Ndërlidhjet

Komisioni: Të ratifikohet marrëveshja pa planin e zbatimit


Komisioni për Legjislacion i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës që të shqyrtojë ratifikimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, pa planin e saj të zbatimit.

Ky ishte propozim i kryetarit të këtij Komisionit, deputetit të LDK-së, Arben Gashi, i përkrahur edhe nga deputetët e partive tjera, përveç Vetëvendosjes.

Në arsyetimin e tij, deputeti Gashi tha se Marrëveshja duhet t’i nënshtrohet ratifikimit, por jo edhe plani i zbatimit të saj, i cili mund të jetë objekt i vazhdueshëm shqyrtimi dhe mund të pësojë ndryshime gjatë zbatimit, si edhe gjatë procesit në vijim e sipër të negociatave me Serbinë.

“Neni dy i projektligjit riformulohet si vijon: Fushëveprimi i këtij ligji është marrëveshja e parë ndërkombëtare e parimeve që rergullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe është pjesë përbërëse e këtij ligji. Ky ligj do të zbatohet nga Republika e Kosovës me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe Forcave të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut në Kosovë (KFOR) dhe OSBE-së. Domethënë heqet pjesa e planit të zbatimit”, ka sqaruar amandamentin e propozuar, deputeti Gashi.

Propozimet e deputetit Arben Gashi i ka mbështetur edhe deputeti i PDK-së, Arsim Bajrami, ekspert i çështjeve kushtetuese.

Ai ka thënë me këtë rast se planet e zbatimit nuk kanë pse të ratifikohem. Kurse si propozim shtesë, Bajrami kërkoi që Kuvendi të kërkoj nga Bashkimi Evropian, si garantues dhe ndërmjetësues i bisedimeve, që ratifikimin të mos e bëj vetëm pala kosovare, por edhe ajo serbe.

“Ne duhet të kërkojmë nga Bashkimi Evropian që e njëjta marrëveshje, qoftë direkt nga parlamenti serb apo indirekt përmes Bashkimit Evropian do të pranohet edhe nga Republika e Serbisë dhe ajo të jetë obliguese për të dyja shtetet. Pra jo vetëm Kosova të marrë obligime në nivelin ligjor, siç po marrim ne me këtë rast, por ta detyrojmë edhe Serbinë që ta ratifikoj këtë marrëveshje dhe të merr obligime ligjore për zbatimin e saj”, ka thënë Bajrami.

Ndërkohë, një kundërshtim të ashpër gjithë procesit të ratifikimit të Marrëveshjes me Serbinë vazhdon t’i bëjë Lëvizja Vetëvendosje.

Deputetja e këtij subjekti politik, Albulena Haxhiu tha se Kuvendi nuk po bën asgjë nëse i heq nga ratifikimi marrëveshjes vetëm planin e zbatimit.

Ajo tha se kjo marrëveshje është e dëmshme dhe si e tillë duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese para se Kuvendi të merret me të.

“Asnjëherë nuk jemi marrë me vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij projektligji. Andaj unë për këtë arsye kërkoj që si pikë e veçantë e rendit të ditës të jetë vlerësimi pikë për pikë e marrëveshjes dhe planit të zbatimit në mënyrë që të vlerësojmë jo kushtetushmërinë e ktij projektligji”, ka thënë Haxhiu.

Propzoimi i deputetes së Vetëvendosjes nuk është mbështetur nga pjesa tjetër e deputetëve të Komisionit për Legjislacion.

Sipas procedurave, tani Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë mund t’i dërgohet Kryesisë së Kuvendit për ta vendosur për shqyrtim parlamentar në një nga seancat e radhës.

Ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare të Kosovës mund të bëhet vetëm me dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG