Ndërlidhjet

Kosova, udhërrëfyes i SHBA-ve për Sirinë


Ilustrim
Ilustrim
U bënë 14 vjet që kur Shtetet e Bashkuara, duke mposhtur edhe barrierat e Rusisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, filluan një fushatë ajrore për të ndalur agresionin e përgjakshëm të një tirani në vendin e tij.

Me mbështetjen amerikane, guerilët në Kosovë, e cila atëbotë ishte ende krahinë e Serbisë, arritën të mposhtin armatën e Sllobodan Millosheviqit dhe të marrin kontrollin, shkruan në numrin e sotëm e përditshmja “Washington Post”.

Bordi editorial i kësaj gazete rikujton se kritikët e asaj kohe, mendonin se intervenimi amerikan do të shkaktonte kaos dhe do të forconte radikalët, por në vend të kësaj, u hap rruga për demokratizimin e Serbisë, për pavarësinë e një Kosove demokratike dhe së fundmi, për nisjen e pajtimit.

Duke rikujtuar marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 19 prill të këtij viti për normalizimin e raporteve midis dy vendeve, WP vlerëson se ajo është e mrekullueshme si në rrafshin personal, ashtu edhe në atë politik.

“Zoti Thaçi ishte armik i përbetuar i zotit Daçiq, bashkëpunëtorit të ngushtë të zotit Millosheviq, dhe qeveria e Serbisë asnjëherë nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Marrëveshja, megjithatë, i bën thirrje Serbisë që ta pranojë autoritetin e qeverisë së Kosovës në gjithë territorin e vendit, në këmbim të një autonomie më të gjerë në lokacionet ku serbët etnik përbëjnë shumicën”, shkruan WP.

Kjo zgjidhje fillestare është një shembull se si ndërhyrja e Perëndimit mund t’i japë fund një lufte etnike të përgjakshme dhe kryeneçe - por gjithashtu dëshmon se sa shumë përpjekje duhet bërë.

WP rikujton angazhimin e vazhdueshëm të trupave të NATO-s në Kosovë dhe diplomacinë e palodhshme të baroneshës Ashton për të arritur deri në këtë pikë, ndonëse, siç shkruan gazeta, për fat të mirë zonja Ashton ka ofertë të vlefshme, prospektin e anëtarësimit të mundshëm në BE për të dyja vendet.

“Shtetet e Bashkuara duhet ta mbështesin ambicien e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe duhet të bëjnë trysni mbi vendet që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, përfshirë këtu edhe disa nga fqinjët e saj në Evropën Juglindore".

Por, mbi të gjitha, shkruan WP, administrata e zotit Obama do të mund të marrë mësim nga historia.

"Ndërhyjet e kufizuara ushtarake të Shteteve të Bashkuara, të shoqëruara me diplomaci dinamike, mund të shpëtojnë jetë dhe të stabilizojnë rajone të trazuara, edhe me kusht që Rusia dhe Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk pajtohen, shkruan në fund e përdtishmja "Washington Post". (a.v.)
XS
SM
MD
LG