Ndërlidhjet

Opozita e indinjuar me MPJ-në më shumë sesa me Pecin


Partitë opozitare në Kosovë kanë kritikuar ashpër Qeverinë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme për mënyrën se si e ka trajtuar dorëheqjen e zyrtarit ndërlidhës në Beograd, Lulzim Peci.

Përderisa, nga Ministria e Jashtme dhe Qeveria nuk janë prononcuar lidhur me këtë çështje, deputetët opozitar kanë vlerësuar se ambasadori Peci ishte vlerësuar si një prej diplomatëve më të mirë që ka Kosova dhe nuk mund të trajtohet në formën se si e ka bërë Ministria e Jashtme.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri e ka bërë përgjegjës ministrin e Jashtëm të Kosovës për atributet që i janë mveshur Lulzim Pecit, duke e etiketuar edhe me dyshime për rrezikim të sigurisë kombëtare dhe akuzuar atë për lidhje me shërbimin sekret serb.

Haziri ka numëruar disa nga angazhimet e ambasadorit Peci në vitet e fundit me çka ai e vë në dyshim vërtetësinë e përmbajtjes së komunikatës së Ministrisë së Jashtme.

Nëse një ambasador ka qenë negociator i Qeverisë në Bruksel, i cili i ka negociuar termet e referencës dhe statusin e diplomatit ndërlidhës në Vjenë. Një ambasador që ka marrë pjesë në strategjitë diplomatike dhe në marrëdhëniet diplomatike në hartimin e dokumenteve, parimeve dhe politikave në fund të thuhet që ka qenë ambasador me lëshime dhe i lidhur me shërbime, është joserioze dhe është edhe më keq, cenues për autoritetin”, ka thënë Haziri.

Ndërkohë, deputetja e Vetëvendosjes, Alma Lama ka fajësuar kryeministrin Hashim Thaçi për dorëheqjen e Pecit.

Ajo ka rikujtuar arsyetimin e zyrtarit ndërlidhës tashmë të dorëhequr, Lulzim Peci se kryeministrit nuk i ka pëlqyer deklarata e tij e bërë në Beograd se normalizimi i plotë i marrëdhënieve me Serbinë mund të arrihet atëherë kur Serbia do ta njoh shtetin e Kosovës.

Njohja e Kosovës nga Serbia do të ishte gjëja më normale që një diplomat i Kosovës do të duhej të kërkonte, ka thënë Lama.

Në komunikatën e Ministrisë së Jashtme ka një logjikë tipike komuniste, ku ambasadori i cili deri dje ishte më i miri dhe më i nderuari, sipas ministrisë, tani shpallet spiun. Është tepër shqetësuese mënyra se si Ministria e Punëve të Jashtme i trajton diplomatët, është krejtësisht amatore dhe papjekuri”, ka thënë Lama.

Me më shumë kritika ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme sesa ndaj Pecit është shprehur edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani.

Ai ka shprehur dilema e dyshime për sqarimet që jepen në letrën e Ministrisë së Jashtme, duke i kërkuar kësaj ministrie që nëse posedon fakte që Peci ka rrezikuar sigurinë kombëtare, është dashur t’i publikojë dhe jo vetëm t’i përdorë disa akuza për etiketime.

“Ka nevojë për sqarime të detajshme se në cilat pika e ka shkelur sigurinë kombëtare të Kosovës. Nuk e besoj që fjalimi në gjuhën serbe është shkelje e sigurisë kombëtare të Kosovës, sepse edhe neve na vjen mirë kur ambasadorja amerikane tenton të flet shqip".

"Por, nëse ka takime tjera sikurse përflitet, si takime me shërbimet sekrete, atëherë duhet të sqarohen për opinionin kur kanë ndodhë, me kënd është takuar dhe çka është biseduar. Përndryshe nuk mund të degradohen njerëzit vetëm duke vënë në opinion thashetheme”, ka deklaruar Ramadani.

Pas shërbimit si ambasador në Suedi, në bazë të marrëveshjes së arritur midis Prishtinës dhe Beogradit, Lulzim Peci ishte inaguruar në postin e zyrtarit ndërlidhës të Kosovës në Beograd të hënën më 17 qershor, kurse të mërkurën, më 19 qershor, ai paraqiti dorëheqjen e tij në Prishtinë.

Në arsyetimin e tij, Peci thotë se dorëheqjen e ofron për shkak të mospajtimeve me kryeministritn Thaçi në lidhje me deklaratën e tij se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë mund të ndodhë atëherë kur ky vend do ta njeh Kosovën.

Më pas, Ministria e Jashtme i mveshi Pecit disa akuza për tejkalim kompetencash, fjalim në gjuhën serbe para mediave në Beograd, si dhe rrezikim të sigurisë kombëtare, ku thuhet se ka zhvilluar disa takime me shërbimin sekret serb.

Por, aty nuk jepet asnjë detaj tjetër që do ta vërtetonte këtë konstatim.

Në funksion të zbatimit të marrëveshjes Prishtinë – Beograd, autoritetet e Prishtinës tani kanë propozuar për postin ndërlidhës në Serbi, ambasadorin aktual në Zagreb, Valdet Sadiku.
XS
SM
MD
LG