Ndërlidhjet

Pak njohuri për Ligjin për Mbrojtjen e Informatorëve


Ilustrim

Ilustrim

Vetëm 73.6 për qind e zyrtarëve që mbajnë funksione të ndryshme publike janë të informuar për ekzistimin e Ligjit për Mbrojtjen e Informatorëve, ndërkaq 26.4 për qind nuk janë fare të informuar për ekzistimin apo mos ekzistimin e tij.

Kështu thuhet në raportin e publikuar nga Lëvizja Fol "Zyrtarët s’e fishkëllojnë korrupsionin; Niveli i njohurive dhe përvojës së zyrtarëve publik rreth Ligjit për Mbrojtjen e Informatorëve".

Armend Mazreku, hulumtues në këtë lëvizje, thotë se shifrat flasin dhe më keq, sa i përket njohurive rreth përmbajtjes së Ligjit.

Vetëm 15% e zyrtarëve publikë të nivelit qendror dhe lokal kanë njohuri për përmbajtjen e këtij Ligji, 60 për qind deri diku, 21 për qind pak, kurse 4 për qind kanë deklaruar të mos kenë aspak njohuri.

Në bazë të këtij hulumtimi vetëm 36 për qind e zyrtarëve publikë kanë raportuar rastet e korrupsionit, ndërkaq 73 për qind, siç thotë Mazreku kanë "mbyllur sytë" para asaj që kanë parë.

“Hulumtimi është realizuar në tetë ministri dhe tetë komuna të ndryshme Kosovës dhe nga ky numër i përgjithshëm i pyetësorëve ka rezultuar se vetëm 15 për qind e zyrtarëve që punojnë në institucionet qendrore dhe lokale kanë njohuri për përmbajtjes së këtij ligji".

"Që do të thotë se është një shifër alarmante dhe tejet shqetësuese, duke marrë parasysh edhe peshën që mund të luajë ky ligj, në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit”, thotë Mazreku.

Ligji për Mbrojtjen e Informatorëve është miratuar në vitin 2011, i cili për qëllim ka shtytjen e zyrtarëve për paraqitjen e veprimeve kundërligjore.

Në ligj thuhet se ndaj informatorit, mund të ndërmerren masa të dënimit apo disiplinore, pushimit ose largimit të përkohshëm nga puna apo të ekspozimit të diskriminimit. Po ashtu ligji siguron se informatorit i garantohet e drejta në mbrojtjen e anonimitetit.

Megjithatë, Mazreku, vlerëson se sikurse të gjitha ligjet në fushën e parandalimit dhe luftimit të korrupsionit, edhe Ligji për Mbrojtjen e Informatorëve vuan nga mangësitë e shumta juridike.

Ai madje konsideron se ligji është emëruar gabimisht.

Ndër këto mangësi kemi theksuar se vetë fakti i emërimit të gabuar këtij ligji, ka ndikuar që ky ligj mos të jetë i zbatuar nga ana e zyrtareve të ndryshëm publik. Meqë emërtimi 'Ligji për Mbrojtjen e Informatorëve' disi krijon përshtypjen te zyrtarëve se në rast se ata denoncojnë një veprim korruptim, me siguri se ata do të mund të asocioheshin me 'spiun' e kështu e më radhë”, shprehet Mazreku.

Se rastet korruptive nuk paraqiten nga zyrtarë publike, pohon edhe drejtori ekzekutiv i Organizatës për Demokraci dhe Anti-Korrupsion "Çohu" Avni Zogiani.

Arsye e mosraportimit të rasteve, sipas tij, është te mos trajtimi i rasteve korruptive nga organet kompetente.

Kjo nuk ka ndodhur për shkak se rastet e raportuara në Agjencië Anti- Korrupion nuk trajtohen dhe kryesisht nuk e gjejnë seriozitetin e duhur tek organet e drejtësisë në përgjithësi, por unë konsideroi edhe te vetë agjencia anti- korrupsion“.

Sidoqoftë, raporti i publikuar nga Lëvizja Fol ka nxjerrë në pah edhe mungesën e personave zyrtarë për mbikëqyrje të parregullsive që do të duhej të caktoheshin nga institucionet publike; frikën e zyrtarëve nga masat ndëshkimore që mund të ndërmerren, siç thuhet, nga ana e eprorëve të tyre, si dhe mungesën e diskutimeve publike për nivelin e zbatimit të Ligjit, nga parlamentarët dhe përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG