Ndërlidhjet

Gjatë këtij viti Kosova do t'i përmbushë nevojat e popullatës me grurë deri në 80 për qind, konsiderojnë zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përderisa me një shifër të tillë nuk pajtohen përfaqësues të bujqve.

Adil Behramaj, zëdhënës në Ministrinë Bujqësisë, tregon se Kosova ka të mbjellë afër 87 mijë hektarë grurë, do të thotë rreth 3000 hektarë më tepër se vitin e kaluar. Për të mbuluar tregun, Kosovës i nevojiten 410 mijë tonë grurë, përderisa nga prodhimi i brendshëm arrihen të sigurohen mbi 300 mijë tonë.

Ai thotë se tashmë kanë filluar përgatitjet për fushatën e korrje-shirjeve.

“Nevojat konsumuese për kokë banori sillen 205 kilogramë në vit, që shumëzuar me numrin e përgjithshëm të popullsisë, sillen deri në 410 mijë tonë. Importi vjetor sillet në 120 mijë tonë, mirëpo nuk ka destinancion vetëm konsumin, por edhe konsumin e bagëtive dhe kategoritë të tjera. Pra, 300 mijë tonë sigurohen nga prodhimtaria bujqësore vendore, do të thotë rreth 80 për qind të nevojave pritet që të përmbushen gjatë këtij viti”, bën të ditur Behramaj.

Në anën tjetër, Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve, thotë se Kosova edhe këtë vit do të varet nga importi i prodhimeve të grurit.

Sipas tij, Kosova në këtë vit nuk mund të sigurojë bukën, pasi do të mund të sigurojë grurë vetëm për 40 për qind të popullatës. Tahiri thotë Kosova ka sipërfaqe të mbjella me grurë deri në 60 mijë hektarë.

“Sipas të dhënave që kemi ne, si sindikatë, dhe vëzhgimit që kemi bërë në terren, nuk do të sigurojmë bukën as sivjet, pasi që nuk ka sipërfaqe të mjaftueshme të mbjella me grurë".

"Sivjet gjendja e grurit nuk është e kënaqshme, për të pritur rendimente të larta. Ne mendojmë se janë afër 60 mijë hektarë të mbjellë me grurë dhe me këtë sipërfaqe mund të arrijmë të përmbushim vetëm 40 deri 50 për qind të nevojave të kosovarëve për bukë"
, shprehet Tahiri.

Sidoqoftë, Ministria e Bujqësisë edhe sivjet ka ndarë një fond prej 4.6 milionë eurosh për të subvencionuar fermerët që kanë mbjellë sipërfaqe me grurë.

Behramaj, ndërkaq, thekson se sivjet ka pasur rritje për subvencione për 25 për qind.

“Aplikues në masën e grurit kanë qenë 11 700 fermerë, shumica prej tyre janë përfitues. Ne e kemi filluar edhe ekzekutimin e pagesave direkt dhe këtë javë është procedura për pagesën e një liste prej 5400 fermerëve".

"Vlen të theksohet se sivjet kemi pasur rritje të subvencioneve për 25%. Për një hektar të mbjellë, fermeri subvencionohet me 125 euro, ndërsa kostoja e përgjithshme e mbjelljes së një hektari arrin deri në 500 euro",
shpjegon Behramaj.

Por, Federata Sindikale e Bujqve e konsideron të vogël shumën prej 125 eurosh për një hektar të mbjellë me grurë.

“125 euro për një hektar dhe për ata që mund t'i plotësojnë kriteret, sepse Ministria e Bujqësisë ka vënë kritere se kush i mbjell mbi dy hektarë, e kur dihet se në Kosovë, sipërfaqet për familje janë të vogla dhe gati 50 për qind të atyre që kultivojnë grurë, nuk mbjellin as dy hektarë. Do të thotë deri në 50 për qind të fermerëve nuk mund të gëzojnë subvencione dhe për këtë është ajo pakënaqësia”, vlerëson Tahiri.

Eventualisht, nëse Kosova nuk arrin të sigurojë grurë të mjaftueshëm për sivjet, atëherë rritet çmimi i bukës, për shkak të importit të prodhimeve të grurit.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG