Ndërlidhjet

Edhe një hap drejt integrimeve evropiane


Ilustrim
Ilustrim
Anëtarësimi i Kosovës në Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës (CEB), mund t’i sjellë përfitime dhe favore Kosovës, por ato edhe duhet të meritohen, vlerësojnë ekspertët e çështjeve të ekonomisë dhe njohësit e çështjeve të integrimit evropian në vend.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka njoftuar se anëtarësimi i Kosovës, si anëtare me të drejta të plota në Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës “e sjell edhe përafrimin më të rëndësishëm të Republikës së Kosovës me Këshillin e Evropës”.

Një gjë të tillë e pohon edhe Naim Gashi, ekspert për çështje të ekonomisë. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se ky anëtarësim i Kosovës është sinjal i mirë për të.

“Anëtarësimi në këtë bankë, është një sinjal pozitiv se Kosova do të ecë në anëtarësimin e Këshillit të Evropës, si tërësi. Do të thotë që, ligjvënësit kosovarë - është i përcaktuar numri rreth katër - do të jenë pjesë e këtij institucioni”.

“Ndërsa, sa i përket aspektit ekonomik, unë mendoj se projektet kryesore do të jenë në fushën e të drejtave të njeriut dhe zhvillimin e demokracisë, për arsye se Këshilli i Evropës, si institucion financiar gjithëpërfshirës evropian, kryesisht fokusohet në përmirësimin e të drejtave të njeriut, të drejtave të komuniteteve në nevojë, të pakicave, etj”, vlerëson Gashi.

Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, kanë deklaruar se Kosova mund të përfitojë 30 deri në 40 milionë euro në vit nga anëtarësimi në Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës, por, Gashi vlerëson se Kosova duhet të angazhohet mjaft për t’i marrë mjetet e tilla financiare, për faktin se secili donator ndërkombëtar i ka kriteret e veta.

“Unë nuk do të kisha precizuar se do të jenë 30 apo 40 milionë euro, sepse ai është një limit, një tavan deri ku ne mund të aplikojmë. Mirëpo, do të varet shumë se çfarë ofrojnë institucionet dhe shoqëria kosovare në përgjithësi, çfarë projektesh kredibile dhe të arsyeshme për një donator ndërkombëtar siç Këshilli i Evropës dhe për të përfituar fonde”.

“Unë mendoj se shuma e projekteve do të varet nga ajo se sa do të jemi ne bindës me projekte në fushat respektive, të cilat i mbulon Këshilli i Evropës dhe varësisht se sa ne jemi bindës, aq edhe do të jenë shumat e fondeve të përfituara”,
shpjegon Gashi.

Në anën tjetër, edhe njohësit e zhvillimeve integruese evropiane e vlerësojnë si hap mjaft pozitiv anëtarësimin e Kosovës në Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës.

Eksperti për integrime Avni Mazreku thotë se ky është një hap drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, por edhe drejt thyerjes së barrierave për t’u anëtarësuar në organizatat e shumta ndërkombëtare.

“Çdo shtet në botë, sot, zhvillimit e vet ekonomik, por edhe stabilitetin e politik, e sheh përmes bashkëpunimit ndërkombëtar. Bashkëpunimi ndërkombëtar nuk mund të kualifikohet vetëm i nivelit bilateral, domethënë, vetëm shtet me shtet”.

“Por, bashkëpunimet ndërkombëtare, kryesisht ndodhin në nivel të organizatave ndërkombëtare. Prandaj, anëtarësimi i Kosovës në këtë institucion, në fakt, është pozitiv, sepse është një hap përpara në funksion të avancimit të saj drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare”,
konsideron Mazreku.

Ndryshe, Gashi ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës, e ngrit dhe përmirëson imazhin e Kosovës në raport me donatorët dhe partnerët ndërkombëtarë, si dhe me investitorët potencialë.

Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës është krijuar më 1956 dhe ka për agjendë reformat dhe përkrahjet sociale të shtresave më të rrezikuara në shtetet e ndryshme evropiane.
XS
SM
MD
LG