Ndërlidhjet

Pillay: Shqetësime për amnistinë dhe reagimet e veteranëve të UÇK-së


Atifete Jahjaga dhe Navi Pillay

Atifete Jahjaga dhe Navi Pillay

Kosova ka bërë përparime në çështjet e të drejtave të njeriut, por ende mbetet shumë punë për të bërë, ka deklaruar të enjten në Prishtinë, komisionarja e Lartë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillay.

Këto komente, zyrtarja e lartë e OKB-së i ka bërë gjatë një konference për gazetarë, në përmbyllje të vizitës së saj dyditëshe në Kosovë, me ç’rast ajo është takuar me presidenten Atifete Jahjaga dhe përfaqësues të autoriteteve më të larta të vendit dhe pranisë ndërkombëtare, për të diskutuar të drejtat e njeriut në Kosovë.

Pillay ka shfaqur shpresën e saj se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, do të jetë në funksion të përparimeve të nevojshme në fushën e të drejtave të njeriut dhe fuqizimin e sundimit të rendit ligjor.

“Unë jam e inkurajuar nga marrëveshja e arritur së fundmi në Bruksel dhe vazhdimi pozitiv i dialogut me Beogradin, që ka lëvizur një hap tutje me shkëmbimin e zyrtarëve ndërlidhës të të dyja vendeve gjatë kësaj jave. Unë, gjithashtu, e mirëpres marrëveshjen, e cila synon të përmirësojë rendin e ligjin dhe të drejtat e njeriut për të gjithë banorët e veriut të Kosovës”, ka thënë Pillay.

Mirëpo, Pillay ka shprehur shqetësimin e saj me ligjin në procedurë që ka Qeveria e Kosovës për amnistinë, si pjesë e marrëveshjes ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“Është shumë e qartë se me ligjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe humanitare dhënia e amnistisë është shkelje e ligjeve ndërkombëtare, posaçërisht për krime shumë të rënda. Pra, këto janë standardet dhe nuk duhet të ketë amnisti të përgjithshme”, ka thënë zonja Pillay.

Komisionarja e OKB-së u ka bërë thirrje autoriteteve në të gjitha nivelet që të angazhohen në promovimin e drejtave të njeriut për të gjithë, pavarësisht nga përkatësia e tyre kombëtare, origjina, identiteti gjinor, apo statusi shoqëror.

Ndërkaq, ngjashëm me Ligjin për amnistinë, Pillay ka shprehur shqetësimin e saj për reagimet e strukturave të veteranëve të luftës së UÇK-së dhe disa deputetëve të Kosovës, pas arrestimeve të disa pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën dyshimet për krime lufte.

“Krimet e luftës janë krime lufte dhe secili që ka kryer, qoftë mik apo armik, duhet të sillet para drejtësisë”, ka deklaruar Pillay.

Ajo ka shprehur shqetësimin e saj edhe në lidhje me mungesën e një programi efikas për mbrojtjen e dëshmitarëve në Kosovë.

Gjatë kësaj konference, Pillay ka inkurajuar autoritetet përgjegjëse në Kosovë që të mos i ndalin angazhimet në përpjekje për të krijuar një administratë efikase, gjyqësor të pavarur dhe legjislacion të reformuar që respekton liritë dhe të drejtat e çdo individi në Kosovë.

Ndryshe, në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, Pillay është pritur edhe nga presidentja Atifete Jahjaga. Ajo e ka njoftuar zyrtaren e lartë të OKB-së për hapat dhe avancimet që ka bërë Kosova në kultivimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut, të cilat i ka inkorporuar në Kushtetutën dhe ligjet e saj.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG