Ndërlidhjet

Shqipëri: Nis numërimi i votave


Ilustrim

Ilustrim

Kanë nisur të numërohen votat e hedhura në zgjedhjet e përgjithshme të së dielës në Shqipëri, kurse rezultatet paraprake ndryshojnë nga minuta në minutë.

Partia Socialiste është në avantazh të lehtë pas numërimit të votave të para të hënën në mëngjes.

Qysh pas mbylljes së qendrave të votimit, partitë rivale shqiptare kanë nisur festën dhe mohimin e fitores së tjetrit në zgjedhjet e së dielës, në një proces, i cili u shoqërua me vrasjen e një 53 -vjeçari në Laç, dhe plagosjen e një kandidati për deputet.

Kryeministri në detyrë, Sali Berisha, tha të dielën se do të respektojë verdiktin e popullit, kurse pak pas mbylljes së votimeve kryesocialisti Edi Rama tha se rilindja fitoi përballë rrënimit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka qenë shumë i heshtur pas mbylljes së vendvotimeve.

Edhe pse vetëm një pjesë e fletvotimeve janë numëruar, shifrat e shfaqura në KQZ pas numërimit të votave, dëshmojnë një trend të përparësisë së Partisë Socialiste karshi Partisë Demokratike.

Deri më tani vetëm 10 përqind e votave janë numëruar në shumicën e rajoneve, kurse opozitarët e prirë nga Edi Rama kryesojnë në Tiranë, Fier, Berat, Elbasan, Korçë, Vlorë e Gjirokastër.

Pjesëmarrja

Të dhënat e fundit të KQZ theksojne se pjesmarrja në votime në qëndrat e votimit të cilat kanë dërguar materialet e votimit eshte 49.86%.

Rezultate të mira në zgjedhjet e përgjithshme deklaruan edhe Aleanca Kuq e Zi, dhe Fryma e Re Demokratike.

Ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë, Carl Bildt, shkroi në Tëitter që është “e rëndësishme që të gjitha palët në Shqipëri të respektojnë plotësisht rezultatet e zgjedhjeve parlamentare sot (të dielën)”.

Mbi 6,200 forca policore janë angazhuar nga Ministria e Brendshme që të ruajnë qetësinë dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, të cilët kanë për detyrë edhe shoqërimin e materialeve deri në vendet e numërimit të votave.

Procesi zgjedhor u trondit që në mëngjes kurpas një shkëmbimi zjarri jashtë një qendre votimi në Laç, u vra një komisionar i Partisë Socialite për Integrim.

Në incident plagoset edhe kandidati i Partisë Demokratike, kushëriri i tij dhe një tjetër. Ende askush s’është arrestuar për vrasjen, por shtatë dëshmitarë u shoqëruan në polici.

Incidente tjera, nga më të ndryshmet u raportuan gjatë tërë kohës së zgjedhjeve nga mediat shqiptare dhe korrespondentët e tyre gjithandej shtetit. Edhe policia pas dreke doli e tregoi se evidentoi dhe hetoi incidente në Tiranë, Gjirokastër, Vlorë, Elbasan, Korçë e qytete tjera.

Numërimi i votave pritet të zgjasë të paktën 12 orë, kohë kjo kur besohet se do të shpallen edhe shifrat e sakta të pjesëmarrjes së zgjedhësve në votime, por edhe rezultatet e para të partive më të mëdha politike. (f.aliu)
XS
SM
MD
LG