Ndërlidhjet

Prishtina e Beogradi shkëmbejnë zyrtarët ndërlidhës


Prishtina dhe Beogradi të hënën kanë shkëmbyer zyrtarët ndërlidhës dhe ky është një hap në drejtim të zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lulzim Peci është zyrtari i parë i shtetit të Kosovës i cili ka filluar punën në kryeqytetin serb, ndërsa homolog i tij në Prishtinë është Dejan Paviqeviq.

Peci është vendosur në selinë e misionit të Bashkimit Evropian në Beograd dhe në takimin me gazetarët atje, ai e ka quajtur të rëndësishme për të dyja vendet ditën e shkëmbimit të zyrtarëve ndërlidhës.

“Kjo është një ditë shumë e rëndësishme sa i përket normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, u ka thënë Peci përfaqësuesve të medieve në Beograd.

Ai ka shtuar se, në këtë drejtim, e pret bashkëpunimin e autoriteteve të Serbisë.

“Unë pres bashkëpunimin e hapur dhe të mirë nga institucionet shtetërore të Serbisë. Unë jam këtu që të jap kontributin tim për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona”, ka theksuar Peci.

Në anën tjetër, rreth orës 12, në Prishtinë ka arritur Dejan Paviçeciq, i cili ka thënë se në Prishtinë nuk ka ardhur me mision diplomatik, por vetëm si zyrtar ndërlidhës, ashtu sikurse, sipas tij, është edhe zoti Peci në Beograd, për të lehtësuar komunikimin ndërmjet dy popujve.

Ashtu siç është arritur marrëveshja në Bruksel, sot është shkëmbimi i zyrtarëve ndërlidhës. Unë erdha në Prishtinë, ndërkaq zoti Peci është në Beograd. Ne do të jemi këtu për të lehtësuar komunikimin, të lehtësojmë zbatimin e gjithë asaj për çfarë është dakorduar në Bruksel dhe thjeshtë, të ndihmojmë për një normalizim të marrëdhënieve ndërmjet nesh”, tha Paviqeviq.

Ai ka shtuar se serbët e Kosovës mund tu drejtohen të dyja palëve, atij dhe zotit Peci, për ndihmuar në zgjidhjen e problemeve, kurdo që ato paraqiten.

Kur flasim për normalizimin e plotë, kjo është diçka që nuk është e definuar saktësisht dhe ne nuk mund të flasim në formë të qartë për normalizimin e plotë ndërmjet dy vendeve. Ndoshta ndërmjet dy kombeve, popullit serb dhe atij shqiptarë, kemi pasur dallimet tona, problemet tona. Kemi ende disa çështje. Kjo është diçka, por ne si njerëz e kemi nevojën për komunikim”, ka theksuar Paviqeviq.

Ai ka shtuar se nuk gëzon imunitet diplomatik në Kosovë, por siç ka theksuar, ruhet nga afër nga Policia e Kosovës dhe sipas tij, të njëjtin tretman e gëzon edhe zoti Peci në Beograd.

Ndryshe, ai nuk ka dhënë ndonjë sqarim lidhur me atë nëse pozita e zyrtarëve ndërlidhës do të evoluojë, duke theksuar se “për këtë mund të flitet më vonë”, ndërkohë që, sipas tij, tash mund të flitet vetëm për zyrtarët ndërlidhës, ashtu siç e parasheh marrëveshja e Brukselit.

Shkëmbimin e zyrtarëve ndërlidhës të Kosovë dhe Serbisë e ka përshëndetur kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i cili ka vlerësuar se ky është nivel i komunikimit diplomatik ndërmjet dy vendeve.

Ky është komunikimi i parë reciprok i nivelit të tillë diplomatik në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Është fuqizim i njohjes së realitetit të Kosovës nga ana e Serbisë, por edhe reciprokisht, nga ana e Kosovës në raport me Serbinë, si dy shtete sovrane”, ka theksuar kryeministri Thaçi.

Ndryshe, hapja e misioneve të posaçme diplomatike të Kosovës dhe Serbisë në vendet gjegjëse është vlerësuar si hap i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dy shteteve të pavarura.

Ajo është pjesë e marrëveshjeve të arritura në bisedimet ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian
XS
SM
MD
LG