Ndërlidhjet

Fushata elektorale në Iran shënoi ditën e fundit të mërkurën.

Derisa kandidatët mbajtën fjalimet e fundit para zgjedhjeve presidenciale të 14 qershorit, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, iu kërkoi qytetarëve më të drejtë vote, që të marrin pjesë në mënyrë masive dhe të tregojnë mbështetjen për vendin e tyre.

Por, në një sistem politik, ku lideri suprem, e jo presidenti, merr vendimet finale, përfshirë edhe komandimin e ushtrisë, a ka me të vërtetë rëndësi se kush fiton?

Kjo çështje është komplikuar sepse republika islamike është e përcaktuar që të balancojë dy llojet e qeverisjes: teokracinë dhe demokracinë. Nën këtë sistem, lideri suprem fetar, mbikëqyr zyrën e presidentit dhe përfaqëson vullnetin e popullit.

Joanna Paraszczuk, redaktore në EA World View, një ueb faqe e specializuar për Iranin, tha se presidenti ka “liri veprimi brenda parametrave të liderit suprem”.

Kjo liri veprimi përfshin emërimin e zyrtarëve kryesorë të administratës, inicimin e programeve vendore ekonomike dhe përfaqësimin e Iranit para pjesës tjetër të botës.

Por, ai nuk ka autoritet që të kundërshtojë politikat e vetë Khameneit, edhe kur ka të bëjë me problemin më të madh të Iranit, siç është ekonomia e goditur nga sanksionet.

“Presidenti i ri do të merret me detyrat më të pamundura për të rregulluar ekonominë brenda parametrave të sanksioneve të rritura të Perëndimit. Me të vërtetë nuk ka rëndësi se çfarë plane ka ndërmend, ai edhe më tej do të ketë problem të përballet, se nuk do të mund të fajësojë askënd për sanksione, sepse kjo është kundër vijës së liderit suprem, që është se sanksionet nuk prekin asgjë dhe se rezistenca ekonomike po funksionon”, shprehet ajo.

Khameni publikisht ka fajësuar për papunësinë e lartë dhe inflacionin presidentin Mahmud Ahmadinejad për keqmenaxhim. Gjatë dy mandateve të tij, ai në mënyrë të hapur është grindur me anëtarët e kampit të Khameneit dhe është ndëshkuar kur pa se i zgjedhuri i tij për ta trashëguar në zyrën e tij, Esfandiar Rahim Mashaie, është penguar që të marrë pjesë në garën presidenciale.

Por, nëse presidenti i ardhshëm duhet të pretendojë se ekonomia nuk po vuan nga sanksionet, por, disi është duke funksionuar, ai duket se do të ketë edhe më pak liri veprimi kur bëhet fjalë për politikën e jashtme.

Kjo, për shkak se sfida më e madhe e politikës së jashtme sot është programi bërthamor, një çështje e menaxhuar direkt nga Khamenei.

Në fushatën për zgjedhjet, theksi në debatin e kandidatëve u vu në ‘luftën’ direkte në mes të dy kandidatëve presidencialë me përvojë si negociatorë bërthamorë.

Njëri, Said Jalili, negociatori kryesor bërthamor i Iranit dhe tjetri Hasan Rohani, negociatori iranian nën ish presidentin Mohammad Khatami.

Rohani, që njëherë u pajtua në negociata që Teherani të suspendojë pasurimin e uraniumit, publikisht ka kritikuar qasjen e pakompromis të Jalilit për vendosjen e Iranit nën sanksionet ndëshkuese. Por, Paraszczuk thotë se është e diskutueshme nëse Rohani do të mund të ndryshonte qëndrimin aktual negociues të Iranit, po që se do të zgjidhej.

Ajo që Rohani ka bërë është që të thotë se është i gatshëm që të hapë më shumë negociata direkte me SHBA-në, të cilën gjë Jalili e ka kundërshtuar fuqishëm. Andaj, nëse zgjidhet Rohani, mendoj se do të mund të shohim një ndryshim në hapjen më të madhe drejt Perëndimit. Por, përfundimisht, lideri suprem do ta ketë veton përfundimtare dhe nuk mendoj se ai dëshiron që të lëvizë drejt këtyre negociatave”, shprehet Rohani.

Një çështje e vazhdueshme në zgjedhjet e së premtes është se sa iranianët besojnë se vota e tyre ka rëndësi të hidhet në kutitë e votimit.

Për besnikët e establishmentit teokratik, përgjigja është e lehtë. Ata do të votojnë për njërin nga pesë kandidatët e mbetur konservativë, sepse duke bërë kështu, shprehin lojalitetin ndaj liderit suprem dhe sistemin që dominohet nga ai.

Por, për ata që vlerësojnë identitetin e Iranit si një republikë, përgjigja është më e vështirë. Paraszczuk thotë se ata së pari duhet të vendosin nëse mendojnë se zgjedhjet do të jenë korrekte.

“Ka pasur mjaft sondazhe të opinionit në Iran, dhe edhe pse ato nuk janë në veçanti të besueshme sa i përket metodologjisë, një gjë kryesore që ka dalë nga to është se rreth 60 për qind e iranianëve nuk kanë vendosur ende se për kë të votojnë. Ata do ta lënë këtë vendim deri në minutën e fundit dhe kjo jep indikacione për një nivel apatie. Njerëzit që nuk duan të shkojnë të votojnë duket se do të jenë reformistët dhe të moderuarit, sepse ata mendojnë se ndoshta zgjedhjet do të manipulohen dhe nuk ka rëndësi në votuan apo jo”, shprehet ajo.

Këta votues që hezitojnë duhet të vendosin nëse do të mblidhen pas të vetmit kandidat, që mbështetet nga reformistët - Rohani - dhe nëse, ai fiton, a do të përfaqësojë apo jo, të paktën disa nga pikëpamjet e tyre.

Shpresa e tyre e vetme në të dy rastet është se establishment i Iranit ende ka rëndësi mjaft të madhe për ta ruajtur imazhin e Iranit edhe si teokraci dhe si një republikë, që i lejon njerëzit lirshëm ta zgjedhin presidentin e ardhshëm.

Ata janë të zhgënjyer me zgjedhjet presidenciale të 2009 dhe kanë lansuar Lëvizjen e Gjelbër për të protestuar kundër, siç patën thënë zgjedhjeve të kurdisura. Ata tash duhet të përcaktohen nëse ia vlen të bëhet e njëjta sërish.(a.isufi)
XS
SM
MD
LG