Ndërlidhjet

EULEX konfirmon vendimet në rastin e Ministrisë së Shëndetësisë


Logo e EULEX-it

Logo e EULEX-it

Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë EULEX ka konfirmuar se një trup gjykues, i përbërë nga gjyqtarë të tij dhe vendas në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka shpallur fajtor tre persona në të ashtuquajturin rasti i Ministrisë së Shëndetësisë.

“Ilir Tolaj u shpall fajtor për veprën penale të nxitjes së falsifikimit të dokumenteve zyrtare në bashkëkryerje dhe për shmangie të tatimit. Ai u lirua nga akuzat e tjera. Tolaj u dënua me një dënim të përgjithshëm prej 18 muajsh dhe gjobë prej 1000 eurosh. Atij i ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik për 3 vjet. Arresti shtëpiak i Ilir Tolajt ka përfunduar ndërsa pritet nxjerrja e një vendimi të ri”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.

Po sipas tij, Arbenita Pajaziti është shpallur fajtore për dy pika të aktakuzës për falsifikimin e dokumenteve, njërën prej tyre në bashkëkryerje. Pajaziti thuhet se është dënuar me një dënim të përgjithshëm prej 8 muajsh me kusht për një periudhë prej 2 vjetësh.

EULEX-i thotë se asaj i ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik për 2 vjet.

Hajrullah Fejza, ndërkaq, është shpallur fajtor për dy pika të aktakuzës për marrje të mitos, ndërsa është liruar nga pikat e tjera të akuzës.

Fejza ka marrë një dënim të përgjithshëm me burgim prej 8 muajsh dhe i ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik për 3 vjet, njofton EULEX-i.

Gjithnjë sipas njoftimit të misionit evropian, Bujar Bukoshi, Ismet Hyseni, Zenel Kuqi dhe Bekim Fusha janë liruar nga të gjitha akuzat.

Rasti është ndjekur penalisht nga një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK).
XS
SM
MD
LG