Ndërlidhjet

Importi kërcënon prodhuesit vendorë


Prodhime kosovare

Prodhime kosovare

Prodhuesit në Kosovë ankohen se produktet e importuara nga shtete të ndryshme të botës po rrezikojnë produktet e tyre. Këto vende, sipas tyre, kanë politika më të mira fiskale dhe janë të liruara nga ngarkesa tatimore, derisa produktet e Kosovës nuk kanë lehtësira të tilla.

Importet në Kosovë për vite me radhë kanë dominuar krahas eksporteve. Gjatë muajit mars deficiti tregtar i Kosovës ka qenë 172.1 milionë euro. Në këtë muaj, eksportet mbulojnë importet me vetëm 11.8 për qind. Në total nga eksportet u realizuan prej 23.1 milionë euro, derisa importi prej 195 milionë euro.

Këto të dhëna, sipas përfaqësueseve të biznesit, duhet t’i shtyjnë institucionet e Kosovës që të ndërmarrin masa konkrete për favorizimin e prodhuesve vendorë.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se prodhuesit vendorë janë në një pozitë të palakmueshme krahasuar me prodhuesit e shteteve tjera.

“Prodhuesi vendor është tejet i sulmuar nga importi i madh i produkteve të vendeve të ndryshme, e sidomos nga shtete që Kosova ka marrëveshje CEFTA, që nuk i nënshtrohen taksës doganore. Kurse, disa prodhime të Kosovës, për lëndën e parë për prodhim paguajnë doganë dhe TVSH. Kjo e dobëson forcën konkurruese të biznesit vendor dhe e bën të pabarabartë në tregun e Kosovës, e lëre më për eksport jashtë vendit”, thotë Shahini.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se eksportin e Kosovës e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, produktet minerale. Përqindja më e madhe e eksportit të produkteve kosovare, bëhet nga vendet e Bashkimit Evropian, Shqipëria, Zvicra dhe Maqedonia.

Ndërsa, importohen produktet minerale, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani. Përqindja më e madhe e importit është nga vendet e Bashkimit Evropian, Serbia, Maqedonia,Gjermania, Italia, Turqia si dhe Kina.

Kompania “Pestova”, në Vushtrri merret me prodhimin dhe përpunimin e patates. Bedri Kosumi, pronar i kësaj kompanie, tregon për Radion Evropa e Lirë se produktet e tyre po rrezikohen nga një konkurrencë e padrejtë.

“Importi është shumë agresiv. Ne dëshirojmë të jemi konkurrentë , mirëpo jemi në një konkurrencë të pabarabartë për shkak se kostoja e prodhimit në Kosovë është më e lartë se sa në vendet tjera. Por, gjithsesi ne po punojmë dhe po mundohemi të punojmë”, shprehet Kosumi.

Sipas tij, deri më tani ka pasur disa përparime ku janë stimuluar prodhuesit vendorë, por ajo e cila kërkohet është heqja e taksës për lëndën e parë.

Mjaft kritik për politikat e pafavorshme fiskale në Kosovë shprehet edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini. Ai thekson se prodhuesit vendorë obligohen me shumë taksa doganore që nuk i kanë prodhuesit e vendeve të rajonit apo më gjerë.

“Politikat nga vitit në vit janë në përmirësim e sipër, por jo në nivelin e kërkuar të bizneseve për arsye se për lëndë të parë dhe teknologji, paguhet dogana dhe TVSH-ja në momentin kur hyn malli në kufi dhe kjo bën që biznesi vendor të paguajë gjithë këto obligime pa e hedhur produktin e vet në shitje, pa e prodhuar dhe kjo nuk ndodh askund përveç në Kosovë”, bën të ditur Shahini.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG