Ndërlidhjet

Thaçi e Daçiq në OKB, të vendosur për zbatim të marrëveshjes


Këshilli i Sigurimit
Këshilli i Sigurimit
Në seancën për Kosovën të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që u zhvillua të premten në Nju Jork, është vlerësuar lart marrëveshja e 19 prillit, e arritur ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq në Bruksel.

Ajo është cilësuar si historike nga të dy kryeministrat, derisa sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban ki-Moon, por edhe ambasadorët e vendeve anëtare të KS-së, kanë bërë thirrje për zbatimin sa më të shpejtë të saj.

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se marrëveshja konfirmon dhe ruan sistemin unik dhe legal të Kosovës, si autoritet të vetëm legal në vend.

Ai, gjithashtu, ka potencuar se marrëveshja mbron të gjitha komunitetet, duke iu ofruar atyre siguri fizike dhe humane.

Ndërkaq, kryeministri serb, Ivica Daçiq, në këtë seancë ka thënë se Serbia është e vendosur që t’i vërë pikë së kaluarës, e cila siç është shprehur ai, nuk mund të ndryshohet.

Daçiq ka theksuar se marrëveshja e prillit, është e para e këtij lloji e arritur ndërmjet dy palëve dhe se në të ardhmen, sipas tij, do të bisedohet për kthimin e personave të zhvendosur dhe pronës.

Kryeministri serb është shprehur se të gjitha raundet e negociatave janë zhvilluar pa paragjykim ndaj çështjes së statusit të Kosovës, duke shtuar se Serbia ka treguar gatishmërinë e saj për të shkuar përtej gjendjes së tanishme.

Ndërkohë, pasi e ka vlerësuar si sukses historik marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Ban Ki-Moon ka ftuar të dy palët që të hapin kanalet e komunikimit dhe të bëjnë përpjekje për zbatimin e marrëveshjes.

Ajo është arritje historike. Si rezultat i saj, perspektivat për të kapërcyer trashëgiminë e konfliktit të kaluar dhe për të arritur pajtim, stabilitet dhe prosperitet janë më të mëdha se kurrë”, ka deklaruar Ban.(a.isufi)_
XS
SM
MD
LG