Ndërlidhjet

Rohani fiton zgjedhjet presidenciale në Iran, qytetarët festojnë


Mbështetësit e Rohanit festojnë fitoren
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:53 0:00

Mbështetësit e Rohanit festojnë fitoren

Ministria e Brendshme e Iranit ka bërë të ditur se kleriku i modernizuar, Hassan Rohani, është fitues i zgjedhjeve presidenciale në Republikën Islamike.

Rohani ka siguruar mbi 50 për qind të votave, duke shmangur nevojën për balotazh.
Në vendin e dytë, me një dallim të madh votash, ka dalë kryebashkiaku i Teheranit, Mohammad Baqer Qalibaf.

Të drejtë vote kanë pasur rreth 50 milionë qytetarë, ndërsa autoritetet kanë thënë se pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë mbi 70 për qind.

Votuesit kanë zgjedhur në mesin e gjashtë kandidatëve pasardhësin e presidentit Mahmud Ahmadinejad, i cili ka shërbyer dy mandate të njëpasnjëshme.

Asnjë vëzhgues ndërkombëtar nuk ka qenë i pranishëm në Iran për të monitoruar procesin zgjedhor.

Hassan Rohani ka mbështetur lirinë më të madhe të shprehjes dhe është zotuar se do të lirojë të burgosurit politikë.

Ai është ish-kryenegociator i Iranit për çështjet bërthamore dhe mbështet vazhdimin e programit bërthamor të Republikës Islamike. Shumë shtete perëndimore thonë se ky program është duke u përdorur si mbulesë për ndërtimin e armëve atomike.

Ish-presidentët Mohammad Khatami dhe Akbar Hashemi Rafsanjani kanë hedhur mbështetjen e tyre për Rohanin.

Udhëheqësi suprem, Ajatollah Ali Khamenei, ka “mallkuar” ata që kanë vënë në pyetje “natyrën demokratike të zgjedhjeve në Iran”.

“Kam dëgjuar se dikush nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Amerikës ka thënë: ‘Nuk i pranojmë këto zgjedhje në Iran’. Atëherë, shkoni në ferr”, ka thënë Khamenei.

Ai nuk e ka bërë të qartë se kujt i është referuar. Por, muajin e kaluar, sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, ka shfaqur dyshime për kredibilitetin e zgjedhjeve, pas diskualifikimit të qindra kandidatëve.

Kerry ka kritikuar “mungesën e transparencës” në procesin zgjedhor dhe ka thënë se diskualifikimet “bazohen në atë se kush përfaqëson interesat e regjimit”.

Në sistemin politik të Republikës Islamike, udhëheqësi suprem i Iranit, e jo presidenti, mban pushtetin për vendimmarrje, përfshirë komandën e ushtrisë, drejtimin e politikës së jashtme dhe mbikëqyrjen e projekteve, të tilla si programi bërthamor i vendit.(v.tela)
XS
SM
MD
LG