Ndërlidhjet

logo-print

Wachau: Thaçi flet për sfidat e Kosovës/Serbisë


Ilustrim

Ilustrim

Kosova dhe Serbia kanë tri sfida para vetes, që lidhen me paragjykimet e armiqësisë të së kaluarës e deri tek lodhja evropiane me zgjerimin si faktor i jashtë që brengos dy shtetet, thotë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi.

Në fjalën e tij gjatë punimeve të forumit evropian të Vahaut në Austri, shefi i qeverisë në Prishtinë u tha të pranishmëve se inercioni i sistemit të vjetër dhe koncepteve të vjetra në Serbi, paraqesin sfidën e parë, e cila sipas tij, bazuar në marrëveshjen e Brukselit, kërkon ndryshim rrënjësor të paradigmës dhe qëndrimit ndaj Kosovës.

“Në Beograd- Kosovën duhet ta shikojnë si partnere dhe jo si armike apo provincë të kohërave të vjetra post-Otomane. Edhe Kosova nuk duhet ta sheh Serbinë, si të periudhës 1913 -1999. Ka ende mjaft forca në Serbi, por edhe në Kosovë që po pengojnë dhe po ngadalësojnë një proces të pajtimit. E pamë këtë me dështimin e një samiti në Maqedoni. Kam shpresë se këto rezistenca do të diskutohen dhe qartësohen”, ka thënë ai.

Sfidë tjetër, sipas kryeministrit Thaçi është veriu, ku sipas tij ka elemente radikaloe që shantazhojnë popullatën serbe atje, por beson se ky dhe problemet tjera atje do të zgjidhen pas zgjedhjeve demokratike dhe hyrjes së kësaj pjesë në sistemin parlamentar të Kosovës.

“Ne do të shpallim amnisti, që ata që nuk e njohën kushtetutën dhe ligjet e Kosovës të mund të ndjehen të sigurt. Por, nga ana tjetër, duhet t'ua bëjmë të qartë kriminelëve se nuk do të gjejnë vend dhe hapësirë të lirë askund, as në Kosovë e as në Serbi”, ka veçuar ai si argument për të zgjidhur këtë sfidë.

Por mbi të dy sfidat, kreu i qeverisë së Kosovës vlerëson të jetë faktori i jashtëm, ku përmend lodhjen evropiane nga zgjerimi i saj, që mund të sjell brenda për të dyja vendet.

Sipas tij, kohërat kanë ndryshuar dhe kohërat janë shumë më stresuese për “peisazhet e brendshme politike të këtyre shteteve.”

“Kjo sjell më shumë obligime posaçërisht për Kosovën, si shtetin e fundit që hyri në integrime formale europiane, që të bëjë reforma dhe të zbatojë hapat konkretë që e përafrojmë shtetin tonë me BE-në. Por, në disa shtete ende jeton paragjykimi që Ballkani sjell vetëm probleme. Kjo nuk është e vërtetë. Kosova ka shumëçka t'i ofrojë Europës”, tha ai.

Sipas tij, muajt e fundit ishin dëshmi të një kthese të vërtetë në relacionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku dy vendet kanë dëshmuar se janë të gatshëm të lëvizin përpara dhe të hapin kapitullin e paqes dhe bashkëpunimit reciprok.

“Fëmijët tanë, do të na mallkojnë në rast se do të lëmë ndonjë konflikt të hapur për gjeneratën e tyre. Normalizimi tek e fundit e sjell drejtësinë më të plotë të mundshme, të përfundimit të hartës konfliktuoze politike të Ballkanit një herë e përgjithmonë, dhe krijimit të fqinjësisë së mirë, si vende kandidate në BE”, ka thënë ai.

Por, sipas kryeministrit Thaçi, përkundër disa marrëveshjeve të arritura si në rrafshin politik ashtu edhe në atë teknik të bisedimeve,” u bë e qartë se në Serbi kishte një kufizim në pranim të realitetit”.

“Në shumë aspekte, kapitujt kryesorë mbetën të hapur, sidomos pranimi i Serbisë se në Kosovë ka vetëm ligje të Kosovës, se nuk ka ambiguitet kushtetues se kush është zot i Kosovës në aspektin demokratik dhe në aspektin e sovranitetit”, ka theksuar kryeministri Hashim Thaçi.
XS
SM
MD
LG