Ndërlidhjet

Integrimi i Maqedonisë, i varur nga emri


Ilustrim
Ilustrim
A do ta marrë datën Maqedonia në samitin e qershorit të BE-së, kjo është çështja që këtyre ditëve ka filluar të aktualizohet, pas një heshtjeje të gjatë të institucioneve lidhur me procesin e integrimit të Maqedonisë.

Presidenti Gjorgje Ivanov, kryeministri Nikolla Gruevski dhe ministri i Jashtëm, Nikolla Poposki, në aktivitetet e fundit diplomatike kanë përsëritur se Maqedonisë i bëhet padrejtësi e madhe, pasi ajo meriton marrjen e datës për fillimin e bisedimeve me BE-në, ndërsa këtë e kanë arsyetuar edhe me vendimin e GJND-së, e cila kishte vendosur në favor të Maqedonisë.

Rizvan Sulejmani nga Instituti për Studime Politike dhe Interkulturore, nuk përjashton mundësinë që në samitin e BE-së të ketë një zgjidhje në favor të Maqedonisë, që t’i jepet data, por paralelisht me procesin e negociatave, të zhvillohen edhe bisedimet për zgjidhjen e kontestit të emrit.

“Tashmë po bëhet problem Ballkani dhe në veçanti Maqedonia, kurse, nga ana tjetër, po rrënohet edhe miti për Evropën që në njëfarë mënyre i mbante shpresat e kësaj popullate se hyrja në BE, i zgjidh gjitha problemet sociale, politike, ekonomike dhe ndëretnike".

"Është e qartë se promotorët e idesë për integrime evropiane, sikur i humbin argumentet kryesore se Evropa është zgjidhje për gjithçka dhe normalisht se në një situatë të këtillë kam përshtypje se të paktën ka përpjekje për të ruajtur ëndrrën evropiane“,
thotë Sulejmani.

Ai shton se në kundërtën, nëse vazhdon që këto shtete të mbeten jashtë BE-së, atëherë ato do të kërkonin alternativa tjera ekstreme, nacionaliste që do ta vinin në siklet të madh Bashkimin Evropian.

Në këtë kuadër Sulejmani i sheh edhe zërat e ndryshëm të intelektualëve për të hequr dorë nga rruga evropiane, apo për të kërkuar pranimin e Maqedonisë në OKB, me emrin kushtetues. Nëse kjo ndodh, atëherë kjo do të ndërlikonte edhe më shumë situatën, thotë Sulejmani.

Por, ndryshe nga ai, ekspertë të tjerë thonë se pa zgjidhjen e çështjes së emrit, Maqedonia vështirë se do të arrijë të fitojë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Duke komentuar një deklaratë të shefit të diplomacisë, Nikolla Poposki, se Maqedonia është e gatshme që të vazhdojë me qasjen konstruktive dhe se Greqia është ajo, e cila po gjen alibi për të penguar procesin, nga Qendra Maqedonase për Edukim Evropian, thonë se kjo edhe një dëshmi se palët janë larg zgjidhjes së problemit shumëvjeçar.

Bojan Mariçiq nga kjo qendër thekson edhe mungesën e transparencës së procesit negociues.

“Gjithçka po zhvillohet në fshehtësi prandaj edhe nuk mund të themi se ku qëndron problemi - te pala greke apo te ne - apo te mungesa e vullnetit nga të dyja palët për gjetjen e një zgjidhjeje. Mendoj se në këtë ndikon gjendja në Greqi, por edhe ajo te ne“, thotë Mariçiq, duke u ndalur edhe në probleme tjera që vështirësojnë procesin negociues, si kriza politike dhe raportet me shtetet tjera.

“Nuk është vetëm çështja e emrit, por i tërë korpusi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Nuk kemi asnjë lëvizje në këtë drejtim, përveç nëse nuk e llogarit mbledhjen e përbashkët me Qeverinë e Serbisë, por kjo asnjëherë nuk ka qenë temë e bisedimeve, pasi në radhë janë marrëdhëniet e mira me Greqinë dhe Bullgarinë“, shprehet Mariçiq, nga Qendra Maqedonase për Edukim Evropian.
XS
SM
MD
LG