Ndërlidhjet

Hoxhaj: Kosova aplikon për anëtarësim në Këshillin e Evropës


Enver Hoxhaj
Enver Hoxhaj
Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, beson se Kosova ka përkrahjen e dy të tretave të nga 47 anëtarët e Këshillit të Evropës që të anëtarësohet në këtë institucion. Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Hoxhaj flet edhe për dialogun me Serbinë, si dhe për dorëheqjen e ish-zyrtarit ndërlidhës Lulzim Peci.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hoxhaj, sipas informacioneve të fundit, Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Konsideroni se janë pjekur kushtet për këtë veprim?

ENVER HOXHAJ
Javën e kaluar ne jemi anëtarësuar në Bankën Evropiane për Zhvillim dhe ne gjatë këtyre muajve të fundit i kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe kemi hartuar një dokument strategjik dhe mund t’ju them që ne së shpejti do të aplikojmë për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Ka dy institucione që janë vendimmarrëse për pranimin e një anëtarësimi të tillë. Së pari është Komiteti i Ministrave të Punëve të Jashtme. Këshilli i Evropës i ka 47 anëtarë. Prej këtyre 47 anëtarëve, neve na duhen dy të tretat, ku bëjnë pjesë 34 vendet që e kanë njohur Republikën e Kosovës. Por, edhe në mesin e vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën do të ketë që do të votojnë pro anëtarësimit të saj në Këshill të Evropës.

Kurse, niveli i dytë i vendimmarrjes është Asambleja e Përgjithshme, e cila përbëhet nga deputetët e parlamenteve nacionale të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës. Mendoj se ne, si Ministri e Punëve të Jashtme e kemi mbështetjen e 37 vendeve që të anëtarësohemi në këtë Këshill. Tani mbetet që deputetët e Kuvendit të Kosovës të punojnë me kolegët e tyre deputet të Asamblesë së Përgjithshme me qëllim që ne të bëhemi anëtar.

Mendoj që është çështje javësh dërgimi i kërkesës që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës, që do të ishte anëtarësimi më i madh që ka pasur Kosova këto pesë vjetët e fundit.

RADIO EVROPA E LIRË
Anëtarësimi mund të jetë një proces. Sa konsideroni se do të zgjasë?

ENVER HOXHAJ
Po, anëtarësimi është një proces që mund të zgjasë dy deri në tri vjet, meqë vendeve të rajonit, si Maqedonisë, i ka marrë dy vjet, Serbisë po ashtu, kurse Bosnjës tri vjet. Ka dinamika të ndryshme të anëtarësimit. Kjo nënkupton që nga koha e paraqitjes së aplikacionit dhe nga verifikimi i progresit të brendshëm që do të duhet të bëhet sa i përket përparimit në sundimin e rendit dhe ligjit, respektimit të drejtave të njeriut dhe miratimit të disa konventave që anëtarësimi të jetë i plotë.

EVROPA E LIRË
Nëse mund të kalojmë në një temë tjetër... Dialogu Prishtinë - Beograd në nivel të kryeministrave ka vazhduar këto dy ditët e fundit. Cilat janë rezultatet. Ka përparime?

ENVER HOXHAJ
Gjatë këtyre dy ditëve të fundit, të dy kryeministrat janë takuar disa herë. Ka pasur përsëri një proces dialogues që ka zgjatur disa orë. Sipas kontakteve të mia direkte me kryeministrin Thaçi, ka përafrim në çështje konkrete, siç është organizimi dhe data e mbajtjes së zgjedhjeve. Ka përafrim edhe sa u përket çështjeve që kanë të bëjnë me sektorin e sigurisë dhe zhbërjen e strukturave ilegale të sigurisë dhe policisë.

Por, do të duhej që ditët në vijim grupet teknike nën udhëheqjen e zonjës Tahiri edhe më tutje t’i qartësojnë disa çështje si telekomi, energjetika, që janë kryesisht teknike dhe më pak politike.

Marrë në tërësi ka një përafrim, por duket që do të ketë nevojë ende për punë.

RADIO EVROPA E LIRË
A është arritur përparim i mjaftueshëm në dialog që Kosova të marrë dritën jeshile nga Këshilli i Ministrave i BE-së për nisjen e negociatave për MSA?

ENVER HOXHAJ
Kosova ka bërë përpjekje maksimale që me një dialog për normalizimin e relacioneve mes Kosovës dhe Serbisë, të bëhet një partner i rëndësishëm evropian. Në këtë proces kemi bërë disa hapa që të arrihet marrëveshja dhe kuptohet që vendimet që janë marrë dhe të cilat nuk kanë qenë të lehta, kanë qenë vendime në të mirë të Kosovës dhe rajonit, por edhe në favor të mbështetjes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian karshi rajonit të Ballkanit dhe politikës së zgjerimit.

Andaj, Republika e Kosovës duhet të shpërblehet nga Brukseli për sjelljen e saj evropiane dhe shumë konstruktive në një proces të tillë.

Hapja e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim - Asociimit (MSA) është kyç, jo vetëm sa i takon agjendës evropiane të Kosovës dhe integrimit të saj në BE, por është kyç edhe sa i takon forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës meqë është një marrëdhënie kontraktuale në mes të Kosovës dhe BE-së. Ky do të ishte një argument i fuqishëm edhe jashtë Evropës se si të tjerët duhet ta shohin shtetësinë e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ministria e juaj ka reaguar tejet ashpër në lidhje me dorëheqjen e zyrtarit ndërlidhës në Beograd, Lulëzim Peci. Mund ta shpjegoni pse erdhi deri te dorëheqja dhe pse u desh të reagohet në atë formë?

ENVER HOXHAJ
Mendoj që çdo përfaqësues i Republikës së Kosovës, qoftë në rangun e ambasadorit, apo diplomatë të tjerë, nuk e përfaqësojnë veten e tyre dhe egon e tyre, por shtetin e Kosovës, qëndrimet politike dhe në përputhje me ligjet e Kosovës, në përputhje me udhëzimet tona në fuqi. Kërkohet që të ketë bashkëkoordinim dhe bashkërendim të secilit diplomat apo ambasador me Ministrinë e Jashtme, për çdo deklaratë, qëndrim politik që jep.

Për ne rasti i ish-ambasadorit Peci është i mbyllur, por ai në dorëheqjen e tij pas 48 orësh dhe në interpretimin politik që i ka dhënë kësaj situate, po dëshmon edhe më tutje që përcillet me papjekuri politike. Është sjellje jopolitike dhe dëmton imazhin e vendit. Më lejoni të përmend një raport të këtyre ditëve të baroneshës Ashton, të cilin ajo ua ka shpërndarë vendeve anëtare dhe komisionari Fyle e përmend këtë dorëheqje, ngase një lajm i tillë nuk ishte i mirë për Kosovën.

Sidomos duhet veçuar edhe pretendimin e tij se ai ka pasur gjoja konflikt me kryeministrin, se kryeministri gjoja qenka kundër normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë përmes njohjes nga ana e Serbisë - nuk qëndron. Deklarata të tilla kryeministri ka bërë disa herë në Kuvendin e Kosovës, ndërsa unë në çdo paraqitje me zyrtarë ndërkombëtarë kam thënë se normalizimi i plotë me Serbinë arrihet atëherë kur Serbia e njeh Kosovën.

Dialogu aktual ka të bëjë me fazën fillestare të krijimit të bazës se si do të normalizohen këto marrëdhënie.

RADIO EVROPA E LIRË
Po komunikata e MPJ-së, e cila nga opozita u cilësua si cenim i integritetit të Lulzim Pecit, duke u bazuar në thashetheme. A kanë bazë ato akuza që u përmendën në të?

ENVER HOXHAJ
Mendoj që të gjitha partitë politike në Republikën e Kosovës edhe këto të cilat formojnë koalicionin qeverisës, edhe ato të opozitës, duhet të interesohen për temat, që janë jetike të politikës së jashtme dhe jo për çështje të politikës së brendshme, realisht shpenzohet aq shumë zhurmë.

Çdokush që synon të thotë diçka për politikë të jashtme, duhet ta shtrojë pyetjen se si Kosova në këto 10 vjetëve të fundit është prapa vendeve të rajonit për 10 vjet me agjendën e tyre evropiane.

Kuptohet që shpjegimi racional është se ne e kemi shpallur pavarësinë para 5 vjetësh, por duhet të angazhohemi që agjendën tonë evropiane ta bëjmë agjendë të të gjithëve. Mandej, kemi vështirësi të mëdha në integrimin e Kosovës në sistem ndërkombëtar.

Edhe më tutje kemi sfida sa i përket forcimit të pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe shumë elemente, të cilat janë të natyrës së politikës së Jashtme. Dhe, fakti që unë nuk dëgjoj sugjerime, propozime dhe këshilla për tema, të cilat e përbëjnë politikën e jashtme të një vendi, mendoj që deklaratat që janë bërë për një rast të caktuar, nuk do të meritonin shumë vëmendje.
XS
SM
MD
LG