Ndërlidhjet

Obama kërkon reduktimin e armëve bërthamore

  • RFE /RL

Barack Obama në Berlin gjatë fjalimit të tij.

Barack Obama në Berlin gjatë fjalimit të tij.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka propozuar që SHBA-ja dhe Rusia të reduktojnë kokat strategjike bërthamore për një të tretën.

Obama e ka bërë propozimin gjatë një fjalimi në Berlin, ku ka qëndruar për herë të parë si president.

“Kam ardhur në përfundim se mund të rrisim sigurinë e Amerikës dhe të aleatëve tanë, duke reduktuar armët strategjike bërthamore për një të tretën. Kam ndërmend të kërkoj shkurtime të negociuara nga Rusia, për të lëvizur përtej gjendjes bërthamore të Luftës së Ftohtë”, ka thënë Obama.

Propozimi parasheh reduktimin e arsenalit amerikan dhe rus në rreth 1,000 armë.

Sipas Traktatit të Ri për Reduktimin e Armëve Strategjike, të cilin SHBA-ja e ka negociuar me Rusinë gjatë mandatit të parë të presidentit Obama, dy vendet janë pajtuar të reduktojnë armët e tyre strategjike bërthamore në 1,550 secili.
Gjatë fjalimit në Berlin, Obama po ashtu ka propozuar reduktimin e armëve bërthamore taktike të SHBA-së dhe Rusisë në Evropë.

Presidenti amerikan nuk ka dhënë ndonjë afat kohor për shkurtimet e propozuara.

Në Moskë, presidenti Vladimir Putin ka thënë se Rusia nuk do të lejojë çekuilibër në armët bërthamore.

Një ndihmës i tij ka thënë se Rusia do që procesi i reduktimit të përfshijë edhe vende të tjera, që posedojnë armë të tilla.

Obama ka mbajtur fjalimin në Portën Brandenburg, ku 50 vjet më parë ish-presidenti amerikan, John F. Kennedy, kishte deklaruar solidaritetin e tij me qytetarët e Berlinit.

Në këtë vend, ai kishte mbajtur adresimin e famshëm “Ich bin ein Berliner” më 1963 - dy vjet pas ngritjes së Murit të Berlinit, i cili ka ndarë Berlinin Lindor Komunist nga Berlini Perëndimor.

Ish-presidenti tjetër amerikan, Ronald Reagan, ka vizituar Portën Brandenburg më 1987, nga ku i ka bërë thirrje udhëheqësit të atëhershëm sovjetik, Mikhail Gorbachev, që të shembë murin.

Presidenti Obama ka nderuar të kaluarën simbolike të Portës Brandenburg.

“Fakti që ne mund të qëndrojmë këtu, përgjatë vijës që ka ndarë një qytet, flet për një të vërtetë të përjetshme: asnjë mur nuk mund të qëndrojë kundër dëshirës së drejtësisë, dëshirës së lirisë, dëshirës së paqes, që digjet në zemrën e njeriut”, ka theksuar Obama.

Si president, ai ka vizituar dy herë pjesë të tjera të Gjermanisë, por kjo ka qenë vizita e parë e tij në kryeqytet.(v.tela)
XS
SM
MD
LG