Ndërlidhjet

Kerry: Të përfundoj “jobalanca” në Siri


John Kerry
John Kerry
Sekretari ameirkan i shtetit, John Kerry, tha sot se mbështetësit e opozitës së Sirisë do ta shtojnë ndihmën ushtarake dhe atë të natyrës tjetër, me qëllim që të përfundoj “jobalanca” në terren, që është në favor të regjimit të presidentit, Bashar al-Assad.

Mëtutje, duke folur në konferencën e “Miqve të Sirisë” në nivel të ministrave të jashtëm në Doha të Katarit, zoti Kerry theksoi se Uashingtoni mbetet i përkushtuar për planin e paqes, i cili përfshinë konferencën në Gjenevë dhe qeverinë e tranzicionit, të formuar nga regjimi i Assadit dhe opozita.

Sipas zyrtarit të lartë amerikan, kryengritësve në Siri u duhet më tepër mbështetje “për qëllimin që të jenë të aftë të shkojnë në Gjenevë për të pasur mundësi ta diskutojnë jobalancën në terren”.

Kryeministri i vendit mikrpritës të konferencës, Katar, Sheikh Hamad bin Jassim al-Thani, tha se furinizimi i kryengritësve me armatim është e vetmja mënyrë për zgjidhjen e konfliktit.

Në takim u përfaqësuan 11 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë evropiane dhe rajonale.

Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara thanë se kanë dëshmi se qeveria e Sirisë kishte përdorë armatim kimik dhe se Uashingtoni tash është i gatshëm të filloj dërgimin e armatimit për kryengritësit.

Bashkimi Evropian e ka tërhequr embargon e vet në furnizime me armatim për opozitën në Siri.

Luftëtarët opozitarë aktualisht kanë pësuar një seri të pengesave në luftën e tyre kundër forcave të qeverisë, të cilat mbështeten nga Rusia, Irani dhe lëvizja Hezbollah.
XS
SM
MD
LG