Ndërlidhjet

logo-print

Stavileci: Raporti i Freedom House është bosh!


Ilustrim

Ilustrim

Qeveria e Kosovës e konsideron si të pasaktë, dhe tendencioz raportin e fundit të publikuar nga Freedom House, e cila e rendit Kosovën me vendet që kanë sisteme me regjim autoritar gjysmë të konsoliduar.

Vlerësimin në emër të ekzekutivit e ka bërë ministri i bujqësisë dhe zhvillimit rural, Blerand Stavileci në një konferencë për shtyp në Prishtinë, ku ka saktësuar se qeveria i vlerëson të gjitha kritikat e bazuara dhe konstruktive që i adresohen për performancën e institucioneve.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk mund të pranojë vlerësime të pasakta, tendencioze apo krejtësisht të bazuara në perceptime personale të individëve të caktuar që në mënyrë direkte apo indirekte përpilojnë raporte të ndryshme për Kosovën.

Stavileci ka sulmuar autorin e raportit, për të cilin tha se “ka dështuar të ruajë minimumin e seriozitetit profesional dhe paanshmërisë politike gjatë hartimit të raportit”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës e dinë se ky raport nuk e vlerëson vetëm punën e qeverisë, por të gjitha institucioneve të Kosovës në përgjithësi, por ne nuk mund të pajtohemi me raporte boshe që e fusin Kosovën në kategori të shteteve autoritare”.

“Eshtë e padyshimtë që Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm më 2012 dhe kjo nuk thuhet vetëm nga Qeveria e Kosovës, por nga i gjithë spektri ndërkombëtar i involvuar në Ballkan, përfshirë përparimet dhe përmirësimet e theksuara si ajo e të bërit biznes e Bankës Botërore, Gjetjet e Grupit Drejtues Ndërkombëtar në shtator 2012, etj”, ka thënë ministri Stavileci.

Raporti i Freedom House për Shtetet në Tranzicion thote se Kosova nuk ka shënuar “fare përmirësim në qeverisjen demokratike”, se mediet janë të kontrolluara ndërsa gazetarët hulumtues janë të censuruar dhe objekt i sulmeve të vazhdueshme.
XS
SM
MD
LG