Ndërlidhjet

QKUK: Operacionet e hapura në zemër, pa pagesë(?)


Ilustrim

Ilustrim

Në Shërbimin e Kardiokirurgjisë së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për herë të parë është kryer operacioni në zemër të hapur me teknikën e re, pa asistim të aparatit të qarkullimit jashtë trupor, pra pa e ndalur punën e zemrës.

Shërbimi i Kardiokirurgjisë është hapur këtë vit dhe kërkesat e pacientëve për operacione të hapura në zemër, janë të mëdha. Sipas profesionistëve shëndetësorë, deri tani janë kryer gjithsej 7 operacione, që prej kur është funksionalizuar ky shërbim.

Shpend Fazliu, zëdhënës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se së shpejti Kardiokirurgjia do të punojë 24 orë dhe do të operohen rastet urgjente edhe gjatë natës.

“Ndërhyrja e fundit është një ndërhyrje që është kryer pa asistim të aparatit që shërben për ndaljen e zemrës dhe është njëri nga sukseset që ka shënuar shërbimi i Kardiokirurgjisë si shërbim i ri”.

“Shërbimi i kardiokirurgjisë është një shërbim i ri brenda QKUK- së dhe është në konsolidim e sipër, pasi që ende nuk është duke punuar në kapacitete të plota. Ky shërbim do të funksionojë në të ardhmen 24 orë dhe rastet që do të kenë nevojë për intervenime kardio-kirurgjike të mos drejtohen jashtë vendit, por këtë shërbim ta marrin në QKUK”, bën të ditur Fazliu.

Edhe kardiokirurgët në vend thonë se numri i pacientëve që kanë nevojë për këtë lloj trajtimi, është mjaft i madh. Bekim Dula, kardiokirurg, pohon se kardiokirurgjia po funksionon shumë mirë dhe operacionet e zemrës po kryhen aty, duke përmendur edhe operimin e fundit me metodën e re.

“Pacientin e kemi bërë operacion me një teknikë të re, duke i vënë baj-pas në zemër duke punuar zemra. Është hera e parë që në institucionin shtetëror bëhet një gjë e tillë. Është shumë e rëndësishme për pacientët që këto shërbime po kryhen këtu. Gjithçka është në rregull sa i përket stafit, kushteve, ne jemi duke punuar për pacientët”, thotë Dula.

Por, Fazliu thekson se është duke u shqyrtuar mundësia e participimit të pacientëve për intervenime në zemër të hapur, meqë janë intervenime shumë të kushtueshme.
Është shërbim shumë i kushtueshëm dhe është duke u shqyrtuar mundësia që një pjesë të paguajnë edhe pacientët...

“Është shërbim shumë i kushtueshëm dhe është duke u shqyrtuar mundësia që një pjesë të paguajnë edhe pacientët, meqë materiali shpenzues dhe gjithë shërbimi është një prej shërbimeve më të shtrenjta në gjithë QKUK-në. Ky material sigurohet nga Ministria e Shëndetësisë”, thekson Fazliu.

Ndërkaq, drejtori i Departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, përmend faktin se funksionalizimi i Kardiokirurgjisë, përveç anëve tjera pozitive, kursen edhe buxhetin e këtij institucioni duke mos pasur nevojë t’i dërgojnë pacientët për intervenime jashtë Kosovës.

“Përveç refleksionit pozitiv për hapjen e Kardiokirurgjisë, kursen edhe buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë, duke qenë që numri më i madh i rasteve për 5 mujorin e parë të këtij viti, që kanë kërkuar shërim jashtë vendit, ka të bëjë me kardiokirurgjinë”, potencon Hoti.

Në institucionet shëndetësore private, çmimi për operacionin e hapur në zemër nis nga 7 mijë euro, derisa vendosja e një stente në zemër kushton 3500 euro.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG