rajonin e fragmentuar, ku serbët rrallë e shohin drejt në sy një kroat apo mysliman, protesta e Sarajevës ka fituar mbështetje befasuese në zonat serbe, përfshirë edhe Banja Llukën, kryeqytetin e entitetit serb, Republika Srpskës, si dhe nga qytete tjera të Serbisë si Novi Sad e Beograd.

Milenko Kindl, një banor i Banja Llukës, ka udhëtuar nga entiteti serb me 20 nga miqtë e tij për të marrë pjesë në një tubim në Sarajevë.

Kemi ardhur këtu për të shprehur mbështetjen tonë për qytetarët e Sarajevës në luftën e tyre për të ruajtur barazinë dhe shtetin. Jemi këtu për të treguar se disa politikanë nga Republika Srpska gënjejnë kur thonë se ne serbët nuk ndjehemi të sigurt në Sarajevë, sepse siç e shihni, unë jam këtu me kolegët e mi nga Banja Lluka dhe secili na ka përshëndetur si të ishim një familje”, u shpreh ai.

Grupet etnike të Bosnjes, në raste të rralla janë bërë bashkë në protestat e kaluara, për të kërkuar kompensimin e veteranëve dhe për të përmirësuar kushtet e studentëve.

Por, demonstratat e tashme kanë dëshmuar në veçanti unitetin në mes të boshnjakëve të rëndomtë, frustrimet e të cilëve janë rritur shumë, derisa ligjvënësit po përsërisin kalkulimet politike dhe etnike për të bllokuar një ligj mbi numrat personalë të identifikimit, një formë thelbësore e identifikimit pa të cilën foshnjat boshnjake nuk mund të kualifikohen për sigurim shëndetësor ose pasaporta.

Ligjvënësit nga entiteti serb kanë argumentuar se numrat duhet të përmbajnë një kod të veçantë ku do të përcaktohej nëse foshnjat kanë lindur në Republikën Sprska, apo në entitetet tjera politike të Bosnjës, Federatën Myslimano-Kroate.

Ligjvënësit kroatë dhe myslimanë e kanë kundërshtuar propozimin serb.

Ngërçet e tilla janë të rëndomta në Bosnje, derisa sistemi politik i pasluftës bazohet në një aranzhim kompleks të ndarjes së pushteteve në mes të serbëve, kroatëve dhe myslimanëve.

Secili nga entitetet qeveriset nga një president, qeveri dhe parlament, e Bosnja si e tërë qeveriset nga qeveria e parlamenti i përbashkët dhe ka presidencën trepalëshe.

Kritikët kanë fajësuar këtë formë qeverisjeje, për të cilën thonë se e ka paralizuar Bosnjën.

Mediat raportuan se fundi se një foshnje e sëmurë rëndë nuk ka mundur të udhëtojë jashtë vendit për të marrë trajtime, për shkak se nuk ka numër identifikimi, çka edhe ka nxitur protestat, që tashmë kanë nisur të quhen “bebe-revolucioni”.

Një protestues, që shoqërohej nga biri i tij i vogël, Xhani, tha se ka dalë në protesta nga mendimi se të qenët prind nuk mund t’i ndihmojë fëmijës së sëmurë.

“Ne nuk jemi budallenj. Imagjinoni dy prindër të rinj me një fëmijë të sëmurë, mos e dhëntë Zoti, dhe të mos mund të marrësh trajtim, sepse fëmija nuk ka numër personal ose sigurim shëndetësor për ta kontrolluar te mjeku. Dhe e tëra kjo po ndodh, sepse dikush ulur këtu në këtë ndërtesë mendon mënyrat se si të na ndajë”, shprehet ai.

Protestuesit thonë se nuk do të braktisin protestat nga parlamenti derisa që të miratohet ligji dhe parlamentarët janë pajtuar që të krijojnë një fond shtetëror për fëmijën e sëmurë rëndë.

Ligjvënësit fitojnë gjashtë herë më shumë sesa që është rroga mesatare, dhe kjo ka nxitur protetsuesit që të kërkojnë nga ta të financojnë fondin me 30 për qind të pagës së tyre.

Ligjvënësit fillimisht kanë kërkuar që qetësojnë protestuesit duke shkuar përmes një serie të reformave parlamentare.

Por, Zdravko Grebo, një profesor i drejtësisë në Sarajevë, thotë se protestuesit kanë refuzuar fuqishëm që të shfrytëzohen sërish.

Ata refuzojnë që të ketë lider, ata nuk e lejojnë askënd që të marrë frymë. Jam i kënaqur që shumë kaq shumë njerëz këtu. Ata përfundimisht e kuptojnë se fati i tyre, dhe fati i vendit tonë është në duart e tyre”, u shpreh Grebo.

Bebe-revolucioni ka inspiruar një ngazëllim të caktuar te boshnjakët, shumë nga të cilët nuk kanë dalë në demonstrata publike që para lufte.

Qindra protestues kanë vërshuar në Sarajevë nga qytete boshnjake si Mostar, Zenicë dhe Gorazhdë.

Studentët dhe pensionistët u janë bashkuar demonstratave gjithashtu.

Damir Imamoviq, një muzikant i njohur boshnjak, thotë se shumë qytetarë- të rraskapitur nga papunësia dhe ngërçi qeveritar, thjesht po ju kërkojnë ligjvënësve që ta bëjnë punën e tyre e jo të fshihen pas ndasive politike.

Ne treguam se jemi në gjendje që të kapërcejmë përpjekjet e politikanëve që të tjerrin zërin për të njëmiliontën herë në emër të qytetarëve, për të zhvendosur fajin dhe për të interpretuar gjithçka si tepri nacionaliste. Unë po marrë thirrje telefonike nga shokët në Paris, Uashington, Skandinavi, nga mediat. Ata më pyesin pareshtur ‘A është kjo e vërtetë?”, shprehet ai.(a.isufi)
XS
SM
MD
LG