Ndërlidhjet

Shqipëri: Thirrje për të respektuar rezultatin zgjedhor

  • RFE /RL

Shqipëri...

Shqipëri...

Partitë më të mëdha shqiptare kanë nisur festën dhe mohimin e fitores së tjetrit në zgjedhjet e së dielës, në një proces, i cili u shoqërua me vrasjen e një 53 -vjeçari në Laç, dhe plagosjen e një kandidati për deputet.

Kryeministri në detyrë, Sali Berisha, tha para mbylljes së votimeve se do të respektojë verdiktin e popullit, kurse pak pas mbylljes së votimeve kryesocialisti Edi Rama tha se rilindja fitoi përballë rrënimit.

Rezultate të mira në zgjedhjet e përgjithshme deklaruan edhe Aleanca Kuq e Zi, dhe Fryma e Re Demokratike.

Shumë pyesin nëse Shqipëria do të dalë nga këto zgjedhje si shtet i demokracisë apo kontestimit, proces ky zgjedhor, i cili pritet të përcaktojë të ardhmen e integrimeve evropiane të saj.

Ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë, Carl Bildt, shkroi në Twitter që është “e rëndësishme që të gjitha palët në Shqipëri të respektojnë plotësisht rezultatet e zgjedhjeve parlamentare sot (të dielën)”.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, shkruan në Twitter se “Shqipëria po përpiqet të fitojë”, kurse zëvendësministri Petrit Selimi vë theks në “vdekjen tragjike në veriun rural”, por përndryshe vlerëson se nuk pati ankesa tjera të mëdha.

Në këtë rrjet social mendimet i shprehën edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Alma Lama, e cila shkroi se dhuna është produkt i “gjuhës së urrejtjes të liderëve politikë”. E, për kolegun e saj nga Lidhja Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, sipas shkrimit në Twitter, zgjedhjet ishin të qeta.

49,86% është pjesëmarrja në votimet e së dielës në Shqipëri, sipas portalit zyrtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Pesë orë pas kohës zyrtare të mbylljes së vendvotimeve, të dhënat janë të pjesëshme në këtë portal, sepse aty figuron se shumica e qendrave të votimit ende nuk i kanë dërguar dhe dorëzuar materialet zgjedhore.

Mbi 6,200 forca policore janë angazhuar nga Ministria e Brendshme që të ruajnë qetësinë dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, të cilët kanë për detyrë edhe shoqërimin e materialeve deri në vendet e numërimit të votave.

Procesi zgjedhor u trondit që në mëngjes kur pas një shkëmbimi zjarri jashtë një qendre votimi në Laç, u vra një komisionar i Partisë Socialite për Integrim.

Në incident plagoset edhe kandidati i Partisë Demokratike, kushëriri i tij dhe një tjetër. Ende askush s’është arrestuar për vrasjen, por shtatë dëshmitarë u shoqëruan në polici.

Incidente tjera, nga më të ndryshmet u raportuan gjatë tërë kohës së zgjedhjeve nga mediat shqiptare dhe korrespondentët e tyre gjithandej shtetit. Edhe policia pas dreke doli e tregoi se evidentoi dhe hetoi incidente në Tiranë, Gjirokastër, Vlorë, Elbasan, Korçë e qytete tjera.

Numërimi i votave pritet të zgjasë të paktën 12 orë pandërprerë, kohë kjo kur besohet se do të shpallen edhe shifrat e sakta të pjesëmarrjes së zgjedhësve në votime, por edhe rezultatet e para të partive më të mëdha politike.

--
Ka përfunduar orari zyrtar i procesit të votimit për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, që u zhvilluan të dielën.

3.271.885 qytetarë u ftuan të votojnë si zgjedhësit e 140 deputetëve të legjislaturës së re parlamentare.

Që të gjithë, ushtruan të drejtën e votimit në 5 508 qendra votimi të shpërndara në të gjithë territorin e vendit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte njoftuar se në prag të orarit zyrtar të mbylljes së qendrave të votimit, se ato që kanë radhë, do të mbesin të hapura derisa të votojnë të gjithë votuesit.

Dy oponentët kryesor politik, Sali Berisha e Edi Rama, kanë shfaqur mendime të ndryshme për këtë vendim të KQZ-së.

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha kërkoi që qendrat e votimit të mbahen hapur deri në votuesin e fundit, ndërsa kryesocialisti Edi Rama ka kërkuar nga KQZ-ja që të mbaj qendrat e votimit hapur, vetëm për ata votues që gjenden brenda qendrave të votimit.

Procesi i votimit është paraparë të mbyllet në ora 19.
--
Shqipëria sot vendos për fatin e saj, se kush do ta qeverisë në katër vitet e ardhshme, në zgjedhjet, të cilat priten të përcaktojnë të ardhmen e shtetit shqiptar në integrimet e mëtejme në Bashkimin Evropian.

Por, procesi zgjedhor është shënuar me disa incidente, prej të cilëve më i rëndi ndodhi në mëngjes, kur një person u vra në Laç. Forcat e rendit të Qarkut të Lezhës njoftojnë se ngjarja ka ndodhur jashtë ambienteve të qendrës së votimit në Laç.

Policia dyshon se viktima, që ishte komisionar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka pasur një konflikt paraprak në qendrën e votimit, me një simpatizant të Partisë Demokratike, i cili ka mbetur i plagosur. Motivet politike, dyshohet se ishin shkaktarë të këtij incidenti të rëndë.

Zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit janë të tetat që zhvillohen në Shqipëri, që nga vendosja e sistemit pluralist politik në vitin 1991, kurse shteti shqiptar ka pasur kaherë probleme me organizimin e zgjedhjeve të rregullta, andaj e ka të kushtëzuar kalimin e këtij provimi demokratik për të mbajtur zgjedhje fer, për t’u integruar në BE.

Mbi 3.3 milionë persona kanë të drejtë vote në zgjedhjet e së dielës, të cilën detyrë mund ta kryejnë në 5508 qendra të votimit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën të ditur se deri në ora 16h00 kanë votuar 43.18 përqind e zgjedhësve.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjithçka ka rrjedhur pa probleme në hapjen e qendrave të votimit në orën shtatë të mëngjesit, kurse kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi ka bërë thirrje për dalje masive në votime.

Megjithatë, incidente të ndryshme e kanë përcjellë gjatë ditës procesin zgjedhor.

Komisionarët në Qendrat zgjedhore anembanë vendit, kanë raportuar raste të dhunës ndaj tyre, policia ka zënë persona me flet-votime të paplotësuara, janë arrestuar persona të armatosur, disa komisionarë kanë pasur kërcënime. Ndërkohë që Policia ka arrestuar edhe komisionarë që shpërndanin zarfe me para.

Kryeministri Sali Berisha, pasdite iu drejtua qytetarëve me porosinë që të mbajnë qetësinë dhe të votojnë.

Të gjithë shqiptarët të marrin pjesë në votime. Të votojnë në mënyrën më të qytetëruar. I ftoj të votojnë për alternativën që gjykojnë si më të mirën. I siguroj se vota e tyre do të respektohet plotësisht”, u tha Berisha mediave.

Afro nëntë mijë vëzhgues, kanë marrë detyrën për të mbikëqyrur procesin zgjedhor në Shqipëri, prej të cilëve 1,000 janë të huaj.

Ambasadori i Bashkimit Evropianë në Shqipëri, Ettore Sequi, dënoi sot dhunën që shpërtheu jashtë një qendre votimi në Laç, ku si pasojë vdiq një person dhe u plagosën tre të tjerë.

Sequi është pjesë e ambasadorëve të huaj që po vëzhgojnë procesin zgjedhor gjithandej Shqipërisë, ndërsa bëri thirrje për një proces të qetë e paqësor zgjedhor.

Diplomati i Brukselit tha se standardet evropiane e përjashtojnë dhunën si një mjet për zgjidhjen e problemeve, ndërsa paralajmëroi se gjatë ditës do të vizitojë vendin e incidentit, për të mësuar më shumë rreth shkakut që ishte i kobshëm për komisionarin socialist.

Thirrje ka bërë edhe kreu i socialistëve, Edi Rama.

I bëj thirrje popullit të votojë. Nuk duhet harruar fjala që kur e keqja ka përfshirë një vend, faji nuk është i të këqijve, por i të mirëve që nuk bëjnë asgjë. U bëj apel qytetarëve që të marrin pjesë në këtë proces, pasi kjo është gjëja më e rëndësishme për ta sot”, tha Rama.

Pavarësisht incidenteve, populli kishin dalë për të votuar të dielën.

Pres më të mirën për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, të arrihet ai rezultat që populli kërkon, integrimin në BE, pasi në NATO jemi. Presim të marrin statusin e vendit kandidat”, tha Martini nga Tirana.

Këto zgjedhje pres të jetë qetësia, e para, dhe e dyta, dua që biznesi të vazhdojë kështu siç është dhe besoj që Partia Demokratike do të fitojë”, u shpreh Banoja, votues.

Mbi 6200 forca policore janë angazhuar për të ruajtur qetësinë dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Në garë për të drejtuar qeverinë shqiptare janë dy koalicione të forcave politike, demokratët konservativë të prirë nga kryeministri Sali Berisha dhe socialistët opozitarë që i udhëheq Edi Rama.

Këto dy forca politike janë mbledhur në koalicion me parti të tjera, ku Berisha udhëheq Aleancën për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim, ndërsa Rama Aleancën për Shqipërinë Evropiane.(f.aliu)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG