Ndërlidhjet

Tensione në Kuvend - ratifikimi mund të shtyhet


Parlamenti i Kosovës
Parlamenti i Kosovës

Mbledhja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, e cila është mbajtur të mërkurën, ka reflektuar atmosferën me tensione para seancës së Kuvendit të Kosovës, ku pritet të diskutohet ratifikimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Kjo seancë, është paralajmëruar të mbahet të enjten, më 20 qershor. Por, sipas njoftimeve të fundit, ajo mund të zhvillohet javën që vjen, për shkak të mungesës së kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili të enjten zhvillon takimin e radhës në Bruksel me homologun e tij serb, Ivica Daçiq.

Në mbledhjen e këtij komision, anëtarët kanë vlerësuar se ky komision është anashkaluar në tërësi në rastin e projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes në fjalë. Deputet të opozitës, por edhe ata të pozitës kanë deklaruar që marrëveshja nuk e plotëson minimumin e kritereve për t'u quajtur ndërkombëtare.

Kryetari i këtij komisioni, Albin Kurti, deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se mangësia kryesore në gjithë këtë situatë është fakti se as kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e as ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, nuk janë takuar me komisionin që ai drejton, për t’i sqaruar aktivitetet dhe procesin e dialogut në Bruksel.

Ai e ka vlerësuar si gabim që marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë të dërgohet në Kuvendin e Kosovës, në seancën lidhur me këtë çështje.

Kurti ka shprehur bindjen se marrëveshja ndërmjet kryeministrave, të Kosovës dhe të Serbisë, Thaçi dhe Daçiq, nuk e ka as formën e as formatin e marrëveshjes ndërkombëtare.

“Kjo marrëveshje, pra, nuk është ndërkombëtare. Ajo edhe cilësohet edhe lexohet dhe quhet ndryshe nga palët. Këtu s’ka marrëveshje për marrëveshjen. Kosova po e quan ‘marrëveshje e parë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë’, por Serbia nuk e quan kështu, sepse ajo nuk e quan Kosovën Republikë".

"Pra, qysh në titull, qysh në emërtim të kësaj marrëveshjeje, nuk ka marrëveshje. Është shumë gabim që nesër kjo të diskutohet e të votohet për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në aspektin politik, do të thosha që ngutia që të ratifikohet kjo marrëveshje nga Kosova, para se këtë ta bëjë Serbia, është gjithashtu gabim i madh strategjik”, ka thënë Kurti.

Kurti ka shtuar se marrëveshja Thaçi - Daçiq, nuk është e nënshkruar, por e parafuar, me iniciale në dy dokumente të ndara dhe se ato iniciale janë vënë në formën “si persona dhe jo si krerë shtetërorë”.

Mendim të përafërt ka shfaqur edhe deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hydajet Hyseni, nënkryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, i cili është një nga deputetët e kësaj partie që nuk e ka përkrahur marrëveshjen.

Sipas tij, marrëveshja Thaçi- Daçiq është pa titull dhe nuk është e sqaruar se kush me kë e arrin këtë marrëveshje dhe në çfarë cilësie.

“Marrëveshja, që kemi përpara, ky tekst, nuk është në pajtim me formatin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Edhe me ligjin tonë, duhet të ketë preambulën, duhet të ketë titullin, titullarët, ata që ë nënshkruajnë, si dhe aparaturën tjetër. Këto i mungojnë. Miratimi kështu, është procedurë e lëndueshme. Por edhe kështu po të jetë - është fjala për marrëveshje që janë midis shteteve - do ta shihnim më vonë në dispozitat përkatëse, se vetëm këto marrëveshje miratohen me ligj dhe me dy të tretat”, është shprehur Hyseni.

Ndryshe, marrëveshja ndërkombëtare, mund të ratifikohet në Kuvend, me dy të tretat e votave të deputetëve. Për ratifikimin e kësaj marrëveshjejë, kanë shprehur mbështetjen të gjitha grupet parlamentare, përveç Lëvizjes Vetëvendosje dhe disa deputetëve nga grupet tjera parlamentare, por në formë individuale.

Në kundërshtim të ratifikimit të kësaj marrëveshje, Lëvizja Vetëvendosje ka thirrur për të enjten qytetarët në protesta, para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.
XS
SM
MD
LG