Ndërlidhjet

Gazetarët dhe shoqëria civile: Ambient i degraduar


Ilustrim
Ilustrim
Gazetarët, sidomos ata që mbulojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin përballen me presion politik, kërcënime dhe sulme, kurse kanë shënuar rënie edhe kushtet për shoqërinë civile, thuhet në raportin e ri të Freedom House, sa i përket Republikës se Kosovës.

Edhe vetë përfaqësues të medieve dhe shoqërisë civile konsiderojnë se përballen me sfida dhe probleme të mëdha derisa ushtrojnë profesionin e tyre.

Ibrahim Berisha, profesor në Fakultetin Filozofik, në Universitetin e Prishtinës, thekson se vetë gjendja sociale dhe e sigurisë është e ndërlikuar në Kosovë dhe kjo ndikon edhe në pozitën e gazetarëve.

Hulumtimi i temave të ndjeshme, që lidhen zakonisht më aferat korruptive te politikanët dhe zyrtarët, për gazetarët nënkupton një lloj pasigurie dhe presioni.

Por, Berisha nuk e mohon edhe faktin e vetëcensurës.

Në Kosovë ekziston një vetëcensurë e theksuar, e cila vjen për disa arsye, për shkak të një raporti jo real të pronarëve ndaj gazetave, të stafit udhëheqës, redaktorëve, kryeredaktorëve të cilët kanë interesa sikurse edhe pronarët".

"Nuk përputhen më atë që synojnë gazetarët të thonë të vërtetën. Dhe po kështu nga vetë një ambient i pasigurt i cili po mbretëron në Kosovë për të hulumtuar dhe për të gjetur deri në fund argumentin apo të vërtetën. Pasi edhe burimet janë mjaft të mbyllura", thotë Berisha për Radion Evropa e Lirë.

Arben Ahmeti, redaktor në të përditshmen “Tribuna”, thotë se çdo ditë e më tepër po degradohet pozita e gazetarëve në Kosovë.

Fatkeqësisht, thotë ai, Kosova nuk po shkon drejtë një tranzicioni pozitiv ku sundimi i ligjit dhe të tjerat do të mundësonin një ambient më të mirë për gazetarët.

Kemi një tendencë të vazhdueshme në rritje të kontrollit të asaj që publikohet në media, dhe kështu ambienti në të cilin funksionojnë gazetarët po bëhet gjithnjë e më i vështirë".

"Ka rritje të fundit të sulmeve, kërcënimeve, tash edhe kërcënimeve me anë të përdorimit të gjykatës ndaj gazetareve. Dhe natyrisht raporti i 'Freedom House' në mënyrën më të mirë po paraqet gjendjen që po devalvon çdo ditë”, shprehet Ahmeti.

Sipas tij, vështirësitë ekonomike, vështirësitë e përballjes kriminale, por edhe mungesa e transparencës së institucioneve janë tri lloje të vështirësive me të cilat përballen gazetarët.

Ky ambient mund të paraqesë në pozitë gazetarët që të heqin dorë nga misioni i tyre dhe të humbet beteja e gazetarisë së lirë.

Ajo që po ndodh momentalisht në Kosovë është një këmbëngulje e jashtëzakonshme e gazetarëve që të vazhdojnë punën e tyre. Dhe kemi këtë përballje të çdoditshme të mediave në njërën anë, grupeve të caktuara të interesit të lidhura më pushtetin dhe politikën në anën tjetër. Natyrisht se në çdo tranzicion ndodh kjo, por edhe tranzicionet kanë ato periudhat e veta kur definohen nëse janë pozitive apo negative”, bën të diur Ahmeti.

Ndërsa, sa i përket kushteve në të cilat vepron shoqëria civile në vend, Petrit Zogaj nga Lëvizja Fol, konsideron se organizatat joqeveritar kanë vështirësi në zhvillimin e aktivitetit të tyre.

Sektori joqeveritar, thotë ai, është dukuri e re dhe për këtë mungon besimi reciprok ndërmjet shoqërisë civile dhe institucioneve qeveritare, pasi, siç thotë ai, këta të fundit këto mekanizma i shohin me paragjykime të shumta.

Normalisht që ambienti ku ne funksionojmë nuk është ambienti më i mir, institucionet kanë një qasje shumë dyshuese dhe negative karshi shoqërisë civile. Kjo vjen si pasojë e një kulturë jo demokratike e cila nuk është në nivelin që është dashur të jetë në Kosovë".

"Institucionet publike, zyrtarët publike të gjitha tentimet tona për të komunikuar me ta i marrin në një formë në nivel dyshues, për shkak se pretendojnë se pse është duke u bërë një hulumtim i caktuar, nga ana e Fol-it në këtë rast, ose organizatave tjera”, thekson Zogaj.

Sipas raportit të Freedom House, në këtë rrafsh, Kosova ka shënuar 5.25 pikë dhe radhitet para Armenisë dhe Kirgizisë.

Pika 7 shënon nivelin më të dobët të përparimit demokratik.
XS
SM
MD
LG