Ndërlidhjet

logo-print

SHBA: Regjimi sirian ka përdorur armë kimike

  • RFE /RL

Pamje nga Siria

Pamje nga Siria

Shtëpia e Bardhë ka thënë se hetuesit amerikanë kanë konstatuar se Qeveria e Sirisë ka përdorur armë kimike disa herë dhe se Shtetet e Bashkuara do të nisin tani ofrimin e ndihmës ushtarake për rebelët sirianë.

Presidenti Barack Obama ka paralajmëruar më herët se përdorimi i armëve kimike është “vija e kuqe”, e cila do të çojë në përfshirje më të madhe të SHBA-së në konfliktin e Sirisë.

Zëvendëskëshilltari për Siguri Kombëtare, Ben Rhodes, ka thënë se agjencitë e inteligjencës së SHBA-së kanë “besim të lartë” në provat që tregojnë se Qeveria siriane ka përdorur në shkallë të vogël armë kimike kundër opozitës, përfshirë agjent sarin.

Në deklaratë thuhet se Shtetet e Bashkuara besojnë se 100 deri në 150 njerëz kanë vdekur si rezultat i përdorimit të armëve kimike në Siri. Po ashtu është thënë se nuk ka prova të besueshme, të cilat sugjerojnë se forcat rebele kanë përdorur armë të tilla.

Njoftimi është pasuar me thirrjet e disa ligjvënësve amerikanë për Uashingtonin që të sigurojë raketa anti-tank dhe tokë-ajër për rebelët. Kryengritësit sirianë dhe udhëheqësit politikë të opozitës kanë bërë po ashtu thirrje për dërgesa urgjente të armëve të sofistikuara.

Deri më tash, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar ndihmë “jo-vdekjeprurëse” për opozitën. Por, Arabia Saudite, Katari dhe Turqia raportohet se kanë furnizuar tashmë me armë rebelët sirianë.

Gjatë gjithë konfliktit, Rusia, në anën tjetër, ka furnizuar me armë Qeverinë e Sirisë, aleat të afërt të saj.

Më herët, Franca dhe Britania kanë thënë po ashtu se kanë gjetur prova se forcat e presidentit Bashar al-Assad kanë përdorur armë kimike. Dy fuqitë evropiane kanë arritur së fundmi të heqin embargon e Bashkimit Evropian në sigurimin e armëve për rebelët.

Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të nisur furnizimin me ndihmë ushtarake pason një debat brenda administratës Obama në lidhje me pasojat e mundshme të një hapi të tillë. Disa zyrtarë amerikanë janë shprehur të shqetësuar se armët mund të bien në duart e militantëve anti-perëndimorë, të cilët kanë mbështetur rebelimin.

Duke folur për gazetarët, zëvendëskëshilltari i Sigurisë Kombëtare, Ben Rhodes, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të nisin mbështetjen direkte për opozitën, e cila do të jetë ndryshe nga ajo që ka ofruar SHBA-ja deri më tash.

“Presidenti ka marrë vendim për të siguruar më shumë mbështetje për opozitën. Bëhet fjalë për mbështetje direkte, e cila përfshin atë ushtarake. Nuk mund të jap detaje për llojet e kësaj mbështetjeje për një sërë arsyesh, por mjafton të thuhet se do të jetë ndryshe nga ajo që kemi ofruar më herët për Këshillin Suprem Ushtarak (mekanizëm i opozitës)”, ka thënë Rhodes.

Ai ka bërë të ditur se Uashingtoni ka informuar Rusinë për përdorimin e armëve kimike në Siri. Rhodes ka thënë se Rusia dhe të gjithë anëtarët e komunitetit ndërkombëtar duhet të jenë të shqetësuar për këtë çështje.

Njoftimi i Shteteve të Bashkuara është bërë pasi Kombet e Bashkuara kanë rritur vlerësimin për numrin e të vdekurve në konfliktin e Sirisë në gati 93,000. Trazirat civile në këtë vend kanë nisur në mars të vitit 2011.(v.tela)
XS
SM
MD
LG