Ndërlidhjet

Azia Qendrore ka shkretëtira të mëdha, një nga klimat më të thata të Tokës dhe ka qenë subjekt i presioneve të shtuara njerëzore në dekadat e fundit, që kanë keqësuar edhe më shumë kushtet e saj.

Që nga shpërbërja sovjetike më 1991, thatësirat janë rritur dukshëm, duke shkaktuar rënie të rendimenteve bujqësore për 30 për qind në Kazakistan, Kirgizi, Taxhikistan, Turkmenistan dhe Uzbekistan. Sipas disa llogaritjeve, rreth 70 për qind e sipërfaqes në Turkmenistan është bërë shkretëtirë.

Andaj, dukej ide e mirë ajo e Kombeve të Bashkuara më 2006 për Konventën për Luftimin e Thatësirave. Donatorët ndërkombëtarë kanë nisur një iniciativë dhjetëvjeçare për ndalimin e dukurisë.

Me ndërmarrjen e Iniciativës së Vendeve të Azisë Qendrore për Menaxhimin e Tokës, shpresat dukeshin të mëdha.

I mbikëqyrur nga Banka Aziatike për Zhvillim, programi parashihte më shumë se 1.3 miliard dollarë fonde.

Por, shtatë vjet më vonë, kur Kombet e Bashkuara shënojnë Ditën Botërore kundër Thatësirave, ekologët thonë se rezultatet mund të përshkruhen vetëm si zhgënjyese.

Kritikët thonë se parashikimet ishin optimiste, por ka pasur pak koordinim në mes të përfituesve. Për më tepër, nuk ka pasur pothuajse asnjë menaxhim të centralizuar të programit, prejse Banka Aziatike për Zhvillim është tërhequr nga ai në vitin 2010.

Otto Simonett, nga grupi mjedisor Zoi, me seli në Gjenevë, ka vlerësuar për Qeverinë zvicernae progresin e Iniciativës së Vendeve të Azisë Qendrore për Menaxhimin e Tokës. Ai i ka thënë Radios Evropa e Lirë se vetëm një e dhjeta e fondeve të parashikuara janë ndarë në kohën e vlerësimit të tij.

“Kjo iniciativë ka ngritur shumë pritje të mëdha se, më në fund, këto çështje reale që lidhen me keqësimin e Tokës do të adresohen në Azinë Qendrore. Por, kur kemi bërë vlerësimin më 2010, vetëm 10 për qind e fondeve kanë qenë të ndara. Kështu që, në këtë drejtim, padyshim se nuk ka pasur sukses”, ka thënë Simonett.

Jamal Annagylyjova, nga programi për Evropën i Konventës për Luftimin e Thatësirave, ka thënë se programi ka pasur disa suksese në forcimin e legjislacionit në nivel lokal.

“Konventa për Luftimin e Thatësirave ka pasur rreth dhjetë projekte kombëtare. Si projekte individuale, do t’i rendisja nga të moderuara në të suksesshme, sepse ato kanë punuar me legjislacion. Ato kanë pasur ndikim të mirë në legjislacion, në çdo vend. Shumica e tyre kanë pasur të bëjnë me kullotat”, ka thënë Annagylyjova.

I pyetur për arritjet e programit, Fondi Global për Mjedisin – fond i OKB-së për projekte mjedisore – ka vënë në pah publikimin e një atlasi të burimeve natyrore në Azinë Qendrore, ngritjen e një programi kërkimor për menaxhimin e qëndrueshëm të Tokës dhe publikimin e një studimi të pyjeve dhe kullotave në Kirgizi dhe Taxhikistan.(v.tela)
XS
SM
MD
LG