Ndërlidhjet

Thaçi e Bonino për zbatimin e marrëveshjes


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur të mërkurën ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Italisë, Emma Bonino.

Me këtë rast, kryeministri Thaçi ka shprehur vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e reformave në politikë, legjislacion dhe ekonomi, në funksion të përmbushjes së plotë të agjendës evropiane të integrimit.

Në takimin e sotëm mes Kryeministrit Thaçi dhe ministres Bonino u bisedua edhe për rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Thaçi, sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra për Media ka ritheksuar vullnetin e institucioneve kosovare që kjo marrëveshje të fillojë të zbatohet menjëherë, në mënyrë që edhe në atë pjesë të territorit të Kosovës të krijohen mundësitë për zhvillim ekonomik dhe për funksionimin e institucioneve legjitime.

Kurse ministrja e Jashtme e Italisë, Emma Bonino ka vlerësuar, si thuhet në komunikatë, lartë përkushtimin e kryeministrit Hashim Thaçi dhe të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky është një hap i rëndësishëm dhe historik, që është në të mirë të forcimit të paqes, të stabilitetit dhe të bashkëpunimit rajonal, citohet të ketë thënë Bonino.

Perspektiva e Kosovës është perspektiva evropiane dhe në këtë drejtim Italia do të vazhdojë mbështetjen për procesin e integrimit evropian të Kosovës, ka thënë tutje ministrja Bonino.

Ajo më pas është pritur edhe nga ministri i Jashtëm i Koosvës, Enver Hoxhaj.
XS
SM
MD
LG