Ndërlidhjet

Hill: Bota ndryshon, por jo edhe miqësia SHBA- Kosovë


Christopher Hill

Christopher Hill

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përcaktuara që të mos i ndryshojnë raportet me Kosovën, ka deklaruar të mërkurën në Prishtinë, ambasadori Christopher Hill.

Këto komente, diplomati amerikan i bëri gjatë ceremonisë së organizuar në Universitetin e Prishtinës, ku ai dhe ambasadori austriak Wolfgang Petritsch u nderuan me titullin “Dr.Honoris Causa”.

Me këtë rast, ambasadori Hill u ka thënë të pranishmëve se me përparimet që po bën shteti i Kosovës, po nderon të kaluarën, të tashmen dhe gjeneratat që vijnë.

Ai ka porositur politikanët në Prishtinë se duhet të ndërtojnë raporte të mira me fqinjët si dhe ta bëjnë Kosovën pjesë të Bashkimit Evropian dhe të strukturave euroatlantike.

Ndërkaq është zotuar se Shtetet e Bashkuara dhe Kosova do të mbeten përherë vende mike.

Ajo që dua t’ju siguroj juve është se shumë gjërat në botë ndryshojnë. Bota ndryshon çdo ditë. Por një gjë që kurrë nuk do të ndryshon janë marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Kosovën. Ne gjithmonë do të jemi afër Kosovës dhe Kosova do të mbetet gjithmonë afër nesh”, ka deklaruar ambasadori Hill.

Ai ka falënderuar Universitetin e Prishtinës për ndarjen e titullit “Honoris Causa” duke thënë se kur e nderoni një diplomat amerikan, ju keni nderuar gjithë popullin dhe shtetin amerikan.

Në anën tjetër, ambasadori austriak Wolfgang Petritsch ka thënë se ndërtimi i shtetit nuk është i lehtë duke pas parasysh diversitetet e Kosovës.

Megjithatë, ai ka inkurajuar Kosovën që të punojë shumë në vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit, të forcojë demokracinë, krijoj ambient për liri të shprehjes dhe medias si dhe të hapë perspektivë ekonomike.

Ceremonia e ndarjes së titullit “Dr.Honoris Causa” është organizuar në ambientet e Universitetit të Prishtinës dhe është drejtuar nga rektori Ibrahim Gashi.

Me këtë rast, Gashi ka thënë se ky titull dy diplomatëve të njohur u ndahet për merita dhe kontribut të jashtëzakonshëm në ndaljen e dhunës dhe krijimin e kushteve për paqe, drejtësi, liri e demokraci në Kosovë.

Sipas tij, angazhimi dhe mbështetja e ambasadorëve ishte shumë e madhe në kohën kur bota u desh të bindej se në mes të Evropës po mbahej një popull i shtypur në Kosovë.

Vlera kulmore e veprës suaj padyshim se mbetet paanësia dhe mbështetja e drejtësisë, duke mos hezituar vet dhe duke i bindur aleatët e tjerë se ishin shteruar të gjitha mjetet diplomatike për rikthimin e paqes dhe se ndalja e luftës dhe gjenocidit që po ndodhte në mes të Evropës ishte domosdoshmëri”, ka thënë Gashi.

Të pranishëm gjatë ceremonisë kanë qenë edhe personalitete të larta te jetës politike.

Kryeministri Hashim Thaçi, përveç fjalëve të tij për periudhën e diplomacisë së ambasadorëve Hill e Petritsch, ka folur edhe për marrëveshjen e fundit të arritur në dialogun me Serbinë.

Ai ka shprehur zotimin e tij për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

“Tani, Serbia pranon hapur se e njeh realitetin në Kosovë. Ndërsa ajo se kur do të ndodhë njohja edhe de jure, kjo është çështje e vendimeve të institucioneve të Serbisë. Marrëveshja e 19 prillit është kontribut i drejtpërdrejtë i Bashkimit Evropian, baroneshës Ashton dhe mbështetjes së fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo marrëveshje për Kosovën dhe krejt rajonin është marrëveshje evropiane, është marrëveshje për rajonin pa kufij e të demokratizuar”, është shprehur Thaçi.

Ambasadorët Hill dhe Petritsch në Kosovë mbahen mend për angazhimin e tyre si përfaqësues të Shteteve të Bashkuara, përkatësisht Bashkimit Evropian në ndërmjetësimin diplomatik midis forcave të atëhershme politike e ushtarake të Kosovës dhe Beogradit.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG