Ndërlidhjet

Greqi - Maqedoni, ashpërsohet retorika


Ilustrim

Ilustrim

Greqia dhe Maqedonia kanë ashpërsuar retorikën për çështjen e emrit.

Pas deklaratës së presidentit grek, Karolos Papuljas se Shkupi do ta ketë të pamundur anëtarësim në NATO dhe BE, nëse vazhdon me politikën e maqedonizimit dhe asaj të shefit të diplomacisë maqedonase, Nikolla Poposki, i cili për ngecjet në procesin e negociatave fajësoi Greqinë, gjasat për zgjidhjen e kontestit janë zvogëluar në minimum.

Kështu vlerësojnë partitë politike opozitare, por edhe njohësit e zhvillimeve rreth çështjes së emrit.

Për ne është me rëndësi që të realizojmë qëllimin tonë strategjik me argumente dhe qëndrime parimore që kanë për bazë marrëveshjen e përkohshme mes dy vendeve për kapërcimin e kontestit. Pra, në gjithë këtë proces ne jemi palë konstruktive kurse topi është tek pala greke, e cila nuk po tregon asnjë gatishmëri për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për të dyja vendet“, ka deklaruar ministri i Jashtëm, Nikolla Poposki.

Ish ambasadori i Maqedonisë në NATO, Nano Ruxhin, thotë se pozicioni i tillë i fortë i autoriteteve maqedonase do të ndërlikojë edhe më shumë procesin negociues.

Ai thotë se askush nuk dëshiron ndërrimin e emrit, por duhet të gjendet ndonjë zgjidhje për të dalë nga situata aktuale.

“Pushteti aktual edhe më tej do të insistoj të luaj me gjoja urtësinë dhe ti gënjej të gjithë me qëllimin e vetëm që të fitojë në zgjedhje. Kjo qasje nuk do të ndryshojë asgjë, do të mbetemi në vend dhe ndërkohë problemet me bashkësinë ndërkombëtare nuk do të hiqen nga agjenda“, thotë Nano Ruxhin.

Autoritetet maqedonase po mbajnë një qëndrim të rreptë për çështjen e emrit përkundër kërkesës së vazhdueshme të partnerit shqiptarë në qeveri, BDI-së, e cila vazhdon aktivitetet diplomatike për të kërkuar ndërhyrje nga jashtë për zgjidhjen e kontestit.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti në takimin me ambasadorin e Greqisë në Shkup, Haris Lalakos ka thënë se “palët duhet me kurajo të dialogojnë rreth propozimeve të fundit të ndërmjetësit të OKB-së, Metju Nimic dhe të arrijnë një kompromis të pranueshëm për të gjithë“.

Ahmeti, siç thuhet në një komunikatë të BDI-së ka thënë se “mbyllja e kontestit do të sjellë paqe, stabilitet, siguri, marrëdhënie të mira ndërentike dhe ndërfqinjësore, por edhe zhvillim ekonomik“.

Por, partitë opozitare thonë se aktivitet e tilla të partnerit shqiptar nuk do të sjellin asnjë ndryshim pasi çelësi i zgjidhjes së problemit qëndron në duart e Gruevskit, i cili gjatë kësaj periudhe nuk është treguar konstruktiv dhe transparent siç pretendon pasi opinioni thuajse nuk është i njoftuar me qëndrimet apo propozimet për zgjidhjen e kontestit.

“Nëse tani do të dilte me ndonjë propozim se qëndron pas ndonjë ideje për ndryshimin e emrit apo arritjen e ndonjë kompromisi, ai do të futej në grupin e tradhtarëve pasi kështu ka bërë me gjithë ata që kanë dalë me qëndrime të tilla. Pra, edhe përkundër presionit të fundit nga SHBA-të, unë nuk pres që Gruevski të bëjë diçka të tillë. Ai tani shtatë vite çështjen e emrit po e mban si një sekret të madh shtetëror“, thotë Tito Petkovski, një nga liderët e frontit opoiztar.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë ishte e obliguar që deri në gjysmën e parë të këtij muaji të dalë më qëndrimin e saj rreth propozimit të fundit të ndërmjetësit të OKB-së, Metju Nimic, por një gjë e tillë deri më tani nuk ka ndodhur.

Edhe pse zyrtarisht nuk është kumtuar, Nimic si zgjidhje kompromisi ka ofruar emrin, Republika e Maqedonisë Veriore, emër ky që nuk do të prek çështjet e identitetit dhe të gjuhës dhe që do ishte për përdorim të përgjithshëm.
XS
SM
MD
LG