Ndërlidhjet

Thaçi e Daçiq arrijnë "përparim konkret"


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje të pjesshme për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, pas takimit që nisi të enjten mbrëma, ndërsa mbaroi në orët e para të së premtes.

Kryeministrat e dy vendeve Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, zgjidhën detajet për disa çështje të hapura në fushën e drejtësisë, policisë dhe rreth zhvillimet të zgjedhjeve lokale në vjeshtë.

Mikpritësja e takimit, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton tha se në këto negociata është analizuar progresi i deritashëm dhe se ka “progres konkret” drejt normalizimit të raporteve.

“Është bërë punë e mirë dhe është arritur progres konkret. Kryeministrat sot shkuan tutje dhe u pajtuan për një varg çëshjesh të hapura, në veçanti në fushën e drejtësisë, policisë dhe zgjedhjeve të ardhshme komunale ”, tha Ashton.

Takimi është zhvilluar para takimit të liderëve të BE-së, i caktuar për javën e ardhshme më 28 qershor, për të vlerësuar nëse është arritur mjaft progres në pajtimin e palëve, në mënyrë që Serbia të merr datën e anëtarësimit në BE, dhe që Kosova të nis negociatat për paktin e stabilizimin asociimit.

“Në saje të takimit të Këshillit [të ministrave] dhe Këshillit Evropian javën e ardhshme, unë do të njoftoj vendet anëtare të BE-së për progresin dhe zbatimin e marrëveshjes”, ka thënë Ashton në një deklaratë që lëshoi pas takimit.

Darka e punës në Bruksel që nisi në orën nëntë të mbrëmjes të enjten, ka mbaruar rreth orës 3 pas mesnate.

Pavarësisht paralajmërimeve, palët nuk arritën që gjatë asaj kohe të pajtohen për temat e telekomit dhe energjetikës.

Kryeministri Hashim Thaçi tha pas takimit se ka pajtueshmëri të përgjithshme për zgjedhjet komunale që do të zhvillohen në vjeshtë “reformën, mënyrën e organizimit të zgjedhjeve, periudhat kohore, e në të njejtën kohë që do të ftohet edhe OSBE-ja si lehtësuese, menaxhuese dhe organizuese e këtyre zgjedhjeve”.

“Kemi vazhduar së diskutuara edhe sa i përket policisë, mundësisë së emërimit të shpejt të komandantit regjional në Mitrovicë, që duhet të punoj sipas ligjit dhe standardeve kosovare. Kemi shënuar progres edhe në ligjin për amnisti, megjithëse të dy ministrat e drejtësisë janë duke vazhduar së diskutuari, edhe me ekipet e tyre profesionale që ta përmbyllin sonte përfundimisht”, tha ai.

Kështu që lirisht mund të them se ka qenë një takim i vullnetit të mirë, të ecjes përpara, dhe i implementimit të marrëveshjes së 19 prillit, ndërsa jemi dakorduar në të njëjtën kohë që takimi i radhës të mbahet në nivel të kryeministrave më 8 korrik”, theksoi kryeministri Thaçi.

Ndërkaq, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ndërkaq pas kthimit nga Brukseli, shpjegoi se orientimisht 3 nëntori është data e mbajtjes së zgjedhjeve komunale në veri të Kosovës, ndërsa konfirmoi se është arritur një pajtim për komandantin rajonal të policisë në veri.

Në një konferencë për shtyp në Beograd, Daçiq tha se bisedimet maratonike me homologun e tij Hashim Thaçi, e kanë sjellë Serbinë më pranë “vendimit pozitiv, që të vendoset për datën” e negociatave për anëtarësim të Serbisë në BE.

Sipas tij, një vlerësim pozitiv nga këshilli i ministrave të BE-së, “vetëm sa do të ndihmonte zbatimin më të lehtë dhe efikas” të asaj për çka u pajtua gjatë negociatave në Bruksel.

“Për ne është shume e rëndësishme që serbët do të mund të votojnë me dokumente të Serbisë, që do të mund të kenë përfaqësuesit dhe shefin e tyre në komisionet zgjedhore, aty ku jetojnë”, tha Daçiq.

Bisedimet do të vazhdojnë në nivel të kryeministrave më 8 korrik, ndërsa grupet punuese do të vazhdojnë punën në temat e energjetikës dhe telekomit gjatë ditës së sotme, dhe ditëve të ardhshme. (f.aliu)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG