Ndërlidhjet

logo-print

Kirby: Serbia e meriton datën për negociata


Michael D. Kirby

Michael D. Kirby

Ambasadori amerikan në Beograd, Michael D. Kirby, i ka thënë sot presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolliq, se Shtetet e Bashkuara konsiderojnë se Serbia e ka merituar që ta fitoj datën për fillimin e negociatave për pranim me Bashkimin Evropian.

Siç ka njoftuar shërbimi për media i presidencës së Serbisë, ambasadori Kirby tha se konsideron se bisedimet e sotme ndërmjet Kosovës e Serbisë në Bruksel, do të kontribuojnë që vendimi i Komisionit Evropian të jetë i tillë.

Nikolliq dhe Kirby, gjatë takimit të tyre në Beograd, janë pajtuar se fitimi i datës nga BE-ja më 28 Qershor do të ishte sinjal pozitiv, i cili i kontribuon vendosjes së stabilitetit të vazhdueshëm në Ballkan, raporton agjencia Beta.

Duke u shprehur për marrëveshjen për normalizim ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, zoti Nikolliq ka theksuar se “marrëveshja e arritur është e mirë, sepse nënkupton kompromis të dy palëve” dhe ka shtuar se “tash është koha që të zbatohet dhe që Beogradi e Prishtina me sinqeritet t’i qasen implementimit”.

Ai theksoi se Serbia e meriton marrjen e datës për fillimin e negociatave për pranim me BE-në, ndërsa eventualisht “vendimi negativ do të ishte i gabim, i cili do ta dëmtonte Serbinë dhe autoritetin e BE-së”.
XS
SM
MD
LG