Ndërlidhjet

Iniciativat qytetare, peng i politizimit të shoqërisë maqedonase


Pamje nga Shkupi

Pamje nga Shkupi

Qytetarët e Maqedonisë pothuajse aspak nuk janë të përfshirë në hartimin e politikave, si të pushtetit qendror, ashtu dhe atij vendor, përmes debateve të hapura për çështje që drejtpërdrejt prekin interesat e tyre, shprehen përfaqësues të organizatave joqeveritare, duke komentuar protestat dhe kundër-protestat e fundit të qytetarëve kundër ndryshimit të fasadës së Qendrës Tregtare të Shkupit, në stil barok, apo protestat kundër ndërtimit të objekteve në zonat e gjelbra në Çair të Shkupit.

“Fenomeni i mospjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse më tepër ka të bëjë me njëfarë lloj mosfuqizimi te qytetarët për të marrë masa duke qenë më kreativë për t’i ndërruar projektet e politikë-bërësve ose Qeverisë”.

“Shpeshherë dhe iniciativat tona, si aktivistë të shoqërisë civile hasin në kundërshtim me interesat e individëve të caktuar të partive politike dhe kjo nuk të lë kurrfarë hapësire për kurajë që të nxitet, aktivizimi i qytetarëve gjatë procesit të vendimmarrjes përmes debateve të hapura, si në pushtetin vendor, ashtu dhe në atë lokal”,
thotë Albert Hani nga sektori civil.

Nga ana tjetër, Ana Janevska - Dellovska nga “Transparencë... Maqedoni”, thotë se qasja arrogante e ushtrimit të pushtetit në nivel qendror, tani reflektohet dhe në pushtetin lokal.

“Ushtrimi i pushtetit mbi parimin - Ne jemi pushtet dhe do të bëjmë ç`të duam, ndodh në shumicën e komunave të vendit, siç është rasti në Qendër e Çair. Vërtet, është vështirë të gjendet një sektor ku parimi i demonstrimit t të fuqisë së pushtetit, nuk është i pranishëm”, shprehet Dellovska.

Sipas saj, mungesa e solidaritetit ndërmjet qytetarëve, është faktor kyç që ndikon në mospërfilljen e pushtetit ndaj shprehjes së revoltës së qytetarëve kundër veprimeve të caktuara të pushtetit.

“Nëse i referohemi asaj që ndodh në Turqi, me rëndësi është që njerëzit të jenë të bashkuar ndaj një qëllimi, por kjo në Maqedoni nuk është e mundur, sepse njerëzit nuk mund të solidarizohen ngase kanë frikë, meqë të gjitha institucionet janë të politizuara skajshmërisht. Ndërkohë, që dihet mirëfilli se solidariteti është një nga parimet kyçe të çdo demokracie”, shton Dellovska.

Ndërkaq, Albert Hani vlerëson se organizimi i shprehjes së revoltës veçanërisht në komunat shqiptare është shumë i vështirë, sepse kërcënimet janë shumë të mëdha veçanërisht nga “njerëz hije”, siç i quan ai, të mbrojtur nga strukturat politike.

“Ka shumë kërcënime për qytetarët, të cilët ndërmarrin iniciativa ose aktivistët e organizatave joqeveritare , të cilat bëhen nga partitë politike ose Qeveria. Së fundi, madje, nga Qeveria një pjesë e OJQ-ve që ishin të përfshira në protesta, u quajtën si armiq të shtetit dhe shpeshherë ata cilësohen dhe si spiunë të organizatave ndërkombëtare. Kjo është ajo që nuk lë hapësirë për kurajë që të ndërmerren hapa më të mëdhenj”, nënvizon Hani, i cili pothuajse dy dekada është i përfshirë në aktivitetet e sektorit civil.
XS
SM
MD
LG