Ndërlidhjet

Sigurimi i kulturave bujqësore, “lojë fati”


Ilustrim
Ilustrim
Shumë herë fermerët në Kosovë kanë pësuar dëme nga fatkeqësitë natyrore në kulturat bujqësore, por jo gjithmonë bëhet kompensimi në tërësi i dëmeve nga komunat apo edhe niveli qendror.

Ministria e Bujqësisë nuk ka ndonjë fond të veçantë për kompensimin e dëmeve, edhe pse në raste të caktuar u ka dalë në ndihmë bujqve, ndërsa sigurimi i kulturave bujqësore nuk bëhet në mënyrë individuale, pasi kompanitë e sigurimeve nuk kanë ndonjë polisë të veçantë për sigurimin e tokave të punueshme. Megjithatë, shpresohet se që nga fillimi i vitit 2014, një kompani vendore do të fillojë këtë shërbim.

Por, përfaqësues të bujqve dhe ekspertë të kësaj fushe, japin vlerësime të ndryshme rreth sigurimit të tokave bujqësore në kompani të sigurimeve.

Zenel Bunjaku, nga Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës, e konsideron si alternativë të suksesshme sigurimin e kulturave bujqësore, por që, sipas tij, fermerët nuk kanë informacione për këtë mundësi.

“Fermerët nuk e dinë, nuk kanë informacione. Ata mendojnë sikurse, më herët që ka qenë, që shteti duhet të sigurojë, ndërsa ende nuk janë të informuar se kompanitë private e realizojnë një çështje të tillë. Zakonisht, kur pësojnë dëme i drejtohen shtetit, respektivisht Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”, shprehet Bunjaku.

Sezoni me reshje të jashtëzakonshme dëbore, bora me shi, zjarri dhe fatkeqësitë e tjera vitin e kaluar, kanë shkaktuar dëme në disa hektarë të kulturave në bujqësi dhe blegtori. Por, kompensimin e dëmeve është detyruar ta realizojë Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Adil Behramaj, zëdhënës në këtë ministri, pohon se do të ishte lehtësi për ministrinë, nëse fermerët i sigurojnë prodhimet e tyre bujqësore. Për këtë çështje, ministria këtë vit ka krijuar rrjetin e shërbimeve këshillimore, ku ka angazhuar 70 këshilltarë profesionalë, që kryesisht do të trajtojnë tematika të kësaj natyre me fermerët.

“Në vitin e kaluar ne i kemi përkrahur 288 fermerë që kanë pësuar nga fatkeqësitë dhe që kanë pasur të kompletuar raportet rreth dëmeve, me gjithsej 154. 500 euro. Gjithashtu planifikojmë t'i përkrahim edhe në këtë vit. Por, vërshimet dhe breshëri nuk kanë shkaktuar dëme vetëm në bujqësi dhe blegtori dhe ne nuk mund të ofrojmë përkrahje selektive në ndonjë formë tjetër”, thotë Behrami .

Ekspertë të bujqësisë japin mendime të ndryshme rreth përfitimeve nga sigurimi.
Sabit Dërmaku, profesor në Fakultetin e Bujqësisë, më të arsyeshme e vlerëson që kulturat bujqësore të sigurohen nga shteti, sepse sigurimi në kompani private, sipas tij, është si një lojë fati ku humbin apo fitojnë.

“Nuk e di cilat janë mundësitë e fermerëve, sepse privat është problem, meqë në kompani private të sigurimeve nuk kanë mundësi që këtë ta realizojnë me një çmim të lirë, që iu përshtatet fermerëve", konsideron Dërmaku.

Ndërkaq, Sylë Tahirsylaj, po ashtu profesor në Fakultetin e Bujqësisë, në mënyrë kategorike është kundër sigurimit të kulturave bujqësore në kompanitë e sigurimeve. Ai thotë se kjo çështje duhet të rregullohet nga institucionet qeveritare.
Kompanitë e sigurimeve shohin leverdinë e vet, por ajo leverdi nuk do të jetë korrekte, sepse ai nuk do të ketë mundësi të paguajë dëmin që bëhet në shkallë vendi.

“Kompanitë e sigurimeve shohin leverdinë e vet, por ajo leverdi nuk do të jetë korrekte, sepse ai nuk do të ketë mundësi të paguajë dëmin që bëhet në shkallë vendi. Ajo mund të jetë një situatë e palakmueshme për të fituar në tragjedinë e dikujt. E drejtë është që shteti, ministria relevante, të ketë ingerenca, por kërkohet angazhim për këtë”, vlerëson Tahirsylaj.

Sidoqoftë, edhe në rajon një përqindje e vogël e fermerët e kanë të siguruar tokën e tyre. Mirëpo, në vendet e Bashkimit Evropian sidomos në Francë dhe Austri, niveli i sigurimit të tokave, shkon deri në mbi 70 për qind.
XS
SM
MD
LG